Home REVISTA 10 GJËRA PËR TU PARË PATJETËR NË BERLIN

10 GJËRA PËR TU PARË PATJETËR NË BERLIN

nga admin

Kryeqyteti i Gjermanisë është një qytet që është plagosur, shkatërruar, rindërtuar dhe është bërë protagonist në historinë e Europës dhe të botës së 60 viteve të fundit. I famshëm edhe për murin që e ndau atë në dy pjesë, që nga periudha e pasluftës deri në vitin 1989, Berlini ishte në gjendje të rivlerësojë dhe rizbulojë thesaret e tij të historisë së njerëzimit, të fshehur nga kjo periudhë e errët. Sot, Berlini njihet edhe si një nga kryeqytetet e muzikës elektronike, dizajnit dhe modës.

Rindërtimi urban ka lejuar që qyteti të ngrihet sërish me një arkitekturë avangarde, edhe pse aty -këtu mbijetojnë gërmadhat gotike dhe ato të pasluftës. Nëse planifikoni një vizitë në qytetin gjerman, prisni të merrni frymë në çdo cep të të gjitha periudhave të ndryshme: të shkatërrimit, ndarjes, pajtimit dhe shpengimit që kanë ndjekur njëri-tjetrin gjatë viteve. Për t’ju ndihmuar që të mos humbisni as një nga fazat e rëndësishme të qytetit, këtu janë, sipas mendimit tonë, 10 gjërat që nuk duhen humbur në Berlin.

1. RAEICHSTAG - RAJSHTAG

Një nga simbolet e qytetit dhe destinacioni i pashmangshëm i çdo vizite, kjo ndërtesë kujton rënien e nazizmit. Parlamenti gjerman ndodhet pikërisht në Reichstag dhe, si pothuajse të gjitha monumentet dhe pallatet e Berlinit, ruan dëshmitë e Luftës së Dytë Botërore. Pikërisht nga njëra prej dritareve të kësaj ndërtese, në vitin 1918, u shpall lindja e Republikës Gjermane. Pallati u shkatërrua pothuajse tërësisht nga një zjarr që ra në vitin 1933 dhe, gjatë luftës, u përdor gjithashtu si një klinikë lindjesh. Pas rënies së Murit, pikërisht në 2 tetor 1990, këtu brenda u organizua  ceremonia zyrtare e Gjermanisë së ribashkuar.

2. MURI

Më 9 nëntor 1989 u shkatërrua muri i trishtimit që ndau qytetin e Berlinit. Nuk ishte vetëm një fakt material, por mbi të gjitha ideologjik dhe politik, si ndarje jo vetëm në Berlin, por në të gjithë gjithë vendet e Lindjes, përfshi edhe vendin tonë.  Muri i Berlinit shtrihej për 170 km dhe ishte 10 metra i lartë, ai ndau qytetin në pjesën pro amerikane dhe pro sovjetike. Ishte e pamundur të kalohej kufiri, siç u dëshmua nga qindra të vdekur që u përpoqën kot. Sot, nga ky mur ruhet vetëm 1 km e paprekur si dëshmi historike e gjithë çfarë ka ngjarë. Në vitin 1990, për të festuar ribashkimin e Gjermanisë, dhjetëra artistë zbukuruan Murin me murale dhe vepra arti, të cilat më pas u bënë të famshme në të gjithë botën.

3. CHECKPOINT CHARLIE

Është kthyer në një atraksion turistik, por nuk ka qenë e tillë. Në fakt ka qenë një vend tmerri dhe ankthi për ato që donin të kalonin nga Berlini Perëndimor në Berlinin Lindor dhe anasjelltas. Pika e kontrollit, ose porta që lidhte dy pjesët, ishte e blinduar dhe e kontrolluar nga ushtria amerikane, e vendosur në mes të Friedrichstraße dhe Zimmerstraße. Sapo Muri u shkatërrua, Checkpoint Charlie u çmontua, por turistët sot mund të fotografohen pranë një ushtari (jo të vërtetë) sovjetik ose amerikan.

4. BRANDENBURGER TOR

Një simbol tjetër i Berlinit është Porta e famshme e Brandenburgut, emblemë e ndarjes së dy Gjermanive gjatë Luftës së Ftohtë. Pas rënies së Murit ajo u bë imazhi i kombit të ri të bashkuar. Porta është projektuar nga Carl Gotthard Langhans në 1791, është një ndërtesë neoklasike dhe përbëhet nga dymbëdhjetë kolona të mbuluara nga Quadriga e famshme, punuar nga Johann Gottfried Schadow.

5. PERGAMONMUSEUM

Nga Porta e Brandenburgut, një rrugë e gjatë të shpie në të ashtuquajturin ishulli i Muzeut të UNESCO-s në Berlin. Ka 5 muze të përqendruara në këtë ishull lumor, ku ne sugjerojmë që të mos humbisni Pergamonmuseum.

Është një ndërtesë imponuese që ruan provat e periudhave të ndryshme historike, nga Perandoria Romake në Greqinë e Lashtë, nga Lindja e Mesme deri te pjesët e dedikuara për Azinë e Vjetër dhe Artin Islamik.

6. DUOMO

Ndodhet në një distancë të shkurtër nga Ishulli i Muzeve dhe daton në 1904, rezultat i një ndërtimi të porositur nga Perandori Uilliam II. Katedralja e tanishme kishte për qëllim të pasqyrojë në mënyrë adekuate madhështinë e fesë luterane, por edhe prestigjin e dinastisë mbretërore. Ndërtesa është 114 metra e gjatë, e gjerë 73 metra dhe e lartë 116 metra. 

Në krye të saj është një kupolë e madhe prej bakri, e zbukuruar brenda me piktura që përshkruajnë skena nga Dhiata e Re dhe periudha e Reformimit. Është gjithashtu e mundur të shkoni deri në krye të kupolës, duke bërë 270 hapa: nga këtu ju mund të admironi bukuritë e të gjithë qytetit. Natyrisht, kjo ndërtesë pësoi dëme të mëdha gjatë Luftës së Dytë Botërore: shpërthimet shkatërruan një pjesë të çatisë, e cila u rindërtua përfundimisht vetëm në vitin 1975.

7. MEMORIALI I HOLOCAUST-IT

Historia e qytetit është e lidhur pafundësisht me ngjarjet e njohura trishtuese të Luftës së Dytë Botërore dhe Nazizmit. Kjo është arsyeja pse, në qendër, qëndron ky monument përkujtimor kushtuar hebrenjve europianë, të cilët ishin viktima të Holokaust-it. Zona mbulohet nga 2711 blloqe betoni me lartësi të ndryshme, nga 20 cm deri në gati 5 m. Rezultati është një strukturë labirintike, e ngushtë dhe pothuajse irrituese për ata që ecin nëpër të. Ekziston edhe një ekspozitë e përhershme që synon të pasqyrojë disa tregime të familjeve hebreje.

8. ALEXANDERPLATZ

Është sheshi më i famshëm dhe popullor, i preferuar si nga berlinezët ashtu edhe nga vizitorët. Sheshi në vetvete nuk mund të thuhet se është një shembull i arkitekturës së shkëlqyer, por është tepër i furishëm. 

Është gjithashtu një qendër e rëndësishme për trafikun e qytetit: nga këtu kalojnë 20 linja autobusi dhe tramvaje. Për ta njohur atë është e thjeshtë, në fakt Kulla e Televizionit është 365 metra e lartë dhe mund të vizitohet deri në 200 metra lartësi. Ajo është struktura më e lartë në Europën Perëndimore.

9. TIERGARTEN

Ashtu si të gjitha qytetet e mëdha, Berlini gjithashtu ka parkun e vet të madh urban, ideal për disa momente pushimi në ajër të hapur. Parku Tiergarten mbulon 210 hektarë dhe përfshin shtigje, liqene dhe livadhe të mëdha, të populluara edhe nga lloje të ndryshme të kafshësh dhe bimësh.

Berlinezët e përdorin atë për të bërë vrap dhe për të kaluar pushimin e drekës.

10. HAMBURGER BAHNHOF

Është një ish stacion hekurudhor i kthyer në një muze që mban kryeveprat e artit bashkëkohor. Këtu janë ruajtur shumë vepra nga Andy Warhol dhe Roy Lichtenstein, por gjithashtu nga Keith Haring, Anselm Kiefer dhe shumë të tjerë.

Ky artikull, duke përfshirë tekstin dhe fotot janë pronë intelektuale e TRAVELBAR. Artikulli gëzon të drejtën e copyright dhe ndalohet çdo kopjim ose riprodhim i tërësishëm apo i pjesshëm.

Shkruani një koment

Mund t'ju pëlqejnë edhe: