Home Uncategorized 10 GJËRA QË DUHET TË SHIHNI PATJETËR NË STAMBOLL

10 GJËRA QË DUHET TË SHIHNI PATJETËR NË STAMBOLL

nga admin

Nëse jeni në kërkim të një udhëtimi, ku misteri dhe bukuria ecin pranë jush, ku dëshira për të vizituar monumente, xhami dhe kisha shkon paralelisht me dëshirën për të shëtitur rrugëve të qytetit, për të bërë pazar në dyqanet tipike të tregut dhe për të ngrënë në restorantet buzë detit, atëherë Stambolli është qyteti që bën për rastin tuaj.

Stambolli është qyteti i kaosit dhe paradokseve, ku asnjëri prej vizitorëve të tij, nuk mund të largohet pa u joshur. Bosfori i bukur, ajo çfarë ka mbetur nga perandoritë, kulturat e ndryshme, ushqimi i jashtëzakonshëm dhe fuqia rinore e popullatës së tij, e bëjnë Stambollin një qytet mjaft dinamik.

Kryeqyteti turk ruan të gjithë bukurinë e vet orientale, mes arkitekturës që të bën të ëndërrosh dhe aromave të erëzave që ndihen nëpër rrugë, falë dyqaneve të pranishme në çdo kënd të qytetit. Zbuloni 10 mrekullitë që duhet të vizitoni absolutisht në Stamboll

1. SULLTAN AHMET CAMMI (XHAMIA BLU)

Në Turqi e quajnë Sulltan Ahmet Camii, për ne europianët ky vend mistik i faljes njihet si Xhamia Blu. Arsyeja për këtë emërtesë është e shpejgueshme: brendësia e strukturës fetare është e veshur me më shumë se 20 mijë pllaka qeramike me ngjyra, ku tonaliteti më dominues është turchese dhe blu. Kjo zgjedhje stilistike, e shoqëruar me lojën e dritave që krijohet nga dritaret e shumta në kupolë, e kanë bërë këtë vend të rëndësishëm të faljes, një mjedis të këndshëm dhe të mahnitshëm. E rëndësishme është të kujtojmë se hyrja brenda mureve nënkupton respektimin e disa rregullave: gratë nuk mund të hyjnë pa mbuluar me një shall shpatullat e zbuluara, këmbët dhe flokët. Kjo “sakrificë” e vogël është e papërfillshme, kur bëhet fjalë për të shijuar një bukuri të tillë të arkitekturës dhe fesë.

2. TOPKAPI SARAYI - SARAJET TOPKAPI

E gjithë madhështia e Perandorisë Osmane është e përmbledhur në një strukturë fantastike monumentale. Me katër oborret e mëdha, salla të kushtueshme dhe një harem për ta pasur zili edhe Casanova, Sarajet Topkapi janë një nga atraksionet më interesante jo vetëm në Stamboll, por në të gjithë Turqinë. Mos e humbisni pamjen e mrekullueshme të qytetit, që mund ta shijoni nga oborri i katërt i ndërtesës, mes tulipanëve dhe trëndafilave aromatikë. Për të jetuar një ditë të vetme si një sulltan, Sarajet Topkapi janë destinacion ideal!

3. DOLMABAHÇE PALACE

Një nga ndërtesat që kujton, në stil dhe karakteristika, më shumë Evropën sesa Lindjen e Mesme. Sarajet Dolmabahçe (Dolmabahçe Sarayı) është një pallat i madh i vendosur në bregun evropian të Bosforit, në rrethin e Beşiktaşit, ndërtuar rreth mesit të shekullit të 19-të me urdhër të Sulltan Abdülmecid I, i cili e konsideronte selinë perandorake të Topkapit shumë të vjetër.

Pallati të kujton pallatet e mëdha evropiane për shkëlqimin dhe madhësinë e tij: 285 dhoma, 44 dhoma pritjeje dhe 68 banjo! Stili është eklektik dhe përmban elemente barok, neoklasik dhe rokoko. Brenda ka një përzieje te arit me dekorimet prej kristali, mermeri, alabastre, mobilje dhe gjithçka që luksi i kohës mund të parashikonte. Shtrihet mbi Bosforin për gati 1 km dhe mund të vizitohet vetëm pjesërisht.

4. GALATA KULESI (KULLA GALATA)

Larg nga qendra e qytetit qëndron Galata Kulesi (Kulla Galata), një ndërtesë imponuese që ka pësuar shkatërrime dhe tërmete gjatë shekujve. Përkundër këtyre kataklizmave, kulla gjithmonë ka mbetur në këmbë, krenare dhe e gatshme për të qenë e arritshme për publikun e gjerë. Bëhuni edhe ju pjesë e publikut që vjen këtu. Në katin e fundit të kullës ka një restorant, kafene dhe një disko. Ju mund ta shijoni nga tarraca panoramike, pamjen që të lë pa frymë.

5. GRAND BAZZAR (PAZARI I MADH)

Pas vizitave të rëndësishme nëpër objektet e kultit, apo veprat monumentale, më në fund është koha që të përkushtoheni në aktivitetin e preferuar të grave (dhe jo vetëm): pazar! Vendi më i mirë për të negociuar dhe për të blerë suvenire 100 për qind turke, është pa dyshim Grand Bazzar (Pazari i Madh). Ai është ndër pazaret më të vjetër dhe më të mëdhenj në botë, shtrihet në 61 rrugë të mbulurara të qytetit dhe përbëhet nga rreth 4000 dyqane. Vizitohet çdo ditë nga 250.000- 400.000 vizitorë. Këtu mund të gjeni gjithçka nga pëlhurat e bukura tek erëzat e shijshme. Nëse doni të merrni një zbritje nga tregtarët e zellshëm, ka një fjalëkalim: “Indirim”!

6. HAMMAM

Vende për t’u çlodhur dhe për tu shijuar, ato janë një gjë që s’duhet humbur, për ato që duan të shohin më të bukurat e Stambollit. Vajra aromatike, sauna, masazhe,  scrubs: hammamet janë eksperienca ndijore që do t’ju bëjnë të jetoni në 360 gradë. Lëreni veten të ledhatoheni nga avujt dhe trajtimet luksoze. Do të dilni të rigjeneruar nga kjo eksperiencë. Hamami më i famshëm në qytet është Çeku i Çemberlitas Hamami, por ekzistojnë struktura të ngjashme në të gjithë territorin.

7. AYA SOFYA (KISHA E SHËN SOFISË)

Është një nga monumentet kryesore të Stambollit. Ndërtimi i saj, i dëshiruar fort nga Justiniani në shekullin e gjashtë, është e mbushur me histori. Si brenda ashtu edhe jashtë, arkitektura e saj magjepsëse mirëpret vizitorin. Mermeret polikromatike, gurët e çmuar, mozaikët dhe një nga kupolat, e bëjnë Aja Sofya, një tempull të vërtetë të bukurisë, që mirëpret besimtarë dhe ateistë. Të gjithë do të goditen nga bukuria e saj e jashtëzakonshme. Kjo ish “shtëpi” e të krishterëve, e konvertuar në xhami nga Mehmet Pasha, u shndërrua në muze me urdhër të Ataturkut, në vitin 1935. Që atëherë pret e përcjell vizitorë. 

8. YEREBATAN SARNICI (BAZILIKA ÇISTERNË)

Yerebatan Sarnıcı është cisterna më e madhe nënujorë që ruhet në Stamboll.

E zbuluar në fund të shekullit të XIX, çisterna u ndërtua nga perandori Justiniani gjatë periudhës më të ndritur të Perandorisë romake në orient, në vitin 532. Sot prezantohet si një hapësirë nëntokësore, me përmasa 140 me 70 m. Çisterna mbahet mbi 28 kollona të larta nga 9 m me një distancë nga njëra -tjetra 4.90.

Është shumë impresionuese koka e meduzës e gdhendur në bazën e kollonës dhe tavanet e çisternës të cilët nga pasqyrimi i ujit, reflektojnë një dritë shumë të bukur.

9. ISTIKLAL CADDESI DHE TAKSIM

Është një nga rrugët më të famshme në Stamboll të Turqisë, e vizituar nga afërsisht 3 milion njerëz në një ditë të vetme gjatë fundjavave. E vendosur në rrethin historik të Beyoglu, Istiklal Caddesi, është një rrugë elegante për këmbësorët, me gjatësi prej 1.4 kilometrash, që strehon brenda saj butikë, dyqane muzikore, librari, galeri arti, kinema, teatro, biblioteka, kafene, pastiçeri dhe restorante.

10. FATTIH

Një nga lagjet më “konservatore” në Stamboll. Fattih është në fakt zona më aktive nga pikëpamja fetare (gratë veshin burka), me kompleksin monumental të Xhamisë Fatih në qendër.

Ecja nëpër rrugët e saj, dhe veçanërisht në zonën e tregut, është një përvojë që nuk mund t’ju ​​lërë indiferentë. Sot jetojnë shumë emigrantë nga Lindja e Largët , të cilët gjithashtu kanë sjellë me vete traditat e tyre të mahnitshme të kuzhinës rajonale: Kjo është arsyeja pse Fatih konsiderohet gjithashtu si qendra gastronomike e qytetit. Në fakt, është këtu që ju duhet të vini për të provuar shijet më autentike të kuzhinës turke. Vini re shtëpitë prej druri 200-vjeçare të periudhës osmane. Një pamje shumë piktoreske e qytetit.

 

Ky artikull, duke përfshirë tekstin dhe fotot janë pronë intelektuale e TRAVELBAR. Artikulli gëzon të drejtën e copyright dhe ndalohet çdo kopjim ose riprodhim i tërësishëm apo i pjesshëm.

Shkruani një koment

Mund t'ju pëlqejnë edhe: