Home REVISTA 10 GJËRA QË NUK DUHET T’I BËNI NË BERLIN

10 GJËRA QË NUK DUHET T’I BËNI NË BERLIN

nga admin

Jeni gati të bëni një udhëtim turistik për në Berlin? Po bëheni gati të transferoheni atje? Dhe akoma nuk e dini se çfarë është e mirë dhe çfarë jo? Jemi gati të japim ndihmën tonë përmes një guide të vogël, për gjërat që nuk duhet të bëni në Berlin, që ta shijoni vizitën tuaj më mirë, pa i shkelur rregullat.

Berlini është një qytet i lirë dhe miqësor me turistët, është gjithashtu një vend ku jetohet në një mënyrë mjaft qytetare. Eshtë një qytet kaq i madh sa kurrsesi nuk duhet të veshësh këpucë me taka të larta, por të zgjedhësh këpucët më komode, që ta shëtisësh sa më lehtë, është një qytet ku nuk duhet të porosisësh ujë në restorant, por ta konvertosh me birrë…

Ka edhe më shumë. Prandaj ndiqni këshillat tona pikë për pikë dhe ju sigurojmë se udhëtimi juaj do shkojë mjaft mirë. Ju tregojmë se çfarë nuk duhet të bëni në Berlin:

1. TË ECNI NË KORSINË E BIÇIKLETAVE

Mund të lëndoheni keq nga ndonjë çiklist. Sigrisht që nuk e bëjnë me qëllim, por nëse ju ecni mbi pistën e tyre të kuqe, atëherë do të jetë problemi juaj! Tregohen më të gatshëm të të shtypin me biçikletë se sa të frenojnë.

2. MOS LINI BAKSHISH NË TAVOLINË

Këtu kamarierët ( dhe jo vetëm) marrin 450 euro rrogë bazë, ndërsa 10 përqind e fitojnë nga bakshishet. Prandaj është mirë që bakshishin t’ia lini në dorë kamarierit dhe jo ta vini mbi tavolinë, se në këtë rast paratë i merr lokali. Gjithmonë nëse ju ka pëlqyer shërbimi.

Nëse nuk lini bakshish, do të thotë se shërbimi nuk ju ka pëlqyer. Atëherë përgatituni për pjesën kur kamarieri të vjen gati në turinj e të pyet: “Çfarë nuk të ka pëlqyer? Ku është problemi?”. Mbani mend mirë, se berlinezët janë ndër më të këqinjtë në Gjermani.

3. MOS KËRKONI KUZHINË SHQIPTARE

Eshtë gabim të mendoni se do të hani të njëjtat ushqime që hani në Shqipëri, pasi jeni në një vend tjetër dhe shijet janë të tjera. Në vend të pilafit me pulë këtu do të gjeni kofshë derri me lakër ose patate. Ose në vend të picës që shqiptarët e shijojnë pothuajse njëlloj si italianët, këtu do të gjeni picën e çuditshme me wurstel, djathë dhe ananas.

Jeni në Berlin. Prandaj duhet të përfitoni nga rasti dhe të provoni kuzhinën tipike gjermane! Ose një nga shumë propozimet e restoranteve nga kuzhina botërore, që Berlini ofron me shumicë! Nga kuzhina italiane, tek ajo ruse, apo tajlandeze, nga kuzhina norvegjeze tek kuzhina kroate e bullgare, ka gjithçka që doni. Pa hile, me shefa italinë, rusë,a bullgarë, në varësi të restorantit nacional që zgjidhni. Me çmime shpesh, mjaft të të mira.

Në Berlin mund të hash edhe me më pak se 10 euro. Por ne ju shkelim syrin dhe ju themi: bëni mirë të zgjidhni një restorant turk! Dhe një këshillë të fundit: Asnjëherë McDonald’s, më mirë një street food turk.  

4. MOS KËRKONI KAFE PA E SPECIFIKUAR

Asnjëherë mos kërkoni një kafe pa e specifikuar, nëse doni një ekspres, specifikojeni, ose mos porosisni kurrë kafen pa e kontrolluar se çfarë marke është kafja që do ju sjellin. Ne jemi mësuar me një koncept tjetër të kafes, që në Berlin nuk ekziston. Ky rregull vlen, si në rastet kur shkoni në një lokal publik, si në rastin kur jeni i ftuar nga ndonjë mik gjerman në shtëpinë e tij.

5. MOS POROSISNI UJË TË GAZUAR

Ndodh të paguani në restorant 6 euro për një shishe ujë të gazuar dhe 5 euro për pjesën tjetër të ushqimit. Gjermania është vendi që konsumon më shumë ujë mineral në botë dhe një shishe ujë  1.5 l, ndonëse në supermarket mund të kushtojë 25 cent, në restorant kushton 6 euro.

Ndonjëherë ta sjellin ujin e gazuar në gotë të mbushur dhe gjithsesi duhet ta paguash. Për ta kapërcyer këtë gjë, porosit ose birrë (që është më ekonomike se çdo gjë tjetër), ose pyet për ujë rubineti (Leitungswasser), që këtu është i mirë.

6. MOS U VISHNI SHIK

Nëse je në Romë, Milano, apo Firence, sigurisht që pamja e jashtme do të ishte një pikë e fortë. Por nëse je në Berlin mos mendo të njëjtën gjë. Harroje fjalën elegancë.

Mos mendo se fiton më shumë pikë, nëse vendos syzet e diellit që në 5 të mëngjesit, apo nëse parfumosesh aq shumë(edhe pse parfumin e ke marke), sa ta kthejnë kokën të gjithë kur hyn në lokal, madje as mos mendo se femrat e lokalit do të lënë kokën për ty, pasi gjysma e tyre është lesbike. Ose bisex. Dhe në rastet kur nuk janë, femrat janë të lidhura prej kohësh dhe nuk është se po të presin ty.

Nëse je i veshur elegant, mundësitë për të hyrë në lokal janë të pakta. Më mirë një bluzë me vrima me një njollë kafe, sesa një këmishë e bukur mbi xhinse. Koncepti cool këtu në Berlin është më i ndryshëm, të paktën kur flasim për lokale tipike berlineze.

7. MOS KALONI ME SEMAFOR TË KUQ

Nëse guxon, do të marrësh një gjobë shumë të majme. Mund të duket se ia hodhe kur polici të pyet:”Edhe në shtëpinë tënde, kështu kalon?” Dhe ti që i përgjigjesh: “Po, se nuk ka vdekur askush nga kjo gjë”. Por ndërkohë  emri yt është shkruar dhe gjoba është vënë. Askush nuk të fal në Berlin për një shkelje të tillë.

8. MOS UDHËTONI PA BILETË

Një gjobë prej 40 eurosh është vërtet shumë. Dhe nëse është hera e tretë, shkon në birucë. Duhet ta themi se kontrollorët janë shumë të qetë dhe të sjellshëm, por nuk bëjnë asnjë lloj përjashtimi. Në fund të fundit, ata marrin përqindje nga gjobat që vënë, prandaj mos prit të të falin nëse të gjejnë pa paguar biletën. Dhe më një rrogë bazë prej 450 eurosh, ata duhet të bëjnë syrin pishë, që askush të mos u shpëtojë pa biletë, dmth pa gjobë.

PS: nëse po shkoni në Schönefeld, duhet të bëni biletën ABC. Shpesh herë turisti mendon se shpëtoi, por ia vënë gjobën, sapo arrin në qytet. Nuk është mirë t’i prishni pushimet, ende pa i nisur….

9. MOS BËNI TIFO PËR ITALINË

Një pjesë e madhe e shqiptarëve bëjnë tifo për futbollin gjerman, ndaj në Berlin, jeni në vendin e duhur për të shprehur simpatinë tuaj. Por nëse jeni tifoz italian, duhet të bëni kujdes, të mos nxirrni asnjë fjalë goje për këtë temë, aq më keq të hyni në diskutime të tipit cili ekip ka fituar më shumë tituj botëror.

10. MOS VISHNI ÇORAPE ME VRIMË

Në Berlin është zakon që në çdo shtëpi, kur shkoni si i ftuar, hiqen. Eshtë një zakon arab, turk, shqiptar, për çudi, edhe Berlinez. Prandaj merrni masa që çorapet tuaja të jenë të pastër e pa vrimë, nëse për ju është kompleks një vrimë në çorape. Pasi berlinezët nuk e kanë aspak këtë kompleks. Për ta madje është cool vrima në çorape dhe bluzë!

Ky artikull, duke përfshirë tekstin dhe fotot janë pronë intelektuale e TRAVELBAR. Artikulli gëzon të drejtën e copyright dhe ndalohet çdo kopjim ose riprodhim i tërësishëm apo i pjesshëm.

Shkruani një koment

Mund t'ju pëlqejnë edhe: