PARISI ME FEMIJET, SI TA EKSPLOROJME

Nëse ka një vend, ku arti krijon njeriun, ky vend është Parisi. Nëse ka një vend, që mund të ndikojë pafund tek fëmija yt, që ai të dojë librat dhe dijen, artin dhe kulturën, të vlerësojë arkitekturën dhe pikturën, sigurisht që ai vend është Parisi.

Por, nëse do që fëmija yt, edhe të argëtohet në një botë përrallash, siç ti do të doje të ishte jeta e tij, ekziston një vend ku “përralla”, bëhet reale: Në Disneyland, Paris.

Ka shumë arsye, pse fëmijët tuaj, duhet të vizitojnë patjetër Parisin. Jo thjesht si një vizitë tek të afërmit emigrantë, por si turistë të vërtetë dhe aspirantë të një bote më të kulturuar, më të hapur e më të emancipuar nesër.

1. Galeritë e artit

Mjafton të ecni rrugëve të Parisit, për të parë numrin e pafund të galerive të artit, që ekspozojnë artistë të çdo lloji, që nga arti realist, deri tek ai konceptual.

Nuk ka rëndësi nëse hyni për t’i vizituar këto galeri (do ishte shumë mirë sikur të mundnit), rëndësi ka të ecni me fëmijët tuaj rrugëve, ku nga përtej vitrinave mund të shihni lirisht me qindra krijime frymëzuese, në teknika të ndryshme nga artistë të famshëm, bashkëkohorë, por edhe artistë të rinj.

Një mënyrë fantastike për t’i tërhequr të vegjëlit si me magji, në botën e së bukurës.

2. Luvri nuk matet me pëllëmbë

Luvri (Louvre) është destinacioni ikonik i artit. Aty në oborrin e brendshëm të Pallatit madhështor të Luvrit, ndodhen Piramidat e Qelqta, të cilat iu shtuan kompleksit mesjetar, në vitin 1989 nga një arkitekt kinez me famë botërore.

Po aty ndodhen disa kube të vendosur në mënyrë jo aq të çrregullt sa duket, por pikërisht të llogaritur mirë, që vizitorët, duke shfrytëzuar iluzionin viziv, të pozojnë duke krijuar idenë se “po mbajnë Luvrin mes pëllëmbëve”.

Vërtet që fëmijët argëtohen pa masë duke pozuar “me Luvrin mes krahëve”, por është momenti t’u tregojmë atyre se Luvri nuk është piramida lodër e qelqit dhe nuk është aspak i vogël sa për t’u mbërthyer ashtu mes krahëve.

Ish pallati mbretëror, i kthyer në Muze Arti, është më i madhi dhe më i madhërishmi në botë. Mjafton t’u themi se aty fle e bukura Mona Lisa, e cila edhe pse është realizuar nga një piktor i famshëm italian, Leonardo da Vinci, prej më se tre shkekujsh i përket Francës dhe Muzeut të Luvrit, pasi mbreti i Francës, François I, e kishte sekuestruar atë bashkë me disa piktura të tjera.

Duke nisur nga diçka e thjeshtë, por shumë elitare, nga Mona Lisa, patjetër do të fillojë interesi për të parë sa më shumë nga tre katet gjigandë të kryeveprave botërore, ku gjenden kryeveprat e trashëgimisë së artit botëror.

3. Librat

Në çdo cep të Parisit fëmijët tuaj do të shohin librari, të vogla e të mëdha, me vitrina të bollshme, ku librat të këshillohen edhe me një filxhan çokollatë të nxehtë.

Mund t’u tregosh fëmijëve shumë gjëra që lidhen me librat, por duke dashur që shëtitja në Paris, të ketë më shumë formën e një ekskursioni kulturor, se sa një orë mësimi, mund të ndaleni përballë Notre – Dame de Paris, në fillim të Quartier Latin (lagjia latine) dhe të sodisni librarinë më të vjetër në Europë, “Shakespear and company”.

Nuk ka dyshim që nëse i flisni me dashuri për këtë vend, fëmija yt do të dojë të hyjë patjetër aty, të marrë një libër në duar, të pijë një çaj dhe të provojë madje edhe të shtrihet në ndonjërën nga kanapetë e katit të dytë, ashtu siç bënin artistët bohemë.

4. Çokollata & Makarons

Nuk ka dashuri të shijes më të madhe për një fëmijë, sesa shija dhe aroma e çokollatës. Me të gjitha përmasat dhe shijet, në forma ndjellëse dhe kombinime nga më të çuditshmet, me kokrra kakaoje, pluhur, apo të shkrirë….Në Paris fëmijët do ta ndiejnë veten në mbretërinë e çokollatës.

Krijoni mundësinë që ata të sodisin vitrinat e mrekullueshme të ëmblësirave, të cilat ndodhen në çdo qoshe dhe të provojnë jo vetëm çokollatën, por edhe Makarons (ëmbëlsirat e vogla në formë biskote, të ngjitura në mes, me shije dhe ngjyra të ndryshme). Jo vetëm do t’i shijojnë, por mund t’i blejnë dhe t’ia bëjnë dikujt dhuratë, me paketime tepër të bukura dhe shije parajse.

5. Shopping

Askush nuk i shpëton tundimit për pak shopping në Paris, e njëjta ndjesi vlen edhe për fëmijët. Në qendrat tregtare të Champs Elysees, ato do të ndjehen si të rritur, pasi vitrina pa fund, të arreduara me shumë shije dhe supriza, me fokus botën përrallorë të fëmijëve, do të fitojnë vëmëndjen e tyre.

Pas një shëtitje të tillë, vajzat do të ndihen më zonjusha, ndërsa çunat, zotërinj të rinj!

Zgjedhja e një parfumi apo esence në Paris është po kaq e rëndësishme sa zgjedhja e një baguette (bagetë-bukë franceze), apo libri të mirë.

6. Arkitektura dhe gjelbërimi

Ndërtesa me fasada pak a shumë të njëjta, të stilit neo-klasik, me të njëjtën lartësi dhe ngjyrë, hapësirat e bollshme dhe rrugët e gjëra, kopshtet e shumta me gjelbërim të pafund, e kanë përgjigjen për pyetjen e fëmijëve: si është e mundur që qyteti është kaq i bukur?!

Ne duhet t’u tregojmë fëmijëve se në Paris që nga mesi i shekullit të 19-të, kur u rrafshuan lagjet labirinthe, zbatohet një kod ndërtimi që nuk i luan presja as tani. Ky kod lejon që ndërtesat e reja të zbatojnë lartësinë, fasadën dhe raportin me gjerësinë e rrugës.

Ndërsa parqet, me të cilin parizienët krenohet dhe ku e kanë zakon shpesh të shkojnë për piknik, nuk i shkon mendja askujt t’i prishë për të ndërtuar pallate.

Dy nga parqet më madhështore, Parisi i ruan që nga shekulli i 16-të: Jardin des Tuileries (Kopështi i Tulierëve) dhe Jardin du Luxembourg (Kopështi i Luksemburgut) që u ndërtuan për dy nga mbretëreshat dhe pallatet e tyre.

Por ka edhe një lulishte shumë të veçantë, Jardin des Plantes, e krijuar nga një mjek për të rritur bimët mjekësore, me të cilat shëronte të sëmurët. Kopështet tani janë pronë publike dhe mund të vizitohen nga kushdo.

7. Les Guignols

Les Guignols janë pjesa kryesore e çdo fëmije në Paris dhe kjo gjë ka ndodhur për qindra vjet. Guignol është një kukull që u shpik nga një dentist menjëherë pas Revolucionit për të shpërqendruar pacientët që kishin dhimbje tek dhëmbët.

Shfaqjet e kukullave kanë ndryshuar pak me kalimin e viteve dhe ato mund t’i gjeni në parqet e qytetit. Shfaqja, edhe pse në frëngjisht, kërkon pak shpjegime, por e kapërcen lehtë pengesën gjuhësore. Performancat janë zakonisht të shtunën, të dielën dhe të mërkurën pasdite, kur nuk ka shkollë, por në ditë pushimesh i gjeni çdo ditë.

Kontakti me teatrin nis në rrugë, por përfundon në salla teatrosh të të gjitha llojeve dhe Parisi numëron teatro pafund.

Ja pse parizienët e duan kaq shumë teatrin dhe nuk i prishin ato.
Nuk ka gjë më të mirë për fëmijët sesa të përfitojnë nga kjo përvojë.


8. Magjia e Disneyland

Ja ku kemi mbërritur në krye të klasifikimit të argëtimit në Paris për fëmijët, në Disneyland. Nuk është e thënë të jesh fëmijë në fakt për ta shijuar, por sidoqoftë ka një të vërtetë, duke qenë fëmijë e shijon si askush tjetër.

Të gjitha personazhet e dashura që kanë udhëhequr jetën e fëmijëve tanë, por edhe tonën ndër vite, e gjen tek ky park madhështor që shtrihet në dy pjesë, në Disneyland Park dhe Walt Disney Studio Park. Pasi të keni shkelur këtu e të keni provuar magjinë, mund të filloni të besoni përsëri tek përrallat, bashkë me fëmijët.

Personazhet apo situata të nxitura nga filmat e Walt Disneyt, që nga Mickey Mouse, miu epik i çdo brezi, deri tek Star Track, i japin jetë dhe gjallëri të jashtëzakonshme, këtij parku të ndodhur 32 km larg qendrës Parisit, në drejtimin lindor.

Atraksionet këtu nuk janë thjesht lojra, por realizimime të mirëfillta kinematografike, ku animacioni, regjia, skenografia, skenari, fabula, muzika, bashkë me suspense (suspancë) që është në çdo lojë e pranishme, e kthejnë Parkun në qëndrën për fëmijë më të njohurën dhe të vlerësuar në Europë.

© Ndalohet kopjimi ose riprodhimi i të gjithë materialeve, si tekst apo audio, ose fotove pa lejen e autorëve!

Për fotot ilustruese, ndonjëherë jemi të detyruar të përdorim fotografi nga interneti. Nëse kjo gjë prek interesin e personave të interesuar, na sinjalizoni dhe ne menjëherë do i heqim ato!

Share this:
Tags:

Add Comment

five × one =

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.