Tuesday November 19 2019

KORFUZ: SI TE ZGJIDHNI ZONEN ME TE MIRE!

Duket një konsideratë e parëndësishme, por duhet të bëni kujdes, sepse bërja e një gabimi në zgjedhjen e vendit ku do të shkoni, mund t’ju prishë pushimet.
Shumë agjenci udhëtimi, për të siguruar një kontratë me norma konkuruese, krijojnë paketa të lira udhëtimi, duke zgjedhur destinacione jo komode për të qëndruar, si psh Kavos, vend i cili kërkon një tipologji të veçantë turistësh.

Në të vërtetë, Kavos është një qytet plot me turistë anglezë, të cilët kalojnë gjithë natën duke pirë birra dhe duke qeshur e kënduar nëpër rrugë, prandaj është një vend i rekomanduar vetëm për ato që kërkojnë argëtim dhe jetë nate.

Për më tepër, duke qenë në jugun ekstrem të Korfuzit, Kavos është i papërshtatshëm për të eksploruar ishullin, pasi plazhet më të bukura në ishull janë mbi 50 km larg nga Kavos!

Pra, ato para që kursehen nga akomodimi këtu, do të shpenzohen nga kostoja e karburantit dhe koha për të shkuar në ato plazhe të mrekullueshëm që e kanë bërë Korfuzin të famshëm në të gjithë botën.

Ky shëmbull na tregon qartë se sa i rëndësishmëm është zgjedhja e vendit akomodues, për të cilin duhet të merrni sugjerimet e duhura.
Përfundimisht, nëse e keni identifikuar Korfuzin si vendin tuaj të pushimeve dhe po kërkoni një vend të mirë për të fjetur, konsultohuni me Travelbar Agency për të zgjedhur në zonën e duhur dhe me çmimin më të mirë, sipas asaj që pëlqeni!

Lexo edhe: PUSHIMET NE GREQI NISIN NGA KORFUZI

Lexo edhe: 18 ISHUJT ME TE BUKUR TE GREQISE QE DUHET T’I VIZITONI

Një ide e përgjithshme për plazhet e Korfuzit

Bregdeti, nga Barbati Kassiopi, është më i miri për plazh, plot limane për t’u zbuluar. Gjithashtu bregu perëndimor është shumë i bukur, por uji është mjaft i ftohtë, në veçanti Paleokastritsa dhe Arillas.

Ndërsa në jug perëndim të ishullit, ujërat janë më të ngrohta, por ka më shumë erë, ideale për windsurf.

Mos harroni se në anën lindore (nga IpsosKassiopi) plazhet janë plot me guralecë, ndërsa plazhet me rërë janë në veri, nga Sidari përgjatë bregur perëndimor, deri në jugun e skajshëm, në Kavos.

Për ta bërë më të lehtë zgjedhjen e zonës se ku do të qëndroni në Korfuz, e kemi ndarë ishullin në katër zona kryesore, të cilat zakonisht janë më të njohurat:

  1. Bregu lindor: Nga Benitse, Kerkyra deri në Kassiopi
  2. Bregu i Veriut: Sidari
  3. Bregu perëndimor: Paleokastritsa
  4. Bregu i jugut: Kavos

1. Plazhet e bregut lindor

Edhe pse plazhet nuk janë me rërë, por me guralecë të vegjël, bregu lindor dhe në veçanti Riviera Barbati, është pjesa më e mirë, me det të shkëlqyer dhe mbi të gjitha ujë të ngrohtë, ndryshe nga zona respektive nga bregu tjetër, Paleokastritsa, ku ujërat janë të ftohta.

- Pushime për familjet

Benitses - Messonghi - Moraitika

Benitses, Messongi dhe Moraitika janë zona bregdetare të qeta, me komoditete dhe shërbime: hotele dhe apartamente të përballueshme afër detit, supermarkete dhe dyqane, restorante dhe kafene për të kaluar mbrëmjen.

Plazhet janë të bukura, të sigurta dhe të pajisura me gjithçka që ju duhet. Janë destinacione ideale për familjet ose çiftet që kërkojnë relaks në ishullin e Korfuzit.

Benitses, për shkak të vendndodhjes së saj qendrore në bregun lindor, çmimeve të mira, është destinacioni më i mirë dhe më ekonomik që ne si Travelbar ju rekomandojmë, nëse doni ta përshkoni ishullin me makinë.

Benitses ndodhet në një pikë strategjike që të jep shumë akses.

Lexo edhe: 10 PJATAT ME TE SHIJSHME GREKE SIPAS TRAVELBAR

Barbati - Nissaki - Kalami - Kassiopi

Bregu veri-lindor i Korfuzit, midis Barbatit dhe Kassiopit, është më interesanti i ishullit nga natyra dhe deti. Barbati, Nissaki, Kalami dhe Kassiopi ofrojnë shumë mundësi për qëndrimin.

Ju do të gjeni vila super të mira, apartamente për familje, studio ose dhoma të thjeshta me qera. Shumica e këtyre banesave janë të vendosura në zonat kodrinore, që ofrojnë një pamje spektakolare të gjelbërimit, që shtrihet deri afër detit.

Por këto zona, ndodhen në veri dhe nëse niseni nga këto destinacione për të shëtitur të gjithë ishullin, mund të jetë e vështirë dhe do të harxhoni kohë, pasi rruga nga bregu kalon përms një rilievi të thyer.

Por nëse nuk keni dëshirë të lëvizni, atëherë Barbati, Nissaki, Kalami dhe Kassiopi janëdestinacione të përkryera për ujin e pastër dhe bregun fantastik, strukturat shumë të mira dhe ushqimin e shijshëm që tavernat ofrojnë. Le t’i shohim veçoritë e tyre.

Kassiopi

Për shumë turistë, Kassiopi është ndër plazhet më të bukura të Korfuzit, ka det të bukur dhe të pastër si kristal, ndaj për ata që vijnë në Korfuz për të vlerësuar bukurinë e ujërave dhe natyrës së tij, Kassiopi është vendi ideal.

Plazhet si në të gjithë bregdetin janë me guralecë dhe shkëmbinj.

Fshati është gjithashtu shumë i bukur dhe karakteristik, plot me restorante dhe dyqane të vogla. Me pak fjalë, si një bazë për të vizituar ishullin, Kassiopi është një nga vendet më të mira për të qëndruar në Korfuz, këtu do të gjeni pak e gjithçka, paqe dhe qetësi, det të bukur, restorante dhe bare për mbrëmje.

Kassiopin e bën edhe më interesant fakti, se përballë tij ndodhet gjiri i Sarandës.

Kalami

Edhe Kalami është një fshat i bukur dhe i qetë me plazhe guralecësh dhe det të pastër si kristal, ideal për familjet apo çiftet jo shumë të rinj!

Nëse kërkoni një zonë shumë të qetë, Kalami mund të jetë një zgjedhje e mirë për të fjetur në Korfuz, por përveç ndonjë taverne e dyqani, nuk ka gjë tjetër.

- Pushime për të rinjtë

Vendet më të mira për të qëndruar në Korfuz për të rinjtë janë: Gouvia, Dassia dhe Ipsos, duke qëndruar në këtë zonë ju do të jeni shumë afër kryeqytetit Kerkyra, që meriton të vizitohet. Mos e nënvlerësoni afërsinë e Rivierës së Barbatit për të shijuar detin e bukur.

Ipsos

Eshtë zona më e mirë e Korfuzit për të fjetur dhe për të shijuar jetën e natës, një vend turistik i frekuentuar kryesisht nga të rinjtë italianë që kërkojnë argëtim dhe strehim të lirë.

Eshtë si traditë, që pas marrjes së maturës, në grupe miqsh ata vijnë në Korfuz dhe kalojnë pushimet e para si të rritur, jashtë atdheut. Duke qenë afër me Italinë dhe duke pasur linja të lira tragetesh, dikur vinin prindërit e tyre, e tani vijnë fëmijët.

Gjëja më normale në Korfuz është të shohësh apo dëgjosh të rinj Italianë me motorrët e marrë me qera, tek shëtisin apo bëjnë pushimet e tyre në ishull.

Dassia

Dassia është pak më e qetë se Ipsos, me një det më të mirë, më të pastër dhe më të cekët, plazhi është me guralec dhe zhavor, i përshtatshëm për sportet e ujit. Sigurisht që sa i takon plazhit, Korfuzi ofron plazhe më të mira se plazhi në Dassia.

Dassia është ideale për çiftet e të rinjve që kërkojnë det dhe klube për mbrëmje. Këtu mund të gjesh disa taverna më të lira se në Ipsos, dhe po ashtu si Ipsos është strategjik për ta përdorur si pikë nisje për të eksploruar ishullin.

Gouvia

Gouvia, është një vend i vogël që ofron një jetë nate të mirë dhe që ndodhet rreth 7 km nga kryeqyteti Kerkyra. Ajo është shumë e bukur, e gjallë, plot drita.

Akomodimet janë pak më të shtrenjta se në Dassia dhe Ipsos, por me cilësi më të lartë. Ka një port të madh jahtesh dhe ofron elegancë.

Plazhi është rërë dhe guralecë, deti nuk është më i bukuri që ka Korfuzi, prandaj për plazh është më mirë të shkoni në Barbati.

Gouvia rekomandohet për ata që nuk duan të lëvizin shumë në mbrëmje, por janë të gatshëm të kalojnë ditën duke kërkuar për plazhet dhe limanet më të bukur.

- Pushime kulturore

Qyteti i Korfuzit, ose Kërkyra, është një nga qytetet më të bukura në Greqi. Qendra e saj historike është një xhevahir i arkitekturës. Duke ecur nëpër rrugët e saj të ngushta ju do të zbuloni ndërtesa elegante historike dhe pamje magjepsëse.

Ju mund të përdorni zgjidhje të ndryshme për të qëndruar në qytet, veçanërisht hotelet e vendosur në ndërtesat elegante në qendrën historike, ose të vendosura në pjesën moderne të kryeqytetit.

Ju mund të zgjidhni qytetin e Korfuzit si vend për të qëndruar nëse dëshironi të alternoni, gjatë ditës plazh dhe gjatë mbrëmjes të rrini në një mjedis të mbushur me bukuri kulturore dhe artistike.

Nëse nuk doni të merrni makinën, kjo është zgjidhja më e mirë sepse autobusët shkojnë në shumicën e vendeve dhe plazheve të ishullit.

Lexo edhe: SHPIRTI GREK, UZOJA ÇFARE ESHTE DHE SI TA PISH

2. Plazhet e bregut verior

Sidari është zona e ishullit me plazhe me rërë dhe ujë të cekët shumë të përshtatshëm për fëmijët. Plazhi është i mbajtur mirë, por deti, edhe pse jo i ndotur, nuk është më i miri. Shumë më e mirë është Riviera Barbati !!

Në Sidari, nëse shkoni, mos humbisni Canal D’amour, i cili ofron pamje që të lënë pa frymë.

Vendi është plot bare, restorante dhe dyqane suveniresh dhe ka një jetë nate plot gjallëri.

Bregdeti verior, ku përveç Sidarit ndodhen edhe Roda e Achavari, janë zhvilluar në dekadat e fundit pas bumit turistik në ishull. Frekuentohen kryesisht nga turistë nga Europa veriore, të cilët në përgjithësi nuk kanë kërkesa të veçanta për cilësinë e detit dhe nuk duan të largohen shumë larg nga akomodimi i tyre. Gjithashtu janë zona të shkëputura të cilat nuk të japin lehtësi në aksesin për të vizituar asgjë tjetër në Korfuz.

E vetmja gjë interesante e kësaj zone për ne është se përballe ke gjithmonë Rivierën Shqiptare !

3. Plazhet e bregut perëndimor

Duhet thënë se plazhet më të mira e më të bukura, janë të vendosura në bregun lindor, megjithatë, nëse ka diçka që i bën turistët të kthejnë kokën nga perëndimi i ishullit, padyshim që është Paleokastritsa.

Paleokastritsa

Paleokastritsa është një vend pushimi fantastik për familjet dhe çiftet, i njohur për detin fantastik. Ajo ofron strehim të qetë, me pamje të këndshme.

Çmimet janë më të larta se mesatarja e ishullit, por nëse e doni detin dhe natyrën, Paleokastritsa është vendi i përsosur për të qëndruar, veçanërisht nëse keni ndërmend të bëni një pushim në këtë gji ku ndodhen gjashtë plazhe.

Për të shkuar në disa prej tyre duhet të merrni varkën dhe pasi të mbërrini atje nuk do të pendoheni aspak. Janë ndër më të bukurit në Korfuz.

Paleokastritsa është një fshat plot me dyqane, kafene dhe restorante.

Rekomandohet që të qëndroni në Paleokastritsa si në çift, apo dhe në familje, mbani në mend se është rreth 20 km nga kryeqyteti Kerkyra.

4.Pushime në plazhet e jugut

Kavos

Eshtë një tjetër qendër e jetës së natës në Korfuz, e frekuentuar nga të rinjtë britanikë. Mjedisi është shumë i gjallë dhe aspak i rrezikshëm.

Akomodimi në Kavos mund të paraqitet si një problem për ata që duan të vizitojnë atraksionet dhe plazhet fantastike të ishullit.

Në të vërtetë, Kavos ndodhet në pikën më jugore, një pozicion që nuk ju ndihmon shumë për të bërë udhëtime një ditore nëpër ishull.

Arsyeja e vetme për të zgjedhur Kavos ështe hotele të lira ose hotele të mira me çmime konkuruese për ata që duan të festojnë si të çmendur, me festa ditën në plazh dhe natën alkoolin që rrjedh si lumë!

© Ndalohet kopjimi ose riprodhimi i të gjithë materialeve, si tekst apo audio, ose fotove pa lejen e autorëve!

Për fotot ilustruese, ndonjëherë jemi të detyruar të përdorim fotografi nga interneti. Nëse kjo gjë prek interesin e personave të interesuar, na sinjalizoni dhe ne menjëherë do i heqim ato!

Share this:
Tags:

Add Comment

9 − 3 =

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.