Monday September 16 2019

PUSHIMET NE GREQI NISIN NGA KORFUZI

Korfuzi është ishulli grek më afër vendit tonë. Me të na ndan një distancë aq e shkurtër, sa mbrëmjeve nga brigjet e dy vendeve, shihen dritat respektive, të Sarandës dhe Korfuzit.

Për shkak të afërsisë me brigjet tona, por edhe standarteve të shkëlqyera që ofron, prania e shqiptarëve që shkojnë atje për pushime është në rritje.

Në Korfuz gjatë sezonit të verës mund të gjesh turistë nga e gjithë bota. Kryesojnë italianët të cilët e frekuentojnë shumë Korfuzin, për shkak të afërsisë me vendin e tyre dhe mundësisë për të shkuar atje lehtësisht me traget ose me fluturime direkte.

Korfuzi gjithashtu është një nga destinacionet më të njohura për udhëtimin pas maturës për të rinjtë britanikë. Por gjithnjë e më shumë po rritet edhe numri i turistëve shqiptarë që zgjedhin të bëjnë pushime në Korfuz.

1. Çfarë duhet të dini për Korfuzin

Me një sipërfaqe prej rreth 600 km², Korfuzi ka rreth 110 000 banorë dhe është mjaft i populluar. Shumica e tyre merren me bujqësi, blegori ose në sektorin e turizmit, i cili për disa dekada ka qenë një nga më të rëndësishmit për ekonominë e ishullit.

Grekët dhe të huajt e quajnë Kerkyra [Κέρκυρα], nga emri i lashtë latin Corcira, i cili gjithashtu u jep emrin zyrtar banorëve të saj, që quhen Corfiots.

I famshëm për jetën e natës intensive, Korfuzi është një nga ishujt më të populluar në Greqi. Megjithatë, përtej natës, Korfuzi ofron një përvojë të jashtëzakonshme udhëtimi.

Në më shumë se 200 km bregdet, ai ka dhjetëra plazhe me rërë ose me guralecë, disa prej të cilave janë ndër më të bukurit në Europë; fshatra të brendshëm ende të lidhur me traditën dhe folklorin; vende arkeologjike, muzeume, monumente, kisha dhe manastire, të cilët tregojnë historinë e tyre interesante.

2. Kerkyra

Qyteti i Korfuzit, ose Kerkyra është kryeqyteti i ishullit. Arkitektura veneciane e kombinuar me atmosferën që të kujton Napolin, e bën atë një nga qytetet më të bukura në Greqi.

Qendra e tij historike është një xhevahir i arkitekturës. Duke ecur nëpër rrugët e saj të ngushta ju do të zbuloni ndërtesa elegante, plot histori dhe pamje magjepsëse.

Qendra elegante e vjetër e qytetit përbëhet nga rrugë të mrekullueshme me kalldrëm, me dyqane të të gjitha llojeve, sheshe të bukura plot bare dhe restorante me tavolina përjashta.

3. Për cilët turistë e rekomandojmë Korfuzin?

Për të gjithë, pasi ishulli është i përshtatshëm për çdo lloj kategorie: grupe miqsh që kërkojnë argëtim; çifte dhe familje me fëmijë që kërkojnë qetësi; dashamirësit e detit dhe natyrës; të apasionuarit pas historisë, artit dhe arkeologjisë. Ishulli gjithashtu ofron hapësirë ​​për nudistët me një plazh gjysmë zyrtar dhe shumë plazhe të qeta, ku ata mund të kenë jetën private.

4. Informacione të nevojshme për Korfuzin

Monedha zyrtare e Greqisë është euro. Kartat e kreditit pranohen nga pothuajse të gjitha restorantet, hotelet dhe dyqanet. Tërheqja është e garantuar nga një numër i mirë i ATM-ve të pranishme në vendpushimet turistike dhe në fshatrat e ishullit.

Është e lehtë për të shkuar në ishullin e Korfuzit duke përdorur tragetin.
Për të lëvizur rreth Korfuzit, rekomandohet një makinë. Korfuzi nuk është një ishull i vogël: motorri është shumë i përshtatshëm për të lëvizur në distanca të vogla. Por nuk është i përshtatshëm për të mbuluar të gjitha distancat, nëse doni të zbuloni të gjitha qoshet e ishullit. Prandaj, më e udhës është të përdorni makinën tuaj. Në të kundërt mund të merrni me qera një makinë.

Çmimi për qeranë e një makine në Korfuz është rreth 35-40 euro kur makina është e vogël dhe rreth 15-20 euro për një motorr 50cc.
Çmimet përcaktohen nga kategoria dhe zhvendosja, ato ulen me rritjen e numrit të ditëve të qirasë.

Natyra e harlisur e ishullit që shpërthen në pranverë me lulëzimin e luleve, fshatrat plot me ullinj, pisha dhe qiparisa e bëjnë Korfuzin një ishull të gjelbër, aq të ndryshëm nga ishujt e tjerë që janë të famshëm, por që kanë reliev të ashpër.

Klima është dashamirëse, si në dimër, me ditë me shi, ashtu edhe në verë me ditë të këndshme me diell dhe temperatura që, megjithëse tejkalojnë 30 ° C, për shkak të nivelit të lagështirës së ajrit, japin përceptim për më freskët.

5. Si të shkoni në Korfuz?

Ka dy mënyra për të shkuar në Korfuz, njëra përmes linjës me traget Sarandë – Kerkyra, ndërsa tjetra përmes linjës së tragetit Igumenicë – Lefkimi.
(Ka edhe linjë Igumenicë – Kerkyra, por koha e udhëtimit është më e gjatë dhe bileta kushton më shtrenjtë!)

Lefkimi është njëri nga dy portet e Korfuzit (Kerkyra dhe Lefkimi), në jug të Korfuzit.

Ne nga Travelbar, sugjerojmë si më ekonomiken, linjën Igumenicë – Lefkimi, për shkak të çmimeve të leverdishme dhe numrit të madh të trageteve që bëjnë këtë linjë gjatë orareve të ndryshme të ditës. Kështu, nëse humbisni njërin traget, mund të merrni tjetrin.

Për të shkuar në Igumenicë mund t’i drejtoheni pikës kufitare të Qafëbotës. Nisuni herët, në orët e para të ditës së re, me qëllim që orët e para të mëngjesit t’ju gjejnë në Qafëbotë për të shmangur rradhën në pikën e kalimit kufitar si dhe për të kapur sa më shpejt orarin e nisjes së tragetit për në Lefkimi.

Biletën e tragetit e blini direkt në port. Porti i Igumenicës është relativisht i vogël dhe aty mund të orientoheni lehtësisht. Mjaft t’i drejtoheni bilaterisë ku çmimet dhe oraret janë të afishuara.

Kujdes! Me sistemin e kohëmatjes, grekët janë një orë para nesh. Prandaj me të mbërritur në kufi, rregulloni akrepat e orës dhe çdo planifikim të trageteve, duhet ta bëni nisur nga ora greke. Në të kundërt rrezikoni të humbni tragetin. Megjithëse, s’ka problem. Prisni tragetin e radhës pas një ore.

IGUMENICE – LEFKIMI

20 QERSHOR – 19 KORRIK
06’30 – 08’30 – 10’30 – 12’30 – 14’00 – 15’30 – 17’30 – 20’30

20 KORRIK – 2 SHTATOR
06’30 – 08’00 – 10’00 – 12’00 – 13’30 – 15’00 – 17’00 – 18’30 – 21’30

LEFKIMI – IGUMENICE

20 QERSHOR – 19 KORRIK
06’30 – 08’30 – 10’30 – 12’00 – 13’30 – 15’00 – 16’00 – 19’00

20 KORRIK – 2 SHTATOR
06’30 – 08’00 – 10’00 – 11’45 – 13’00 – 14’00 – 15’30 – 17’00 – 20’00

Lista e Çmimeve Vajtje – Ardhje

Pasagjer i rregullt                                7.00 €
Fëmijë (5-10 vjeç)                               3.50 €
Fëmijë ( deri në 4 vjeç)                       0.00 €
Makina                                                25.00 €
Motorrçikletë(<250 cc)                       5.00 €
Motorrçikletë (>250 cc)                      7.00 €

6. All inclusive apo vetëm akomodim?

Kjo është një pyetje që përgjigjen e merr nga nevojat e secilit për pushime, pra varet çfarë kërkoni. Ne si Travelbar ofrojmë shërbimin tonë në të dyja këto variante. Por në këtë artikull do të shtrojmë argumentat Pro e Kundër që ju ta vlerësoni vetë se çfarë dëshironi vërtet.

All Insclusive

Ju do të përfshiheni në një udhëtim të organizuar, ku nuk do të mendoni për asgjë. Mjafton t’i bashkoheni autobuzit të organizuar me këtë rast bashkë me turistë të tjerë dhe menjëherë do të mbërrini në destinacion, nga Tirana në hotelin tuaj, ku ju pret një akomodim korrekt, me ushqim të garantuar dhe pije në tre vaktet kryesore të ditës dhe ku keni gjithashtu akses në plazh ku keni të paguar çadrën dhe zhezlongun si dhe pishinën e hotelit.

Hotelet All Inclusive, në shumicën e tyre ofrojnë shërbime në bar, restorant, shesh lodrash për fëmijë, sporte të ndryshme të organizuara, etj, gjithmonë brenda të njëjtës pagesë dhe të njëjtit ambient. Ushqime të bollshme dhe higjenë maksimale.

Pro

Keni gjithçka të përfshirë në pagesën që keni bërë.

Do bëni pushime relaksi.

Nuk keni shpenzime shtesë për tragetin.

Do ndjeni se të tjerët po kujdesen për ju!

Kundër

Nuk keni mundësi të eksploroni ishullin.

Duhet të merrni makinë me qera nëse doni të lëvizni.

Nuk keni mundësi të provoni traditat greke, pasi resortet orientohen drejt një kuzhinës internacionale.

Do laheni gjithmonë në të njëjtin plazh.

Vetëm akomodim

Eshtë një nga mënyrat për t’u akomoduar në Korfuz, bazuar mbi llojin e pushimeve, buxhetin që keni dhe karakterit të secilit. Korfuzi ofron struktura akomoduese pa fund, që nga hotelet (vetëm akomodim), bed & breakfast ( fjetje & mëngjes), half board (fjetje, mëngjes dhe darkë), deri tek apartamentet dhe studiot, që janë shumë të përhapura në Greqi.

Studio është një shtrukturë akomoduese, që ofron fjetje dhe gatim brenda të njëjtit ambient.
Studiot kanë çmime të ndryshme, që përcaktohen nga vendi ku ndodhen, cilësia që ofrojnë, opsionet ekstra që kanë, etj.

Studiot janë një opsion shumë i kërkuar në Greqi, si një zgjidhje më ekonomike dhe që të ndihmon për të kursyer, pasi edhe mund të gatuash vetë.

Duhet sqaruar se aksesorët e gatimit janë minimalistë, të përshtatshme për vakte të thjeshta e jo të komplikuara, ashtu siç e kërkojnë edhe pushimet e një natyre dinamike dhe të bukur.

Zakonisht studiot ofrojnë edhe një verandë të vogël, ose ballkon duke e bërë edhe më të këndshëm qëndrimin.

Pro

Janë më ekonomike.

Mund të alternosh vaktet, brenda dhe jashtë në restorante.

Ke mundësi të lëvizësh nga njëri plazh në tjetrin dhe në darkë kthehesh sërish.

Mund ta parkosh makinën lehtë në plazhet ku do të shkosh, pasi ka vende free pa pagesë.

Mund të shfrytëzosh plazhet publike, pa pagesë, sepse në të gjitha plazhet e Korfuzit, raporti plazh privat/plazh publik, kalon në favor të plazheve publike. 

Je më alternativ në zgjedhjet e restoranteve apo plazheve.

Ke një kohë të palimituar për të bërë gjërat.

Ke mundësi të vizitosh vendet e interesit, pasi nuk je i lidhur totalisht pas strukturës akomoduese.

Kundër

Duhet ta bësh me makinë individualisht udhëtimin deri në Igumenicë.

Duhet të paguash siguracionin e makinës në kufi.

Duhet të paguash biletën e tragetit dhe të makinës.

Duhet shtuar shpenzimi i kraburantit për lëvizjet brenda ishullit.

Duhet t’i heqësh kohës së pushimit, kohën e gatimit.

© Ndalohet kopjimi ose riprodhimi i të gjithë materialeve, si tekst apo audio, ose fotove pa lejen e autorëve!

Për fotot ilustruese, ndonjëherë jemi të detyruar të përdorim fotografi nga interneti. Nëse kjo gjë prek interesin e personave të interesuar, na sinjalizoni dhe ne menjëherë do i heqim ato!

Share this:
Tags:

Add Comment

four × 1 =

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.