Thursday November 14 2019

NE MALTE, NDRYSHE NGA TE TJERET

Sipas pushimeve që keni në mendje, duhet të zgjidhni mirë edhe vendin se ku do të akomodoheni në Maltë.
Sa më të kujdesshëm të jeni në zgjedhje, aq më shumë do të përfitoni nga këto pushime, si nga ana ekonomike ashtu edhe nga kënaqësia.
Në Maltë gjen për të gjitha shijet, që nga akomodimet për grupe të rinjsh, e deri tek çiftet e familjet që kërkojnë qetësinë.
Në përgjithësi Malta ofron vende për të fjetur mjaft të leverdisshme, ndonëse edhe këtu si kudo tjetër, në verë çmimet kanë tendencën e rritjes.

Malta është e vogël, por ka densitet shumë të lartë popullsie.
Për t’u spostuar edhe pak kilometra duhet të përshkoni fshatra njëri pas tjetrit.
Ne do t’ju tregojmë zonat më të rëndësishme të Maltës, mundësitë që keni për t’u akomoduar atje dhe faktorët pro dhe kundër për secilën prej tyre.

Në dimër – kur aspekti historiko-kulturor është arsyeja kryesore e pushimeve, destinacionet më të mira janë Valletta, Sliema dhe St. Julian.

Të qëndruarit në Valletta kushton më shumë, por përveç përfitimit nga bukuria e qytetit, do të gjeni veten në vendin që ju lidh më së miri me të gjithë Maltën.

Sliema është shumë më e përshtatshme: është shumë afër Valletta-s, ka shumë shërbime dhe është edhe kjo e lidhur shumë mirë me pjesë të tjera të Maltës, edhe pse jo si Valletta. Nëse vini për një fundjavë, ose dëshironi të bëni pak nga çdo gjë, Sliema është në përgjithësi zgjidhja më e mirë. St Julian është kryeqyteti i natës së Maltës, është mirë nëse doni të festoni, por të flini diku tjetër.

Nëse vini në verë – për të kaluar çdo ditë në det, është më mirë të qëndroni diku tjetër: zona e gjirit të St. Pauls’Bay ofron më shumë lëvizje dhe çmime më të ulëta, duke e përgjysmuar kohën për të arritur në plazhe. Mellieha është shumë afër plazheve të mëdha, prej këtu mund të shkosh shumë lehtë në Gozo dhe Comino, por është larg nga çdo gjëje tjetër: vizitimi i pjesës tjetër të Maltës me transport publik merr shumë kohë në autobuz.

Marsaskala ka turizëm, por qyteti nuk jeton me turizëm, dallimi ndihet në llogarinë e restoranteve dhe të dyqaneve. Por është një vend shumë i mirë, nëse keni makinë, ose nëse nuk ju intereson të shkoni në St. Julian në mbrëmje.

Gozo ofron plazhet më të mira, ndonjëherë, përveç se në përgjithësi është më i lirë se Malta (i referohemi ishullit kryesor) është një vend i shkëlqyeshëm në verë, nëse doni qetësi, por nuk mund të lëvizni nga këtu.

1. Sliema - St. Julian

Një në tre hotele në Maltë ndodhet mes Sliemës dhe San Julian-it, me oferta të ndryshme të përshtatshme për çdo buxhet, duke nisur nga hostelet deri tek hotelet e luksit.

Të dy lokacionet janë praktikisht ngjitur me njëri- tjetrin, të dy janë shumë të pëlqyera nga turistët gjatë verës, por zona ku përqëndrohet jeta e natës është lagjia PacevilleSt. Julian.

Ja diferencat mes ketyre dy lokaliteteve:

Eshtë më e thjeshtë të lëvizni nga Sliema se sa nga St. Juliani.

Në Silema kalojnë shumë linja autobuzi dhe nga moli i Sliemës mund të merrni anijen për në Valletta, ose të bëni ekskursione në Gozo dhe Comino.

Sliema është më ekonomike se sa St. Julian, si në nivelin e hoteleve, ashtu edhe të restoranteve, por nëse kërkoni cilësi, atëherë zgjidhni St Julian.

Jeta e natës malteze zhvillohet në lagjen Paceville të St. Julian, ku ndodhen të gjitha discobaret.

Gjenden shumë apartamente me qera mes këtyre dy lokaliteteve, kështu që çmimi është i përballueshëm. Mund të themi se të bësh pazar në këtë pjesë kushton 1/3 më shumë se sa në lokalitetet e tjera malteze.

Kjo është zona më internacionale në Maltë.

Parkimi është mjaft i veshtirë në këto zona sidomos gjatë orarit zyrtar.

Të gjitha vendet e tjera që gjenden mes Sliema-s dhe Valletta-s (Gzira, Msida, Pieta, Ta-xbiex) janë të lidhura mjaft mirë, kështu që nuk ka problem për të lëvizur nga njëri vend në tjetrin.

PRO

Janë të lidhura me autobus.
Janë qendra të jetës së natës malteze.
Mund të bëni ekskursione me varkë nga Sliema.

KUNDER

Nëse kërkoni qetësi, evitoni St. Julian.
Eshtë e vështirë për parkim.
Kostoja e shpenzimeve është e lartë (restorantet dhe blerjet).
Nuk ka plazhe të vërteta përreth.

2. Valletta

Kryeqyteti maltez është një muze në qiell të hapur i cili dhuron pamje mahnitëse në pak metra, me një ofertë të pasur historike dhe kulturore.
Nuk është rastësi që e gjithë Valletta bën pjesë në trashëgiminë kulturore të UNESCO-s.

Një tjetër avantazh praktik është lëvizja me autobuz, drejt gjithë pjesëve të tjera të Maltës. Në mbrëmje qyteti ofron larmi baresh dhe restorantesh ku mund të argëtoheni.

Shumica e hoteleve ndodhen në brendësi të qendrës historike dhe janë të restauruara me shumë kujdes. Nese jeni në kërkim të diçkaje të veçantë atëherë Valletta është gjëja e duhur.

Në Maltë si kudo, pozicioni paguhet, dhe kryeqyteti nuk bën përjashtim kështu përgatituni për hotele të shtrenjta.

Në diferencë me lokalitetet e tjera është më pak sezonale, prandaj kosto mbetet gjithmonë e lartë.

PRO

Nuk ju ndodh çdo ditë të flini brenda një trashëgimie botërore të UNESCO-s.
Ka lidhje shumë të mira me autobus.
Aktivitete të shumta kulturore.
Nuk ka nevojë për makinë me qera.

KUNDER

Hotele janë më të shtrenjta se në zonat e tjera.
Duhet të rezervoni në kohë.
Akomodime të limituara për familje.
Asnjë plazh përreth.

3. Saint Paul's Bay

Zona e St Paul’s Bay, BUGIBBA, është zona më e rëndësishme, është zona e dytë turistike mbas Sliema-St Julian me një numër të madh apartamentesh e hotelesh në afërsi të detit.

Por fakti që janë afër detit nuk do të thotë që je pranë plazhit!!!

Nëse kërkoni plazh me rëre do t’ju duhet të shkoni diku tjetër, por në krahasim me Sliemën do të kurseni të paktën një orë në ditë për të shkuar në plazh.

Zona ofron të gjitha shërbimet për turistët (pak a shumë si në St. Julian)
Lidhjet urbane janë të mira, por jo në nivelin e Sliemës.

PRO

Afër plazheve me rërë, por jo shumë larg nga rruga.
Më lirë se në Sliema.
Shumë shërbime të dedikuara për familje.
Lidhje të mira urbane me pjesët e tjera të Maltës.
Mundësi për ekskursione me varkë për në Comino dhe Gozo.

KUNDER

Shumë e populluar gjatë verës.
Duhet të lëvizni për të shkuar në plazhet me rërë.
Restorantet janë pak më të shtrenjtë se në vendet e tjera.

4. Mellieha

Mellieha ndodhet në ishullin verior të Maltës, afër imbarkimit për Gozo dhe Comino.

Nëse synoni vetëm detin dhe nuk qëndroni në Gozo, atëhere ky është vendi më i mirë.

Eksplorimi i pjesës tjetër të Maltës, nisur nga Melliaha, zgjat shumë më tepër, sidomos nëse bëhet me autobus, prandaj rekomandohet të merrni makinë me qera.

Nëse po kërkoni një vend të qetë, Mellieha është për ju, por nëse kërkoni edhe jetë nate, atëherë shkoni diku tjetër. Në Mellieha ka hotele brenda dhe jashtë qytetit, ose në bregdet.

Në realitet hotelet nga të cilat mund të dilni në plazh me rërë janë të pakët.

PRO

Ka restorante të mira.
Shpenzime ekonomike.
E lehtë për të shkuar në Gozo dhe Comino.
Plazhet janë shumë afër.

KUNDER

E vështirë për të lëvizur pa makinë.
Eshtë më periferike me lidhjet urbane në krahasim me pjesët e tjera të Maltës.

4. Marsaskala

Marsaskala ndodhet në pikën lindore të Maltës.

Gjenden vetëm tre hotele, por ka apartamente të shumta që jepen me qera.
Në përgjithësi, në raport me vende të ndryshme që kemi marrë në konsideratë më lart, Marsaskala është më ekonomike, vendi është shumë i populluar, sidomos nga maltezët të cilët e pëlqejnë shumë.

Ata shkojnë shpesh aty për plazh, ose për të drekuar, pasi është më lehtë për të parkuar dhe ka më pak turistë.

Nëse jeni duke kërkuar qetësi, detin afër, dhe restorante të mira, atëherë

Marsaskala është për ju. Nëse, përkundrazi, doni të qëndroni tre ditë dhe të shihni Maltën atëherë shkoni diku tjetër.

PRO

Shumë e qetë, ka pak turistë.
Shpenzime ekonomike.
Ka detin afër me akomodimin, cilido qoftë.

KUNDER

Ka pak vende akomodimi.
Lidhje e kufizuar urbane.
Duhet një makinë me qera për të lëvizur në vende të tjera.

4. Zona të tjera

Pothuajse të gjitha hotelet e ishullit të Maltës janë të vendosura në një nga vendet e përshkruara më lart.

Pra, nëse keni gjetur një vend për të fjetur, patjetër që ku vend do të ndodhet në një nga zonat e përmendura më lart, prandaj mbetet për t’u sqaruar vetëm transporti.

Nëse merrni me qera një veturë, atëherë ju jeni i pavarur, por do të keni probleme me parkimin, në disa vende gati është e pamundur!!

Me trafikun e vështirë, maltezët ndeshen çdo ditë.

Nëse planifikoni të përdorni transportin publik, atëherë kontrolloni sa linja kalojnë pranë vendndodhjes suaj. Ka gjithmonë të paktën një autobus për Valletta, kudo që të ndodheni, por nganjëhere ka me të vërtetë vetëm një.

Gozo

Në terma të përgjithshëm Gozo është më i qetë për t’u akomoduar dhe më karakteristik sesa ishulli mëmë i Maltës.

Plazhet më të mira janë në Gozo, i cili është i arritshëm në çdo cep edhe në këmbë. Nuk ka dallime thelbësore mes fshatrave të ndryshëm, megjithatë ndër më të njohurit janë Marsalform dhe Xlendi me restorante të ndryshme peshku përgjatë bregut.

Në përgjithësi çmimet e akomodimit në Gozo janë më ekonomike se në Maltë.
Gozo në sezon ka pak vende akomodimi, por në shtator, madje edhe në tetor, atje vera vazhdon dhe mundësitë e akomodimit janë më të mëdha dhe më të lira.

© Ndalohet kopjimi ose riprodhimi i të gjithë materialeve, si tekst apo audio, ose fotove pa lejen e autorëve!

Për fotot ilustruese, ndonjëherë jemi të detyruar të përdorim fotografi nga interneti. Nëse kjo gjë prek interesin e personave të interesuar, na sinjalizoni dhe ne menjëherë do i heqim ato!

Share this:
Tags:

Add Comment

16 − seven =

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.