Thursday August 22 2019

10 GJERA QE DUHET T’I HANI PATJETER NE ANTALYA

Çfarë të hani në Antalya? Resorti që ju keni zgjedhur ofron gjithçka, pa limit dhe çdo gjë me shije.

Por duke pasur parasysh se bufetë e hapura janë të mbushura plot e përplot dhe ju nuk do të keni kohë dhe mundësi t’i provoni të gjitha; duke patur parasysh edhe që për shkak të numrit të madh të turistëve gjermanë dhe rusë që frekuentojnë këto resorte, menaxherët e tyre kanë futur edhe shumë receta nga vendet përkatëse, ne propozojmë që ju të përqëndroheni tek kuzhina turke.

Pasi është një mundësi e mirë për të provuar çfarë ka më të mirë nga Turqia.

Në propozimet tona, ju do të shihni se të gjitha janë receta që ne i njohim shumë mirë për shkak të huazimeve kulinare nga kuzhina otomane dhe ndikimit të saj në vendit tonë.
Por mos harroni një gjë: është krejt si nata me ditë po t’i provosh në vendin nga kanë lindur recetat dhe ku gatimi është pasion dhe njëkohësisht respekt për ushqimin. Prandaj mos lini pa provuar këto që ne po propozojmë:

1. Shish kebap

Nëse mendoni se kjo pjatë tipike e Turqisë i ngjan shishqebapëve klasikë “të importuar” edhe në Shqipëri, jeni gabim. Shish kebab – një nga ushqimet më të kërkuara në qytetin turk, një version “më i lehtë” dhe më i shijshëm.

Turqit përdorin për këtë recetë rreptësisht mish qengji, të shoqëruar me qepë të kuqe, spec të kuq të cilin e marinojnë me lëng linoni. Më pas e kalojnë në shkop dhe e pjekin në zgarë. Një delikatesë e vërtetë.

Në resorte i gjeni të sapo bërë në zgarë, gati për t’i ngrënë, e nëse jeni më tejkanjoz, rrini pak minuta në rradhë dhe prisni që mjeshti i zgarës t’i pjekë ato në çast!

2. Gözleme

Antalya është një destinacion popullor për ushqimet e shijshme. Përveç shishqebapit klasik (shishkebap), një nga gjërat më të mira, që nuk duhet humbur, është gözleme. Bëhet fjalë për një lloj byreçke, të mbushur bujarisht me spinaq, djathë, patate, mish të grirë dhe erëza.

Nëse jeni jashtë resorteve, mund ta blini si street food, por nëse keni fat e jeni në resort si pushues, gjatë paradites, apo pasditeve, mund ta konsumoni si snack në ambientet e caktuara.

Mos u habisni fare kur të shihni gra që në sofra të vogla, ulur këmbëkryq, hapin petët në mënyrë spektakolare para pushuesve, që bëjnë parosinë me shijet që duan, ndërsa presin që porosia e tyre të piqet në saç. Mund ta shoqëroni me kos, dhallë, apo birrë! Kjo është në dëshirën tuaj!

Në jo pak raste, turistet femra, sidomos nga vendet nordike ku mungon tradita e hapjes së petëve me petës (okllai), kërkojnë ta provojnë vetë hapjen e petëve. Amvisat turke janë kurdoherë të gatshme për të ndarë eksperiencën e tyre.

Me këtë rast, femrat shqiptare, mund të tregojnë publikisht aftësitë e tyre duke korrur edhe duartrokitje!

3. Mëngjesi tipik

Në Antalya, dita nuk mund të fillojë pa ngrënë një mëngjes të konsiderueshëm. Nuk ka një ushqim tipik për vaktin më të rëndësishëm të ditës, sepse mëngjesi turk – dhe Antalya në veçanti – është në vetvete një tryezë e bollshme ku do të gjeni miksime të ndryshme: Pra, do të gjeni në dispozicion një tabaka të mbushur me reçel, kos, djathë, mjaltë, vezë, gjalpë, perime, ullinj, proshutë, petulla, bukë të ndryshme, kek, biskota, drithëra, etj, etj, të gjitha të shoqëruara nga një çaj të shijshëm, lëng i freskët portokalli dhe pa dyshim, kafe.

4. Bakllava

Një nga ëmbëlsirat tipike turke, jo vetëm shqiptare. të gjithë e dimë se si është dhe çfarë përmban. Por duhet ta provoni patjetër në Antalya për të kuptuar se çfarë i mungon bakllavasë sonë: mjalti dhe frutat e thata (bajame, stika). Një domosdoshmëri e kuzhinës turke.

5. Paşa çorbası( Supa e Pashait)

Supa e Pashait, sa mund të jetë e pakuptueshme si recetë për turistët e tjerë, aq e afërt na duket ne. Me përbërësit e saj kuzhina shqiptare është familjare, pasi gatuhet me mishin e deles (pjesë nga koka, truri dhe madje edhe këmbët), të gatuara në supë. Ngjan si një lloj paçeje, vërtet e shijshme. Nuk duhet humbur!

6. Krahët e pjekura të pulës

Antalya është e njohur për recetat e saj të mishit, njëra prej të cilave është aq e thjeshtë sa është edhe e shijshme: një pjatë me krahë të pjekur pule, shoqëruar me lloje të ndryshme salcash dhe sallatrash.

Sekreti i shijes së mirë të kësaj pjate varet nga marinimi. Çdo shef i respektuar turk ka recetë e tij, një armë e fshehtë për t’i bërë këto krahë të vogël të shijshme për mysafirët.

7. Pide

“Pide”, i thonë turqit, “pite” shqiptarët. Por nuk bëhet fjalë për ndonjë gatim me petë, siç mund ta merrnim me mendje.

Është ekuivalente e pices, edhe pse ndryshon nga ajo për shumë arsye. Pida turke është një ushqimet më të konsumuara në Antalya. Eshtë e përgatitur me brumin e ardhur me maja birre, që mbushet me përbërës të ndryshëm, që u jepet forma e varkës dhe piqet në furrë.

Mbushja bëhet që nga perimet e djathi, për të kaluar në versionin më të “fortë”, në të cilin pida është “përmbytur” me speca dhe mish viçi.

8. Meze

Nuk ka nevojë për shumë hyrje nëse përmendim fjalën “meze”. Të gjithë e dinë se nuk po flasim për një pjatë të vërtetë, por një meze mbushur me të gjitha llojet e ushqimeve delikate.

Mund ta konsiderojmë mezen si një lloj aperitivi, të përbërë nga salca me erëza (të tilla si acılı ezme) ose jogurt (la haydari) që shoqërojnë japrakët (dolma dhe sarma) si dhe shumë lloje të tjera. Sapo t’i shijoni, do ta kuptoni se sa shumë gjëra të gatuara shijshëm, mund të përmblidhen në konceptin “meze”.

9. Dondurma

Ose akullore. Por nuk është akullorja e zakonshme, por një produkt i ëmbël, bazuar tek qumështi, sheqeri dhe salepi (miell i marrë nga orkidea). Konsistenca është elastike dhe ajo shkrihet shumë më ngadalë se kremrat e zakonshme, pa ndikuar në shijen dhe kremshmërinë e saj.

10. Börek (Byrek)

Nuk është se ju mori shumë malli për byrekun, pasi nuk mungon kurrë në tryezat tona. Por duhet ta provoni patjetër në Antalya. I mbushur me djathë, mish të grirë, spinaq, etj, ka një shije vërtet fantastike, të cilën duhet ta provoni patjetër

© Ndalohet kopjimi ose riprodhimi i të gjithë materialeve, si tekst apo audio, ose fotove pa lejen e autorëve!

Për fotot ilustruese, ndonjëherë jemi të detyruar të përdorim fotografi nga interneti. Nëse kjo gjë prek interesin e personave të interesuar, na sinjalizoni dhe ne menjëherë do i heqim ato!

Share this:
Tags:

Add Comment

fourteen + 10 =

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.