Monday September 16 2019

10 GJERA QE DUHEN PARE PATJETER NE DUBROVNIK

Mes kodrave dhe detit, përgjatë një bregdeti shkëmbor dhe mjaft identifikues, shtrihet Dubrovniku, i njohur edhe si “Perla e Adriatikut”. Në lindje ndodhet qyteti i vjetër spektakolar. Në perëndim, gadishulli Lapad, vendi ku gjendet shumica e hoteleve pranë plazheve me guralecë të vegjël.

I bukur, i veçantë, romantik. Një kombinim i faktorëve më unike dhe të rrallë të peizazhit, një sukses i turizmit që mbështetet tek ndikimi i stilit venecian, gotik, barok, muret e lashta, deti kristalor dhe, së fundi, ishulli Lokrum dhe Mali Srd.

Nëse e shtrijmë diskutimin tek historia, luftërat dhe shkatërrimet që kanë ndodhur gjatë shekujve, ne mund të ndiejmë vetëm admirim për një popull që ka mundur gjithmonë të ngrihet dhe të ndërtojë një qytet edhe më të bukur se ai që ishte më parë.

Për herë të fundit, pas shpërbërjes së ish- Jugosllavisë, në 1990 bombat e artilerisë serbe nuk e kursyen qytetin, i cili diti të ringjallej, ashtu siç ka bërë gjatë shekujve.

Më poshtë po japim sugjerimet tona për një vizitë në “Perlën e Adriatikut”, duke u kujdesur që vizita juaj të jetë përfituese, e këndshme dhe çlodhëse. Në këtë guidë ne kemi përfshirë vetëm atraksionet monumentale dhe panoramike, janë 10 gjërat që duhet t’i shihni patjetër në Dubrovnikun e vjetër.

1. Bëni një shëtitje përgjatë mureve

Dy kilometra gjatësi, gjashtëmbëdhjetë kulla, katër fortesa dhe një pamje që të lë pa frymë. Një vizitë në Dubrovnik fillon pothuajse gjithmonë, nga një shëtitje në muret e tij të lashta. Një mur që mbron tërë qendrën historike.

Hyrja bëhet nga Porta Pile, një nga dy hyrjet për në në qytetin e vjetër, porta tjetër është Porta Ploce. Të dyja të çojnë në qendrën historike të qytetit.

Një shëtitje për t’u ngjitur në majë të mureve të vjetra të Dubrovnikut është pika kulmore e një vizite. Këto mure fortifikuese shumë tërheqës, ngrihen aty, një pjesë e tyre që nga shekulli i 10-të, të tjerët që nga shekulli i 13-të. Shkojnë deri në 25 metra lartësi dhe kanë shërbyer për të mbrojtur qytetin nga luftërat.

Një shëtitje përgjatë gjithë mureve, zgjat për rreth 90 minuta të mira, por ka disa kalime të ngushta që mund t’i përdorni për ta bërë më shpejt. Ka harta orientuese që ju ndihmojnë për të gjetur daljen.

  • Orari:  nga ora 08.00 deri në orën 19.00 (verë)/nga ora 10.00 deri në 15.00 (dimër – nëntor deri në shkurt)
  • Çmimi: Bileta për të rriturit 12, për fëmijët 4 €
    Mund të përdorni edhe Dubrovnik Card, një kartë e parapaguar që ju lejon të hyni në monumentet kryesore të sitit.

2. Stradun, qendra e qytetit të vjetër

Qyteti i vjetër është qendra kryesore për turistët. Kjo sipërfaqe e vogël shëtitet vetëm në këmbë. Stradun-i spektakolar është padyshim një nga rrugët më piktoreske të këmbësorëve në Europë dhe ka bare dhe restorante të shumta, ku turistët dhe vendasit takohen për të shijuar një mbrëmje me miqtë dhe për të pushuar për disa minuta pas një dite rreth Dubrovnikut.

Sheshi është 300 metra i gjatë dhe është e njohur për dyshemenë e bardhë. Stradun përbën zemrën pulsuese të Dubrovnikut dhe është shpallur pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Lokalet, shëtitoret, sheshet, monumentet dhe shatërvanet (më i rëndësishmi shatërvani i Onofrit, i ndërtuar në vitin 1438, u krijua si pjesë e një ujësjellësi me qëllim të garantimit të furnizimit me ujë të qytetit).

  • Orari: qendra është gjithmonë e aksesueshme
  • Çmimi: falas

3. Sheshi Loggia

Sheshi Loggia në Dubrovnik ka qenë prej kohësh një pikë e grumbullimit për qytetarët dhe vizitorët. Karakterizuar nga disa prej ndërtesave më të famshme të Dubrovnikut dhe monumenteve publike, ky shesh është i vendosur në pjesën verilindore të qendrës historike.

Bie në sy kolona Orlando, e ndërtuar dhe projektuar nga skulptori Antonio Ragusino, si dhe Loggia e famshme e këmbanave që datojnë në 1480 dhe përdoreshin si një sistem paralajmërues nga banorët në kohë trazirash.

  • Çmimi: falas

4. Kisha Shën Biagio

Kisha e Shën Biagio, e cila nderon shenjtorin mbrojtës të Dubrovnikut, është një ndërtesë e stilit barok, ngjitur me Pallatin e Rektorit, në qendrën historike të Dubrovnikut.

Së bashku me Katedralen dhe Pallatin e Rektorit, kisha e Shen Biagio, shenjt mbrojtës, është një nga monumentet më të rëndësishme të Dubrovnikut, një dëshmi e çmuar e periudhës së artë që qyteti jetonte midis shekujve 15 dhe 16.

Kjo është një nga atraksionet më të vjetra dhe më të rëndësishme të qytetit, që vizitohet nga besimtarë dhe turistë të thjeshtë. Kisha, e ndërtuar në shekullin e 7-të, nuk është një vend i thjeshtë lutjesh: brenda, në të vërtetë, mbahen reliket e çmuara të Shën Biagio-shenjtorit mbrojtës të qytetit dhe të fragmentit të Kryqit të Shenjtë, autenticiteti i së cilës është, megjithatë, i dyshimtë.

  • Si të shkoni: Në qendrën e vjetër, pak minuta në këmbë nga sheshi Stradun
  • Orari: e hënë – e premte, nga ora 09:00 – 16.00
  • Çmimi: falas

5. Manastiri Françeskan

Manastiri françeskan është vendosur në këmbët e kështjellës Minceta, kështjellës më mbresëlënëse në qytet. Manastiri përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të arkitekturës së shekullit të 14 të Raguzës.

Këtu ju mund të shikoni dorëshkrime të vjetra dhe vendin ku murgjërit kanë jetuar. Eshtë një oborr i brendshëm në të cilin ndodhet një nga farmacitë më të vjetra në botë që ende funksionon. Ilaçet u shnpërndahen banorëve vendas me enë, vazo dhe mbajtëse lëngjesh të shekujve të shkuar.

Biblioteka e manastirit përmban gjurmë të shumta të veprimtarisë së kohës: dokumente, kode, doracakë dhe dorëshkrime që japin një pamje të rëndësishëm të kulturës dalmate në shekujt 14 dhe 15.

  • Orari: çdo ditë nga ora 09.00 – 18.00 
  • Çmimi: Gratis

6.Manastiri Domenikan

Ka shumë oborre të brendshme në Manastirin Domenikan, sapo del nga porti i vjetër, pranë hyrjes lindore. Oborri i mbushur me palma tani është shndërruar në një zonë muzeale.

Manastiri Domenikan i përket shekullit të 14-të dhe aty ruhen vepra të shquara të artit, duke përfshirë pjesë nga Tiziani dhe mjeshtrat vendës. Kryqi i artë mbi altarin kryesor është punuar nga Paolo Veneziano, që konsiderohet artisti më i rëndësishëm venecian i shekullit të 14-të.

  • Orari: çdo ditë nga ora 09.00-18.00
  • Çmimi: bileta 20 kuna/2.7€

7. Knezev Dvor - Pallati i Rektorit të Raguzës

I njohur si Knezev Dvor, Pallati i Rektorit është një ndërtesë e bukur gotike dhe e Rilindjes në buzë të qytetit të vjetër.
Për një pasqyrë të epokës së artë të Dubrovnikut të shekullit të 15-të dhe 16-të, ndaloni aty.

Kjo ka shërbyer si selia e Republikës së Raguzës, si rezidencë, zyrë shtetërore, burg, etj. Sot mund të ecësh përmes llozhës së saj elegante e të ngjitësh shkallat për të vizituar muzeun e qytetit në ish dhomën e shtetërore.

  • Orari: çdo ditë nga ora 09.00-18.00 
  • Çmimi: bileta 35 kuna/4.7 €

8. Tvrda Sv. Ivana - Kështjella Shën Xhovani

Kështjella Shën Xhovani (Tvrda Sv. Ivana) ndodhet në jug të mureve të qytetit, në anën e kundërt të kështjellës së Ravellinit që gjendet në anën veriore. Me pamje nga deti, për të mbrojtur portin e vjetër, aty aktualisht ndodhet Akuariumi i Dubrovnikut dhe Muzeu Detar. Në të parin ndodhen speciet detare kryesore që banojnë në Adriatik dhe Mesdhe, ndërsa në të dytin gjenden gjetjet më të rëndësishme dhe dëshmitë e marinës së qytetit.

Akuariumi është i vogël, por megjithatë është padyshim një alternativë praktike sidomos për familjet me fëmijët. Nëse kushtet e motit nuk lejojnë mundësi të tjera, një vizitë në Akuariumin e Dubrovnikut padyshim ia vlen.

9. Teleferiku

Inaguruar në vitin 2010, teleferiku në vetëm 4 minuta lidh Dubrovnikun e vjetër me malin Sergio, rreth 400 metra mbi nivelin e detit. Kapaciteti maksimal është rreth 30 njerëz dhe bileta kushton rreth 17 € për person. Kini kujdes të mos harroni kamerën.

Pamja, me fokus nga qyteti dhe ishulli i Lokrumit, është befasuese. Dhe nuk ka mbaruar, sepse në majë ka një restorant, një bar dhe një muze kushtuar luftës së pavarësisë që luftuan në fillim të viteve 1990. Mos e humbisni!

  • Çmimi: Bileta 17 €

10. Ishulli Lokrum

I bukur, i paprekur dhe vetëm 700 metra nga Dubrovniku. Lokrum, ose Lacroma (nga “acrumen” në latinisht, duke iu referuar pemëve të agrumeve që ndodhen aty), është një domosdoshmëri për turistët që vizitojnë qytetin.

Tragetet lundrojnë mesatarisht çdo 15 minuta nga porti i Dubrovnikut dhe territori nuk paraqet ndonjë pengesë. Për t’u vizituar patjetër, Manastiri Benediktas i shekullit të dymbëdhjetë (në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar u shndërrua në një park botanik) dhe liqeni i njelmët, i quajtur “Deti i Vdekur”, në anën jugore të ishullit. Pavarësisht nga emri, është një vend i bukur me vlerë që absolutisht duhet vizituar.

  • Si të shkoni: Trageti nga porti i Dubrovnik
  • Orari: çdo 15 minuta 
  • Çmimi: bileta 4,00 €

© Ndalohet kopjimi ose riprodhimi i të gjithë materialeve, si tekst apo audio, ose fotove pa lejen e autorëve!

Për fotot ilustruese, ndonjëherë jemi të detyruar të përdorim fotografi nga interneti. Nëse kjo gjë prek interesin e personave të interesuar, na sinjalizoni dhe ne menjëherë do i heqim ato!

Share this:
Tags:

Add Comment

five + 15 =

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.