Monday September 16 2019

GULASHI, PASAPORTA E KUZHINES HUNGAREZE

Gulashi (gulyàs) është një pjatë që ka lindur nga kuzhina e lashtë hungareze. Ajo përgatitej nga barinjtë gjatë ndalesave të tyre, ndërsa çonin bagëtitë drejt tregjeve të Vjenës, Venecias dhe Nurembergut. Ishte një pjatë e shkëlqyer për të përballuar të ftohtin e gatuar përjashta në qiell të hapur, në enët e bakrit poshtë zjarrit.

Nëse shkon në Hungari, e kupton se nami i kësaj recete nuk ka dalë kot. Hungarezët i duan gatimet me mish dhe sigurisht më i pëlqyeri është gulashi. Në Hungari, receta ka dy variacione, Porkolt ku lëngu është i trashë (e ngjashme shumë me mishin jahni) dhe Gulash, më e lëngshme dhe e bollshme.

Gulashi është një recetë e njohur në të gjithë Europën, pavarësisht se ka pësuar edhe ndryshime.
Për të arritur në rezultat sa më të mirë të recetës, bëni kujdes të siguroni një tigan të thellë që nuk ngjit. Kjo është e rëndësishme pasi për një kohë të gjatë mishi do gatuhet pa i shtuar lëngje. Ndërkohë shijen e veçantë recetës ia shton speci i kuq që i shtohet me shumicë dhe ndryshe nga ç’mund të mendohet, në Hungari nuk është shumë pikant.

 

 

GULASH HUNGAREZ

Kohëzgjatja: 1 orë e 45 minuta
Përbërësit: për 6 persona

 

1 litër lëng mishi
500 gram patate
1 thelb hudhër
1 karrotë
2-3 kokrra qepë
50 gram gjalp (dhjam në recetën origjinale)
1 lugë e vogël pluhur me kumino
2 lugë të vogla pluhur me spec të kuq
800 gram tul viçi
2 speca jeshil ose të kuq
1 domate e kuqe

PERGATITJA

1. I pritni qepët në feta për së gjati, i hidhni në një tigan të thellë bashkë me gjalpin dhe i kavërdisni aty për rreth 20 minuta, duke u sguruar që të mos digjen. Shtoni hudhrat e prera në copa të vogla, karrotat e prera të kube dhe kuminon.
2. Pasi të pritni në copa të vogla edhe mishin, i shtoni në tigan, duke i përzier vazhdimisht, me kujdes që qepër të mos digjen dhe mishi të lëshojë lëngjet.
3. Shtoni kripën, specin e kuq dhe e mbyllni me kapak, në zjarr të dobët, për të paktën një orë. Nëse ka nevojë për lëngje, se ka rrezik të digjet, i shtoni nga një lugë gjelle nga lëngu i mishit që keni gati. Ky proces zgjat rreth 1 orë.
4. Pastroni patatet dhe i ndani në copa, domatet dhe specat i pastroni nga farat dhe i pritni në copa, pastaj të gjitha i shtoni në tiganin e thellë ku po gatuhet mishi, duke shtuar edhe lëngun e mishit. E mbani në zjarr të dobët të mbuluar me kapak për rreth 45 minuta.
5. Shtoni kripë nëse është e nevojshme dhe e shërbeni shumë të nxehtë, duke u siguruar se ka lëng të bollshëm, se është e trashë dhe kremoze.

Share this:
Tags:

Add Comment

5 × 1 =

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.