Monday September 16 2019

10 GJERA PER T’U PARE PATJETER NE BUDAPEST

Nuk është rastësi që Budapesti quhet edhe si “Parisi i Lindjes”. Qyteti ka mjaft të përbashkëta me kryeqytetin francez dhe disa shenja të çojnë menjëherë tek Parisi: ka një lumë, që pret në mes qytetin e mbi të cilin ngrihen kështjella dhe pallate, ka kodër, të ngjashme me Montmartre mbi të cilën mund të ngjiteni, për të parë bukuritë e Budapestit. Por ngjashmëritë këtu mbarojnë.

Për fat Budapesti ka identitetin e tij e ndoshta shumë më tepër se kaq. Nuk është rastësi që është krijuar si rezultat i tre qyteteve: Buda, Pest dhe Óbuda, të bashkuara nga Széchenyi lánchíd (Ura e Zinxhirëve) dhe nga shtatë ura të tjera, akoma edhe sot, ndër vendet më të fotografuar të Budapestit.

Tre ditë mund të mjaftojnë për të zbuluar kryeqytetin hungarez: nga Budapesti romak, tek ai mesjetar me kështjella, duke kaluar një ditë mbi Danub dhe një udhëtim të bukur në kohë nëpër stacionet e metrosë, akoma të ruajtur si para 130 viteve.

Ja cilat janë gjërat që duhet t’i shihni patjetër në Budapest, gjatë një weekend-i, apo gjatë një pushimi të shkurtër.

Lexo edhe: HISTORIA E KEPUCEVE NE BREG TE DANUBIT

1. Lagjia Buda

Lagjia Buda ishte bërthama e parë e qytetit të Budapestit. Në këtë kodër dhe mes mureve të Kështjellës, banorët e Pest erdhën për të gjetur strehim, kur sulmet e mongolëve u bënë të papërballueshme.

U lind një qytet i bukur, i aftë për të konkurruar Pragën dhe Vjenën aty pranë. Por më vonë erdhën turqit që pushtuan Budën në 1541 dhe qëndruan atje për gati 150 vjet. Buda u transformua: kishat u bënë xhami dhe kudo u ngritën minare dhe banjo turke.

Në vitin 1686, pas 75 ditëve me bombardime, austriakët e çliruan Budën, por asgjë nuk mbeti nga shkëlqimi i mëparshëm: ajo u rindërtua duke ruajtur pamjen e vjetër.

Edhe një herë e shkatërruan në vitin 1945 dhe përsëri është rindërtuar. Sot është shtëpia e Pallatit Mbretëror, Mátyás-templom (Kisha e Matias) dhe disa atraksione të tjera. Përfundimisht, kjo lagje është një nga 10 vendet e Budapestit që nuk duhet ta humbisni kurrsesi.

  • Si të shkoni: Autobuz 16A e 116 d nga Sheshi Moszkva
  • Orari: në çdo kohë
  • Çmimi: pa pagesë

2. Lagjia Pest

Nëse Buda është pjesa e lashtë dhe fisnike e Budapestit, Pest-i është zemra e tij moderne dhe inovatore. Një lagje e qetë dhe e çrregullt, e mbledhur rreth Kështjellës.

Pest nuk ka muzeume të mëdhenj, këtu më shumë spikat Budapesti krijues, me dyqanet e stilistëve dhe artistëve të rinj. Por nuk mungojnë gjërat për t’u parë: Pallati i Parlamentit dhe Katedralja Shen Stafanit, Sinagoga e Madhe dhe Muzeu Etnografik.

Eshtë gjithashtu pjesa ideale e Budapestit për të bërë shopping: përgjatë Viale Andrássy mund të bësh shpenzime pa fund. Po këtu gjendet edhe Shtëpia e Terrorit, që përdorej, si nga nazistët, ashtu edhe nga komunistët, si vend torturash.

  • Si të shkoni: Shkohet në këmbë në qendër të lagjes Pest, përgjatë Danubit, në Metro Linja e kuqe, ndalesa Kossuth Lajos tér. Tram linja 2. Autobus 15 e Trolleys 70 e 78
  • Orari: në çdo kokë
  • Çmimi: pa pagesë

3. Muzeu i Arteve të Bukura

Mos prisni të gjeni një koleksion të tillë të veprave të artit në një vend lindor. Megjithatë, Muzeu i Arteve të Bukura në Budapest nuk ka pse t’ia ketë zili muzeumeve të mëdha të botës, si Prado në Madrid dhe Louvre në Paris.

Muzeu është i ndarë në gjashtë seksione kryesore: antikitetet greko-romake, koleksioni egjiptian, skulpturat, stampa dhe vizatime, galeria e mjeshtrave të lashtë dhe ajo e mjeshtrave bashkëkohorë.

Këto dy seksionet e fundit ruajnë vepra me pasuri të jashtëzakonshme: Giotto, Tiepolo, Raphael, Titian, Velazquez, Ribera, El Greco, Murillo, Goya, Pieter Bruegel Plaku, Rubens, Van Dyck, Rembrandt, Albrecht Dürer, Lucas Cranach. Në koleksionet e shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe të njëzetë ka vepra nga të gjithë impresionistët më të mëdhenj francezë, Renoir, Monet, Manet, Delacroix, Gauguin, Cezanne, Picasso dhe të tjerë.

  • Si të shkoni: Sheshi i Heronjve, Metro M1 ndalesa Hősök tere
  • Orari: nga e marta në të dielë, nga ora 10:00 në ora 17:30
  • Çmimi: 1200 Fiorini, rreth 4. 00€

4. Parku i Statujave - Memento Park

Banorët e Budapestit janë treguar të zgjuar: ndërsa të gjitha vendet e Lindjes kanë përfituar nga fundi i komunizmit për të hedhur poshtë statujat, duke çliruar dekadat e mungesës së lirisë në mermer, ata kanë bërë më të mirën e mundshme.

I kanë transformuar këto diktatorë në një mjet të shkëlqyeshëm për shfrytëzimin e kujtesës, sado të shëmtuar. I kanë vendosur të gjitha statujat që përfaqësonin figurat e mëdha të komunizmit (Marx, Lenini, Stalini, Bela Kun) së bashku me ushtarët anonimë çlirues të ish Bashkimit Sovjetik dhe kanë krijuar një Park Monumental të komunizmit.

Nëse nuk ju mjafton fakti që po shihni fytyrat e diktatorëve në monumente, por doni të merrni në shtëpi një pjesë të vogël historie, gjithashtu mund të blini suvenire nga vitet e Luftës së Ftohtë (spaleta, kopsa, këmisha, cigare të kohës). Nëse jeni të interesuar, ekziston edhe një ekspozim ku mësoni se si stërvitej një spiun komunist.

  • Si të shkoni: Jashtë qendrës së banuar të Budapestit ka një autobuz që bën linjën direkte për në Memento Park që niset çdo ditë, në ora 11.00 nga Deák tér
  • Orari: hapur çdo ditë, nga ora 10:00 – 20:00
  • Çmimi: 1500 Fiorini, rreth 5. 00 €

5. Banjot termale të Budapestit

Dihet se romakët kishin një preferencë të veçantë për banjot: jo vetëm që ata nuk e humbën rastin për një banjë të nxehtë në burimet termale të Budapestit, por ata bënë më shumë.

Ata krijuan “Aqiuncum” me banjot madhështore, gjurmët e të cilave mund të shihen edhe sot në vende të ndryshme në Óbuda. Që atëherë, Budapest ka qenë gjithmonë një qytet spa dhe nuk e ka humbur këtë karakteristikë edhe kur është kthyer në metropol: sot është kryeqyteti i vetëm europian me banjot termale dhe në vitin 1934 fitoi titullin e “qytetit termal”.

Ju mund ta shijoni këtë traditë të gjatë dhe, mbi të gjitha, 70 milion litra me ujë në ditë, në një temperaturë 21-78 ° C, në banjot e mëdha dhe të vogla termale.

Lexo edhe: BUDAPEST, SHEN VALENTIN INTIM NE BANOT TERMALE

  • Si të shkoni: Banjot temale të Széchenyi, H-1146 Budapest, XIV. kerület Állatkerti körút 9-11, filobus 72, metro linja 1, ndalesa Szechenyi Furdo
  • Orari: hapur çdo ditë, nga ora 06:00 deri më 22:00
  • Çmimi: hyrje e përditshme me abonim 5000 Fiorini rreth 16. 00€

6. Ndërtesa e Parlamentit

Parlamenti i Budapestit është një nga simbolet e qytetit, ndoshta më i njohuri dhe i fotografuari. Ajo u ndërtua midis 1885 dhe 1904 nga arkitekti Imre Steindl, i cili u frymëzua nga Parlamenti i Londrës dhe Katedralja e Këlnit.

Stili gotik nga jashtë që imponohet me shtylla, kulla, harqe dhe dritare, krijon kontrast me stilin barok dhe atë të Rilindjes që gjejmë në brendësi.

Fasada e madhe mbi Danub nuk ia heq madhështinë ndërtesës në total: pothuajse 18.000 metra katrorë, 27 hyrje dhe 691 dhoma. Nuk kemi asgjë për të shtuar, përveç faktit që Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe parlamentarët kanë një shtëpi shumë të mirë ku kryejnë funksionet e tyre!

  • Si të shkoni: Sheshi Kossuth, në qendrën historike, shkohet në këmbë
  • Orari: nga maji në shtator, nga ora 08:00-18:00 e hënë, e mërkurë, e enjte, e premte;
    e shtunë nga ora 08.00 -1600; e dielë nga ora 08.00- 14.00
    Nga tetori në prill është i hapur nga ora 08.00 – 16.00, e hënë, e mërkurë, e enjte, e premte dhe e shtunë
    e dielë nga ora 08:00 alle 14:00.
    Vizita zgjat rreth 45 minuta
  • Çmimi: Bileta e plotë kushton 15.00 € për qytetarët e UE
    e reduktuar për studentët 7.50 €
    gratis për fëmijët nën 6 vjeç.

7. Bazilika e Shën Stefanit - Szent István

Së bashku me ndërtesën e Parlamentit hungarez, Bazilika e Shën Stefanit e meriton titullin si ndërtesa më e lartë në Budapest, ajo ngrihet në 96 metra lartësi. Ndërtimi u përfundua në vitin 1905, me bazilikën katolike romake të ndërtuar në stilin neoklasik.

Vizita brenda saj është pa pagesë (donacionet janë të mirëpritura), ndërsa kubeja e saj qendrore është mundësi mjaft e mirë për t’u shfrytëzuar si pikë panoramike, kundrejt një pagese të vogël.

  • Si të shkoni: Szent István tér, V. kerület Budapest, 1051
  • Orari: nga e hëna- e premte, nga ora 10.00-15.00
  • Çmimi: bileta e plotë 1600 Fiorini, rreth 7.00 €
    bileta e reduktuar 1200 Fiorini , rreth 4.00 €

8. Ura e Zinxhirëve - Széchenyi lánchíd

Për shekuj Buda dhe Pest kanë qenë dy qytete të veçanta. Vetëm në muajt e pranverës dhe të verës, kur moti e lejonte, ato lidheshin me ura lundruese të cilat çmontoheshin gjatë dimrit. Sipas legjendës ndërtimi i një ure fikse u bë nga Konti István Széchenyi, nga i cili ura mori edhe emrin.

Konti kishte babanë duke i vdekur në Buda, ndërkohë që ai vetë ndodhej në Pest. Kështu që jo vetëm nuk mund ta përshëndeste, por duhej të priste edhe një javë para se të shkonte në funeral.

Prandaj ai vendosi të thërriste inxhinierin anglez William Tierney Clark, që të projektonte urën dhe të sillnin Adam Clark Skocez që të ndiqte punën. Puna filloi në 1839 dhe përfundoi pas 10 vitesh. Ura është quajtur kështu për “zinxhirët” që e dekorojnë atë në të dyja anët e saj, në të vërtetë, është vetëm kopja e madhe e urës, që William Clark kishte ndërtuar mbi brigjet e TamizitMarlow, në Angli.

Në fund të urës ka luanë dhe simbole të tjera: sipas një legjende, këto luanë të gdhendur gabimisht ishin skalitur pa gjuhë, prandaj ky gabim do ta shtynte Adam Clark të kryente vetëvrasje nga turpi. Inxhinieri ishte shumë krenar për urën e tij dhe sfidoi gjithkënd që të bënte një më të bukur dhe më të madhe. Në të vërtetë, luanët kanë gjuhë, por ju mund ta kuptoni vetëm duke i parë nga afër.

Ura, në atë kohë, ishte një mrekulli e vërtetë: 202 metra e gjatë, ishte ura më e madhe, e vetme në botë dhe për një kohë të gjatë mbeti e pamposhtur. Ishin nazistët gjermanë që gjatë tërheqjes e shkatërruan, por u rindërtua në vitin 1949 me rastin e 100 vjetorit.

Makinat aty lëvizin në qendër të urës, ndërsa nga të dyja anët lëvizja është e lirë për këmbësorët. Por shumë shpesh ura u lihet krejtësisht këmbësorëve dhe kjo u jep atyre një gëzim të madh.

  • Si të shkoni: Metro linja M1, M2, M3 – Stacioni : Deák Ferenc tér ose Linja 2 e Tramit – Ndalesa Széchenyi István tér
  • Orari: në çdo orë 
  • Çmimi: pa pagesë

9. Sinagoga e Madhe

Në qytet, sot, janë të pranishme 22 sinagoga, ndër të cilat edhe më e madhja në Europë. E ndërtuar në vitin 1859, ajo mund të strehojë deri në 3.000 njerëz. Në kopshtin e saj ndodhet një monument në kujtim të hebrenjve të vrarë nga nazistët gjatë viteve 1944 dhe 1945.

Pikërisht aty gjendet edhe një pemë e gjelbër, e ashtuquajtura “Pema e jetës”, mbi të gjethet e metalit të së cilës, janë të ngjitura emrat e martirëve hebre.

  • Si të shkoni: Dohány Utca, në qendrën historike, metro M2 ndalesa Astoria
  • Orari: E hapur në varësi të periudhave të vitit dhe funksioneve fetare. Sinagoga është e mbyllur me 1 dhe 18 janar; 15 mars; 9, 10, 15, 16 prill; 29 e 30 maj.
    18, 19, 20, 27, 28 shtator; 3, 4, 10, 11, 23 tetor; 1 nëntor, 24 dhe 25 dhjetor.

  • Çmimi: 1600 Fiorini, rreth 7.00 €

10. Kështjella e Budës

Një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ndërtimi i Kështjellës së Budës filloi së pari në shekullin e 13-të, dhe që atëherë ndërtesa ka pësuar një varg ndryshimesh arkitekturore. Kjo Kështjellë ka qenë për shumë kohë rezidencë e Princeshës Sissi.

Sot, kjo kështjellë është një kombinim i stilit Mesjetar, Barok, Rinovim Barok dhe modernist dhe ofron një pikë mbresëlënëse vrojtimi mbi Pest.

  • Si të shkoni: Szentháromság tér
  • Orari: çdo ditë nga ora 10:00 deri në 18:00, e mbyllur me 25 dhjetor

  • Çmimi: 1000 Fiorini, rreth 3.50 €

© Ndalohet kopjimi ose riprodhimi i të gjithë materialeve, si tekst apo audio, ose fotove të këtij siti pa lejen e autorëve!

Për fotot ilustruese, ndonjëherë jemi të detyruar të përdorim fotografi nga interneti. Nëse kjo gjë prek interesin e personave të interesuar, na sinjalizoni dhe ne menjëherë do i heqim ato!

Share this:
Tags:

Add Comment

8 − seven =

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.