Sunday November 17 2019

NGA MBISHKODRA, BUZE LIQENIT, “TE FASLLIA”….!

Kur flasim për liqenin e Shkodrës, shumica i referohen dy fshatrave, Shirokë dhe Zogaj, peizazhit të tyre të bukur dhe lokaleve pa fund që ndodhen aty. Por, nëse doni të shihni një tjetër dimension të liqenit, një tjetër pamje dhe magjepsje të natyrës, sigurisht që duhet të vazhdoni rrugën për në Koplik dhe të vazhdoni përpara pa frikë.

koplik, liqeni i shkodres

Në të djathtë fillojnë e shfaqen malet e larta të malësisë, ndërsa në të majtë, mes vilave të reja, syri të rrok vijën e pafund të liqenit të Shkodrës, i cili tregon madhështinë e tij, edhe në këtë zonë gjeografike.

Lexo edhe: 24 ORE NE SHKODER 

Lexo edhe: SI TE NDIHESH NE SHKODER SI SHKODRAN

Liqeni dhe malësia

rruga per ne liqen, koplik

Liqeni dhe malësia janë pasuria kryesore e banorëve të kësaj zone. Vendosja e fshatrave, disa buzë ujit, disa më në brendësi dhe të tjerët lart në male, ka bërë që banorët e zonës ta duan njëlloj si ajrin e pastër të lartësive edhe flladin dhe erën e liqenit.

Pamja e natyrës është impresionuese, njerëzit mjaft të dashur, ushqimi i freskët, infrastruktura e rrugës në Koplik, madje deri në kufi me hanin e Hotit shumë e mirë. Kaq ka mjaftuar që interesi turistik për këtë zonë të shtohet.

Ah, çfarë parajse!

koplik shkoder

Një ditë me diell është e mjaftueshme për të eksploruar këtë pjesë të liqenit. Në dallim nga bregu tjetër, shumë i frekuentuar nga shkodranët dhe turistët, kjo pjesë e liqenit, nuk ka një rrugë që të kalojë buzë tij e të shërbejë si shëtitore.

Pranë tij, aty këtu ka shtëpi, lokale, shelgje, ullinj, oborre të mbjella, por duhet të gjesh shtegun e duhur për të shkuar atje. Në asnjë moment mos hiqni dorë, nga vendimi për të shkelur në bregun e liqenit.

Gjithmonë do gjeni makina të parkuara buzë bregut, të rinj nga fshtatrat afër që kanë ardhur me makinë për të marrë dozën e përditshme të kësaj parajse, apo turistë që po kërkojnë në Google Map për ndonjë lokal fshati, pa salltanete, por me shumë shije.

Te Fasllia

Ka disa lokale të njohura në fakt në këtë zonë, por pas një eksperience të përjetuar, ne propozojmë të drekoni “Te Fasllia”.

Sapo të mbërrini në Koplik qendër, kaloni shkollën, e cila ndodhet në krahun e majtë të rrugës dhe kthehuni tek rruga menjëherë pas saj. Mjafton t’i shkoni kësaj rruge deri në fund dhe kur asfalti të mbarojë, një tabelë ku shkruhet “Te Fasllia”do t’ju drejtoje drejt metrave të fundit të një rruge fshati, që ju çon deri te lokalit në buzë të liqenit. Eshtë fare afër dhe nuk do të pendoheni aspak.

Merreni si aventurë. Së pari, është lokali që gjendet shumë pranë liqenit dhe nuk besojmë se ka ndonjë dhuratë më të mirë për t’i bërë vetes, sesa një drekë e mirë me pamje fantastike. Të gjithë e dinë se ku ndodhet dhe nëse Google Map çorientohet dhe nuk ju ndihmon dot më, janë njerëzit që të ndihmojnë menjëherë. Madje i telefonojnë edhe pronarit për vizitorët në ardhje.

Lokal fshati, shije me 5 yje

restorant fasllia, liqen shkoder
restorant fasllia koplik

Kur themi lokal fshati, vërtet ishte i tillë.

Harroni përpak restorantet me shumë zhurmë dhe njerëz me shumë tangërllëk. Tani që është akoma ftohtë, këtu do të gjeni një lokal të vogël, në katin e dytë të një ndërtese, me 4-5 tavolina, ku drekojnë burrat e fshatit.

Në fillim habiten kur aty shkel një grup me fëmijë, burra e gra, por gjithçka është gati në dy minuta dhe një tavolinë e pastër, me pamjen e malit të Krajës përkarshi, me mish të fresktë dhe sallata të bollshme me produkte vendase na pret.

Kanë specialitet tavën e krapit, (nga dritarja mund të shihni një si lloj rezervati me një rrjetë për të ngecur peshqit), por po kaq i shijshëm është edhe mishi i viçit, i njomë dhe i pjekur mirë. Nuk do të keni të ngopur me patatet e skuqura, të verdha e të ëmbla, me të cilat kjo zonë krenohet, me turshitë e shtëpisë, djathin e dhisë, salcën e kosit apo pjatën me tasin me hudhra, që fillimisht na habiti shumë kur erdhi në tavolinë.

Tundimi ynë e sfidoi paragjykimin e aromës dhe provuam ca prej tyre. Një përzierje e përkryer shijesh, alla malsie.

Respekti që shijon

restorant fasllia, koplik
berxolla vici

Asgjë nuk mund të shijojë më shumë se sa respekti. Asnjë ushqim, sado i mirë nuk të shijon, nëse si klient nuk ndihesh i vlerësuar dhe i mikluar. Dhe Mentori, pronari i lokalit, që prej 18 vitesh kishte ngritur këtë biznes familjar, e dinte mirë, se asnjë klient nuk do të kthehej më, nëse nuk do dinte të sillej mirë me ta.

Ai në fakt po pret sezonin e verës, kohë kur mbërrijnë emigratët në familjet e tyre dhe puna shtohet në lokal. Kryesisht vijnë nga Anglia, por ka edhe nga Belgjika apo Gjermania. Me ardhjen e verës, uji që tani ka mbërritur deri në oborrin e lokalit, tërhiqet dhe ai mbushet me tavolina dhe çadra.

Emigrantët, asnjëherë nuk e humbin rastin të hanë një drekë apo darkë tek Fasllia. Me qetësinë e liqenit, peshkun dhe mishin e freskët, rakinë e shtëpisë verën apo birrën Nikshiç ( shumë e preferuar në këtë zonë), ata ndihen si në shtëpinë e tyre, ashtu siç u ndjemë ne, një të diele marsi me diell.

Duke eksploruar anën e panjohur të liqenit dhe të shijes.

© Ndalohet kopjimi ose riprodhimi i të gjithë materialeve ose fotove të këtij siti pa lejen e autorëve! Për fotot ilustruese, ndonjëherë jemi të detyruar të përdorim fotografi nga interneti. Nëse kjo gjë prek interesin e personave të interesuar, na sinjalizoni dhe ne menjëherë do i heqim ato!

Mbështet Travelbar….

… ne jemi një grup i vogël gazetarësh që punojmë vullnetarisht të sjellim në këtë faqe, shkrime, materiale dhe informacione jokomerciale në interes të publikut. Nëse ky shkrim ju ka pëlqyer, lutemi të mbështesni Travelbar.al me vetëm 1 € – mund ta bëni në pak minuta. Faleminderit!

[revija_shortcode text=”Nëse ky shkrim ju ka pëlqyer, lutemi të mbështesni Travelbar.al me vetëm 1 € – mund ta bëni në pak minuta. Faleminderit! ” title=”Title Tooltip” position=”top”]

Share this:
Tags:

1 Comments

  • Sila
    2019-03-26 17:04

    Te lumt goja!
    Se esht shum e vertet pershkrimi i juaj .Sa her jemi me pushime ne Shqiperi shkojm gjithmon per drek ne restorant te Faslia sempre atje te mbushet zemra plot ngrohtesi nga mir pritja dhe respekti nga pronari i ati Lokali.po ashtu ushqimi esht i mrekullueshem dhe me tradit Malsore.

Add Comment

eighteen − eleven =

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.