Monday September 16 2019

SOFJE, ÇFARE DUHET TE DINI PARA SE TE SHKONI?

Si është Sofja? A është vërtet ekonomike? A ia vlen të shkosh dhe ta shohësh? Më mirë transportin urban apo taxi?Para se të niseni për në Sofje duhet të dini disa gjëra të rëndësishme. Këtu do të ndajmë me ju disa këshilla që duhet t’i dini para se në niseni për atje.

Që në fillim duhet ta dini se do e keni të vështirë me komunikimin. Sofja akoma nuk është përfshirë nga turizmi masiv dhe njerëzit, qoftë edhe ato të shërbimeve, nuk dinë të të përgjigjen në anglisht, aq më pak në italisht (gjuhë që shqiptarët përgjithësisht i njohin mirë).

Kjo është edhe arsyeja që nëse keni nevojë për diçka, ato mezi do ju kuptojnë, ose nuk do ju kuptojnë fare. Prandaj këshillojmë që të shkoni paraprakisht me ca fjalë ose shprehje të domosdoshme të shënuara në një bllok të vogël.

Lexo edhe: 10 GJERA QE DUHET T’I SHIHNI PATJETER NE SOFJE

1. Duhet të udhëtoni me makinë, nuk ka avion direkt

Nga Shqipëria nuk ka një linjë avioni që fluturon drejtpërsëdrejti për në Sofje. Nëse patjetër dëshironi ta bëni udhëtimin me avion, duhet të përdorni një tranzit. Por shpenzimet në këtë rats janë dyfish të larta dhe ne nuk do të sugjeronim një udhëtim me të paktën 4-5 orë pritje për tranzit. Shpenzoni kohë dhe lekë.

Prandaj, më mirë merrni rrugën me makinë, por mund te perdorni dy rruge:

  • Nëse niseni sidomos nga Pjesa juglindore e Shqipërisë, atëherë është mirë që t’i bini nga Greqia: Kapshticë – Selanik- Sofje. Turet e organizuara nga agjencitë turistike ndjekin këtë itenirar!
  • Por mund te kaloni edhe nga Maqedoni. Në këtë rast do të përshkoni këtë iterinar: Qafëthanë – Shkup – Kumanovë – Gueshevo (kufiri Bullgar)- Sofje.
  • Në rast se ju ndodheni diku në veri të Shqipërisë, atëherë më e volitshme do të ishte ndjekja e këtij iterinari: Kukës – Prizren – Prishtinë – Shkup – Kumanovë -Gueshevo(Kufiri Bullgar) – Sofje.

2. Kujdes nga Taksitë

Nëse në Sofje mbërrini natën vonë dhe e keni të pamundur të gjeni hotelin, është e mira të merrni një taksi. Në çdo cep të qytetit do të gjeni dhjetra makina të verdha, por jini të kujdesshëm sepse shumë shoferë taksie janë abuzivë. Në sugjerojmë që të përdorni kompaninë e taksive Ok-Supertrans. Por duhet që gjithmonë të tregoheni syhapur, për të parë shoferët e taksive, nëse po e aktivizojnë taksimetrin.

Nga aeroporti në qendrën e qytetit ose anasjelltas, çmimi është rreth 15-25 Leva dhe në përgjithësi është relativisht i lirë për të udhëtuar me taksi. Por taksinë duhet ta merni vetëm kur ju nevojitet vërtet. E themi këtë pasi trafiku në qytet bëhet shpesh kaotik dhe rrezikoni të ngeleni të bllokuar atje.

3. Paraja

Ndonëse Bullgaria ka hyrë në Bashkimin Europian që në vitin 2009, ajo ka mbajtur monedhën vendase, Lev (Leva-shumës). Në raport me euron: 1 Lev= 1.95 euro.

Në raport me lekun: 100 lek të reja = 1.58 lev.

Paratë mund t’i këmbeni nëpër pika të ndryshme. Mos i këmbeni në pikën e parë që shihni, krahasoni ofertat e pastaj bëni këmbimin. Që të mos bini pre e mashtrimit, përdorni bankat, ose pikat e kembimit valutor. Kontrolloni se sa është komisioni për veprimet tuaja financiare.

4. Kostoja e jetesës

Sofja është një qytet relativisht i lirë krahasuar me kryeqytetet e tjera europiane. Si transportet, ashtu edhe ushqimi apo fjetja, janë me çmime ekonomike.

Sofja ka një ofertë të mirë të hoteleve (rreth 1000), duke filluar nga 20 euro për një natë në një dhomë dyshe. Natyrisht ne po flasim për strukturat themelore në zonat jo-qendrore.

Duke pasur parasysh çmimet, atëherë, ju mund të zgjidhni një hotel të mirë me 3 yje në qendër të qytetit, ndërsa me më pak se 60 euro në natë, mund të rezervoni një hotel pranë monumenteve. Me diçka më shumë ju mund të flini në hotele luksoze, me 5 yje.

Natyrisht që kryeqyteti është shumë i vizituar gjatë pranverës dhe festave ortodokse lokale, kështu që ju duhet të rezervoni paraprakisht. Të gjitha hotelet mund t’i gjeni më të lira në muajt e ftohtë kur klima e kryeqytetit bëhet shumë e ashpër dhe të pakët janë ato që duan ta sfidojnë.

Sofja ka restorante për të gjitha buxhetet dhe mund të hani shijshëm kuzhinën bullgare duke shpenzuar 10 € për person për një drekë ose darkë të plotë. Duhet ta keni parasysh se kamarierëve u duhet lënë bakshish.

Ndër gjërat që kushtojnë më shumë janë fotografitë nëpër kisha. Sigursht, bëhet fjalë për kishat që e lejojnë diçka të tillë, pasi shumica e tyre e kanë të ndaluar shkrepjen e fotografive apo bërjen e filmimeve.

Hyrja nëpër muzeume kushton vetem pak euro, edhe hyrja nëpër kisha është e lirë, por për shembull për të bërë fotografi brenda katedrales Aleksandër Nevski kushton 10 Leva.

5. Alfabeti cirilik

Jo të gjithë e dinë se alfabeti cirilik është krijuar në Bullgari dhe rrjedh nga alfabeti glagolitik, i përdorur në shekullin e nëntë në disa vende me origjinë sllave dhe e krijuar nga Cirili dhe Metodi.

Në Sofje të gjitha rrugët dhe shumica e tabelave të dyqaneve janë të shkruara me alfabetin cirilik …

Mbi të gjitha, stacionet e metrosë dhe të autobusëve janë shkruar me simbolet e këtij alfabeti. Pra, gjëja e parë që duhet të bëni sapo të mbërrini në Sofje është të merrni një hartë të qytetit në një gjuhë që e kuptoni!

6. Ushqimet ne Sofje

Jemi në lindje, përtej është Rusia, por edhe Lindja. Këtu otomanët kanë dominuar për një kohë të gjatë, kështu që edhe në kuzhinë ndjehen ndikimet otomane.

Zakonisht fillohet me një supë, të ndjekur nga një pjatë e parë e pasur me mish derri apo qengji. Ndër pjatat e ftohta në verë, si pjatë shoqëruese përmendim taratorin e bërë me kos, tranguj, hudhra, arra, kopër, vaj ulliri. Gjithashtu edhe sallatën Shopska, që përgatitet me domate, tranguj, djathë dhe pak raki.

Ndërsa në dimër mbizotërojnë Bob chorba (supë me bathë), Shkembe chorba (supë me kukurec) dhe Supa topcheta (supë me qofte mishi dhe orizi).

Ndonëse klima është e ashpër, edhe në Sofje ka plot street food, mbretëresha e së cilës përgatitet me brumë të hollë, të mbushur me djathë, vezë dhe gjalpë të shkrirë.

Mes pjatave me prejardhje të drejtpërdrejtë turke kujtojmë Kofte, (qofte) të shijshme. Embëlsirat janë mjaft kalorike. Jemi në Ballkan, nuk ka si ndodh ndryshe. Nuk është aspak surprizë nëse ju themi se do të gjeni bakllava, kos bullgar me arra dhe mjaltë, llokume, kungull me mjaltë dhe arra dhe një numër krepash me mbushje nga më të ndryshmet.

7. Si të orientoheni në Sofje

Sapo të arrini në Sofje mirë është që të keni një hartë për të ditur se si të orientoheni dhe se cilat janë vendet ku jeni të interesuar të shkoni. Në përgjithësi, hotelet ofrojnë një hartë të vogël rrugore, por zakonisht kjo nuk është e detajuar me të gjitha detajet që ju duhen, si p.sh., rrugët e autobusit dhe ndalesat e metrosë. Zgjidhni broshurat dhe hartën në gjuhët që flisni më mirë.

Këshilla jonë është që të shkoni në një nga zyrat turistike në Sofje, ku sigurisht mund të kërkoni informacione, të merrni harta të lira dhe broshura rreth kishave, muzeve dhe monumenteve me oraret e tyre.

8. Sa ditë janë të mjaftueshme për të parë Sofjen?

Dy ditë janë mëse të mjaftueshme për të parë kishat dhe vendet më interesante të Sofjes. Kjo për faktin se ata ndodhen pranë njëra tjetrës në qendër të qytetit. Prandaj sugjerojmë që t’i vizitoni në këmbë dhe për t’i vizituar nuk duhen më shumë se dy ditë.

Sinagoga, Rotonda e Shën Gjergjit, katedralja madhështore e Aleksandër Nevskit, muzeu arkeologjik, etj, ndodhen vetëm pak minuta larg njëra tjetrës.

Por nëse dëshironi të hyni nëpër muzeume si dhe të bëni një vizitë në kishën e Boyanës, mbrojtur nga Unesco ( 8 km larg nga Sofia), atëherë edhe një ditë plus është e nevojshme.

9. Lëvizni akrepat e orës

Në Sofje, ashtu si në çdo qytet tjetër të Bullgarisë, duhet t’i lëvizni akrepat një orë përpara, në krahasim me Shqipërinë. Bëni mirë që këtë gjë ta bëni me të mbërritur në kufirin bullgar, nga toka apo ajri, me qëllim që të orientoheni saktë me kohën.

10. A ia vlen vizita në Sofje?

Ja ku erdhëm tek pyetja kryesore. Nëse përjashtojmë udhëtimin me makinë që për disa mund të jetë besdisës, (nëse e merrni me qejf nuk do të jetë i tillë), atëherë mund të themi se ia vlen. Sofja është një qytet i bukur. Sidomos për ato që pëlqejnë kishat dhe ju sigurojmë se në Sofje ka shumë kisha ortodokse vërtet të bukura. Bukuria arkitektonike e këtyre kishave, është autentike dhe e ndryshme nga qytetet e tjera të Europës.

Sofja është një qytet stimulues. Ndodhen shumë galeri arti, muzeume, restorante të rafinuar, lokale ku mund të pish një birrë dhe të dëgjosh muzikë live.

Ka shumë gjëra që të bëjnë përshtypje kur shëtit nëpër Sofje. Një ndër ta është prania e burimeve të ujërave termale kudo nëpër qytet, në të cilat banorët mbushin ujë.

Eshtë një vend që pak e nga pak, po hapet ndaj botës. Dhe përpara se të bëhet një destinacion me dyndje turistësh, bëni mirë ta shijoni në qetësi.

© Ndalohet kopjimi ose riprodhimi i të gjithë materialeve ose fotove të këtij siti pa lejen e autorëve! Për fotot ilustruese, ndonjëherë jemi të detyruar të përdorim fotografi nga interneti. Nëse kjo gjë prek interesin e personave të interesuar, na sinjalizoni dhe ne menjëherë do i heqim ato!

Share this:
Tags:

Add Comment

sixteen + 9 =

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.