Wednesday June 19 2019

PSE BURRAT DUHET NDONJEHERE TE UDHETOJNE PA GRATE

Përpara se të nisej për në Amsterdam, me dy miqtë e tij (edhe ata të martuar), unë nxitova t’i hartoj burrit tim, një listë me destinacionet kryesore, sigurisht duke iu referuar ekspertëve të Travelbar.al.

Duke menduar se atje do të rrinte vetëm 3 netë dhe 4 ditë, ku në njërën prej tyre kishte një aktivitet që do i mbushte gjithë ditën (qëllimi kryesor për të cilin udhëtonte drejt Amsterdamit), unë mendova se gjithë koha tjetër do të ishte e mjaftueshme, që ai të shihte disa nga atraksionet kryesore të kryeqyetit hollandez.

Lexo edhe: AMSTERDAM, 10 GJERA PER TE MOS U HUMBUR

Dhe me përkushtimin e tepruar të gruas që pa ia kërkuar kush, është gati të jetë e dobishme (domethënë të fusë hundët), bëra një listë: Shtëpia e Van Gogut, Shtëpia Muze e Ana Frankut, Muzeu Stedelijk (arti bashkëkohor), Tregu i luleve, Rijksmuseum ( muzeu më i madh i artit flamand) e ca të tjera që nuk po i rendis këtu….

Pastaj i hartova listën e restoranteve më të mira se ku të hanin, i sugjerova ushqimet tradicionale se çfarë të hanin; disa nga aplikacionet më të mira për ta ndihmuar me gjërat që do i duheshin në Amsterdam, po kështu i shënova oraret e metrove, trenave, çmimet e biletave, etj.

Pra u mundova të jem e dobishme dhe konstruktive njëkohësisht, deri në fund. Kërkesa e vetme që i bëra, sigurisht me pak xhelozi pasi për herë të parë po udhëtonte pa mua, ishte të më sillte ca zhardhokë tulipanësh për t’i mbjellur në oborr.

Me këtë ritëm të ngadaltë, pa tension e pa nxitim, vrap për këtu e shpejt për atje, ta shohim edhe këtë e të mos na ikë pa parë ajo tjetra, shtruar e me terezi, duke tymosur e pirë birra, lumturia kishte emrin Amsterdam!
Nga TRAVELBAR.al

Të them të drejtën, atë lejen e udhëtimit të shkretë mezi e dhashë, më shumë ma mori se e pohova unë me gojë. Goja nuk ma zinte, por mendja po. Sepse mendova se edhe ai ka nevojë për hapësirat e tij, me shokët e vjetër të fëmijërisë, që të bënin një udhëtim “çunash” e me këtë rast të shihnin edhe një koncert rock (sebepi).

Pasi u orvata disa herë, me të mira, që edhe unë me gratë e dy të tjerëve të përfshiheshim në grupin e udhëtimit dhe pasi u lamë jashtë, gjithçka u bë gati për fluturimin drejt Amsterdamit.
Me një çantë dore 5 kg, im shoq u nis nga Rinasi.

Nga fotografitë që më sillte e shihja me miqtë e tij të lumtur sa më s’ka. Sa herë që flisnim në zërin e tij kishte entuziazëm, eufori, gëzim…Me pak fjalë dukej si s’ka më mirë.

Lajmi i parë që më dha ishte se kishin ndërruar hotel, pra nuk do të flinin në hotelin e perieferisë i cili ishte prenotuar më parë e ku do paguanin me pak, por në një hotel, në qendër të Amsterdamit.

Aty do e kishin më të lehtë për të shëtitur Amsterdamin, se nuk kishin shkuar për t’u lodhur por për t’u çlodhur (!) Tavolinat e bareve ishin kudo përjashta dhe po kenaqeshin duke pirë birra (!) As metro nuk po merrnin fare. Se mos do shkonin larg! Edhe po donin të shkonin diku, taksi! Si zotërinjtë!

Me këtë ritëm të ngadaltë, pa tension e pa nxitim, vrap për këtu e shpejt për atje, ta shohim edhe këtë e të mos na ikë pa parë ajo tjetra (kjo ndodh gjithmonë në udhëtimet tona), shtruar e me terezi, duke tymosur e pirë birra, lumturia kishte emrin Amsterdam!

Por ama kishte një gjë se, ditët po mbaronin dhe ai akoma nuk kishte hyrë tek shtëpia e Ana Frankut…nuk kishte hyrë as tek Rembrandti….as tek arti bashkëkohor e as tek arti flamand. E po kjo punë kështu?! Të shkosh në Amsterdam e të mos shohësh Ana Frankun???? As Rembrandtin??? Gati nisëm atë ziheshim në telefon për punën e Ana Frankut! Deri sa më tha: “Po deshe e shohim herës tjetër bashkë!”

Vetëm birra dhe xhiro rreth e rrotull rrugëve plot lokale e dyqane luksi. Pastaj një tur me motovarkë përreth kanaleve të Amsterdamit, ku nga i zoti i varkës, kishte mësuar më shumë për qytetin sesa i kisha shkruar unë në copën e letrës. Pastaj me taksi drejt lokalit të një turku ku kishin ngrënë mish e pilaf, pasi përveç patateve të skuqura që hollandezët i hanin me tepri, ushqimet e tjera nuk i kishin pëlqyer asnjërit. 80 euro taksi nuk janë asgjë për një drekë 30 euro me mish, pilaf e kos! Sidomos kur stomaku proteston pasi është dëndur me birra gjatë koncertit rock.

Pastaj një dorë bilardo me ca hollandezë që i kishin bërë miq në një bar dhe një diskutim tifozerie të ndezur për Hollandën e futbollit.

Dhe kështu i erdhi fundi udhëtimit! Iku Ana Franku, iku edhe Rembrandti. Mbetën vetëm hallakatjet nëpër rrugët e Amsterdamit, shakatë pa fund me çunat…. ah po, edhe ndonjë thithje të lehtë marijuane apo ndalesa tek Dritat e Kuqe, që unë hamendësoj se duhet të kenë qenë të përfshira tek guida e thjeshtëzuar e çunave, por që asnjëherë nuk janë konfirmuar!

Shkrimin e nisa duke pyetur pse burrat duhet të udhëtojnë ndonjëherë pa gratë. Unë e kam një përgjigje! Burrat e dinë fare mirë! Besoj se edhe gratë e kanë!

Se harrova të shtoj: tulipanët më erdhën nga Amsterdami dhe pres pranverën që të shpërthejnë në lule!

© Ndalohet kopjimi ose riprodhimi i të gjithë materialeve ose fotove të këtij siti pa lejen e autorëve! Për fotot ilustruese, ndonjëherë jemi të detyruar të përdorim fotografi nga interneti. Nëse kjo gjë prek interesin e personave të interesuar, na sinjalizoni dhe ne menjëherë do i heqim ato!

Share this:
Tags:

Add Comment

fourteen − 7 =

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.