Monday September 16 2019

24 ORE NE KORÇE

Nëse doni ta ndieni veten të përkëdhelur nga fjalët e ëmbla plot “lulka”, të shihni “një çikëz” “aristokratllëk”, të ndeshni qytetari, të dëgjoni serenata por edhe të hani shijshëm, duhet të vizitoni patjetër Korçën. Pa dyshim është një ndër qytetet më interesante dhe të rëndësishme të vendit.

Aty gjen shumë nga tradita, rrugë me kalldrëm, vila të stilit francez, muze me afreske mesjetare, kafene elegante dhe zakone të ruajtura me fanatizëm.

Romantike dhe zonjë në përditshmërinë e vet, asnjë qytet tjetër shqiptar nuk mund ta imitojë atë.

Në Korçë mund të shkosh në çdo stinë, pastaj a do ta vizitosh në brendësi qytetin, apo vetëm fshatrat e saj piktoreskë, kjo varet nga koha që ke në dispozicion. Meqënëse ne kemi vetëm 24 orë, do vizitojmë vetëm qytetin. Nga t’ia nisim?…

1. Kafe tek Pazari i Vjeter

Foto nga: Korca 360.al

Pazari i Vjetër është lagjia më e bukur në Korçë dhe ngjan me një zonë që ka dalë nga përrallat. Rrugë të ngushta, ndërtesa me ngjyra, kafene të bukura dhe butiqe të vëgjel.

Njerëzit shijojnë kafenë si në dimër, ashtu edhe në verë, kryesisht përjashta duke soditur pamjen e duke biseduar njëri me tjetrin. Mund të porosisni kafe turke ose ekspres, të dyja do t’ju shijojnë mjaft me një gotë të vogël raki mani nga Boboshtica. Kjo sidomos në dimër, për t’ju ngrohur trupin dhe shpirtin.

2. Kisha Ortodokse

Korça është shtëpia e kishës më të madhe të ortodoksisë në vend. E gjeni kollaj, në qendër të qytetit, prandaj është një ndër pikat e preferuara të korçarëve por dhe turistëve të huaj. Ariktektura e saj të jep përshtypjen e një kryqi, me katër apsida, me një kupolë qendrore, e rrethuar me hajat dhe me dy kambanore të larta.

Eshtë ndërtuar në vitin 1992 mbi themelet e një kishe të vjetër që ishte shkatërruar gjatë regjimit komunist në fund të viteve ’70.
Hyni dhe bëni një vizitë aty, jo vetëm për rëndësinë e saj historike, por edhe për shkak se ajo përmban piktura me figura biblike të realizuara mbi mure.

Tek secila prej tyre, në një cep, është shkruar emri i familjes korçare që ka sponsorizuar realizimin e saj. Një lloj gare e mençur kjo në fakt, për t’i afruar njerëzit më shumë me perëndinë dhe për t’i prekur në sedër për një mision të dobishëm.

3. Shëtisni me trak e truk në lagjet e vjetra

Foto nga: Eliano Kalemi

Pjesa e vjetër e Korçës qëndron e fshehur prapa Katedrales Ortodokse. Është një zonë ku do të gjeni vila antike franceze, shtëpi të vogla dhe qoshe të bukura rrugicash.

Mos harroni të merrni aparatin e fotografive me vetë për të bërë disa shkrepje të mrekullueshme. Ndërsa ecni mbi kalldrëm duke bërë trak e truk, do shihni edhe zonjat korçare që kujdesen për oborret e tyre. Ndonjëra prej tyre mund t’ju kujtojë edhe Ollgën!

4. Vizitoni Mësonjëtoren e parë shqipe

Vizita në Muzeun “Mësonjëtorja”, është ndër më të rëndësishmet dhe duhet ta bëni patjetër, sidomos nëse jeni me fëmijë. Do ju tregoni atyre se në ndërtesën e vjetër dykatëshe, me dritare, dysheme dhe shkallë druri, u hap shkolla e parë laike ku mësohej gjuha shqipe.

Në katin e parë ndodhen të ekspozuara pas xhamave fotokopja e abetares së parë shqipe e shkruar nga patrioti Naum Veqilharxhi, si dhe abetarja e dytë e patriotit tjetër Kostandin Kristoforidhi. Po kështu gjenden edhe artikuj nga shtypi i kohës apo botime shqip të së njëjtës periudhë nga Rilindasit dhe patriotët tanë.

Në katin e dytë është ruajtur e pandryshuar klasa e shkollës ashtu siç ka qenë në origjinal, me bankat e drurit dhe librat mbi tavolina. Hyrja për në muze ka një çmim simbolik dhe muzeu është gjithmonë i gatshëm të presë vizitorë.

5. Dreka tek Colonial

Eshtë koha për një pauzë. Tek Pazari i Vjetër, në fakt ka shumë vende për të drekuar, por ne, pa asnjë mëdyshje sugjerojmë për ju Colonial & Osteria Korçë, pa dyshim më i miri për të ngrënë drekë, të shpejtë apo të avashtë, mbi të gjitha të shijshme.

Këtu mund të uleni, të pushoni dhe të drekoni me miqtë apo familjen. Ambient shumë i pastër dhe personel i gatshëm për të shërbyer! Shumë i pëlqyer nga korçarët dhe mysafirët. Mos e humbisni këtë rast.

6. Çlodhuni ose pedaloni në Parkun Rinia

Sa me fat janë korçarët që e shijojnë çdo ditë atë, sidomos gjatë verës. Një park i madh, rreth 9 hektarë. Shumë i bukur dhe relaksues, këtu mund të kënaqeni me qetësinë dhe ajrin e pastër.

Gjithashtu këtu mund të merrni një biçikletë me qera 1 mijë leke të vjetra ora dhe të pedaloni nëpër park. Ky park i ndryshon ngjyrat sipas stinëve. Në vjeshtë kuqëlon nga ngjyrat, në dimër zbardhëlon nga bora, në pranverë gjethet dhe drurët marrin jetë, ndërsa në verë të ngop mushkëritë me oksigjen.

7. Vizitoni Xhaminë

Xhamia e Iljaz bej Mirahorit është ndërtesa e parë dhe monumenti më i vjetër i Korçës. Një nga arsyet pse duhet ta vizitoni patjetër është se mban emrin e themeluesit të qytetit, Iljaz bej Mirahorit.

Kjo xhami dëshmon zanafillën e qytetit, pasi në të njëjtën kohë filloi edhe ndërtimi për Pazarin e Vjetër, të gjitha me mbështetjen e Sulltan Bajazitit II.

Xhamia e Mirahorit është më e vjetra (1496) dhe e para e ndërtuar me kube plumbi në Shqipëri. Ka një teknikë të veçantë ndërtimi dhe është vlerësuar si një ndër xhamitë më të rralla në Ballkan.

Në muret e saj gjenden disa piktura që i përkasin shekullit të 18-të.

8. Vizitoni Muzeun e Artit Mesjetar

Korçës nuk i mungojnë muzeumet; vetëm pesë minuta nga Pedonalja, ndodhet Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar. Një vizitë këtu është domosdoshmëri. Sa mirë që e kemi, që të kemi me se të krenohemi. Një ndër thesaret e Korçës, ku ruhen ikona dhe vepra të piktorëve të mëdhenj mesjetar.

Punët e Onufrit janë të ekspozuara në një pavion të veçantë, të quajtur si Pavioni i Labirintit të Zi.

Në një sfond të errët e misterioz spikat e kuqja e tij. Ia vlen ta vizitosh, qoftë për të parë nga afër “të kuqen e Onufrit”, impresionuese dhe kaq të famshme.

Fondi i muzeumit ka rreth 7000 objekte kulti dhe arti, kryesisht ikona e më pak punime guri, druri apo metali.

9. Shijoni birrën Korça dhe blini suvenire

Jo shumë larg nga Muzeu ndodhet Birrari Korça, më e famshmja birrë në vend. Eshtë e pamundur të vish në Korçë e të mos shijosh birrën e saj.

Fabrika më e rëndësishme e birrës është në Korçë dhe ka prodhuar birrë të famshme që nga viti 1928. Disa thonë se është edhe birra më e mirë në të gjithë Gadishullin Ballkanik. Çdo gusht, Pazari i Vjetër pret një festival kulturor kushtuar tërësisht birrës.

Kaq shumë janë të lidhur korçarët me birrën, sa pjesë e dekorimit tek Pazari i Vjetër, janë edhe gotat gjigande të birrës që varen mbi kokat e korçarëve që ndërkohë pijnë birra.

Ashtu gjysëm të dehur nga birra dhe muzika, mund të hyni e dilni nga dyqanet e vogla përreth, për të blerë suveniret tuaja nga ky qytet.

10. Darka tek Vasili

Foto nga: Taverna Vasili

Ka shumë vende ku mund të hash e të kënaqesh në Korçë. Por, nëse dëshiron të ndiesh si në një ambient tradicional korçar dhe të hash gjëra të mira e të shihjshme “pe Korçe”, Taverna Vasili është ndër më të famshmet në qytet. Mos e lini pa shkuar!

Sapo hyni do ju duket sikur ndodheni në shtëpi, nga ngrohtësia e oxhakut dhe arredimi me dru e qilima të shtruar. Gatimet janë tradicionale, prandaj mos prisni gjëra të rafinuara të zbukuruara me salca të bukura e pa shije, por receta tradicionale, të shijshme që ta hapin oreksin në maksimum.

Këtu do të hani kërnacka të mira, bukë të mirë, speca me gjizë të mirë, supë të mirë, mish të pjekur të mirë…..Do të pini raki të mirë, por edhe në fund ëmbëlsirë. Në sfond ju shoqërojnë serenatat korçare dhe ju mund të festoni deri në orët e para të mëngjesit.

© Ndalohet kopjimi ose riprodhimi i të gjithë materialeve, si tekst apo audio, ose fotove pa lejen e autorëve!

Për fotot ilustruese, ndonjëherë jemi të detyruar të përdorim fotografi nga interneti. Nëse kjo gjë prek interesin e personave të interesuar, na sinjalizoni dhe ne menjëherë do i heqim ato!

Share this:
Tags:

Add Comment

20 − 15 =

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.