Sunday May 19 2019

NE BRENDESI TE KRYEQYTETIT ABDULHAMID

“Payitaht Abdülhamid”ose “Kryeqyteti Abdulhamid”, siç e tregon e tërë përvoja me serialet turke që trajtojnë temën historike të perandorisë otomane, ka ngjallur interes të madh për publikun shqiptar. Interesi ka të bëjë jo vetëm me personazhet historikë dhe epokën e cila ka ndikuar për 500 vite në jetën dhe mendësinë e shqiptarëve, por edhe me sjelljet zakonore apo stilin e jetesës.

Poster i filmit Payitaht Abdülhamid

Tërhiqemi pas larmisë së kostumeve, pallateve madhështore dhe dekorimeve me mobilje të shtrenjta e luksoze. Dhe natyrshëm lind pyetja se cili është sot destinacioni i këtyre pallateve luksoze që turqit i quajnë sarayi, a janë funksionale, apo janë shndërruar në muzeume?! Cili është fati i rezidencave super luksoze që sulltanët otomanë i ndërtuan dhe trashëguan deri në fund të Perandorisë?

Për të gjithë kureshtarët ne kemi bërë kërkimet tona dhe kemi mësuar se “Kryeqyteti Abdulhamid” nuk është xhiruar në asnjë prej pallateve ku ngjarjet zhvillohen, pasi këta rezidencat sot janë shndërruar në muzeume, apo pjesërisht në hotele luksoze.

Megjithatë mund të themi se filmi është xhiruar në studio filmike dhe në një lagje reale të Stambollit. Le të shohim konkretisht se ku janë këta vende dhe përse bëhet fjalë.

  • Seka Film Platosu
  • Eyüp
  • Yildiz Sarayi
  • Dolmabahçe Sarayı

Seka Film Platosu

Skene e ndertuar e shetitores se epokes Otomane gjate vitit 1850
Shesh xhirimi ne Seka Film Platosu per filmin Payitaht Abdülhamid
Bülent Inal, gjate xhirimeve, ne rolin e Sulltanit II Abdülhamid
Hakan Boyav, ne rolin e Mahmut Pashes, duke dhene interviste per rolin e tij
Nje skene e ndertuar ne Seka Film Platosu per filmin
Ne studion filmike Seka Film Platosu, skene e pergatitur per xhirime

Seka Film PlatosuIzmir është studio më e madhe në Europë dhe e dyta më e madh në botë pas Hollywood -it. Ky vend nuk ka pushuar së tërhequri vëmendjen e prodhuesve vendas dhe të huaj, që duan të xhirojnë filma historikë korrekt dhe seri televizive.

Seka Film  Platosu ofron mjete të ndryshme lëvizëse, siç janë karrocat me kuaj, dekore, rreth 5 mijë kostume dhe 10 mijë aksesorë që u mundësojnë prodhuesve të filmave të xhirojnë filma, seri televizive dhe dokumentarë që i zhvillojnë ngjarjet nga shekulli i 16-të deri në shekullin e 20-të.
Ky kompleks studiosh, në të cilin është xhiruar pjesa më e madhe e Abdülhamid-it, u rinovua tërësisht dhe u transformua për ta përshtatur edhe më shumë me periudhën e filmit.

Për filmin “Payitaht Abdülhamid” (Kryeqyteti Abdulhamid) përveçd dekoreve ekzistuese, janë ndërtuar edhe 70 ambiente të reja, duke përfshirë rezidencën Yıldız, ambiente të vogla dhe të mëdha, shkallë, dhomën e zdrukthtarisë së Sulltan Abdülhamid, kopshtin, haremin, dhomat, sallonet dhe çdo aksesor i tyre, pa harruar as qilimat e kohës. Dekorimi nga brenda i ambienteve, gjithashtu është kompetencë e studios, e cila ka një staf të madh krijuesish dizenjatorë dhe ato ditë pas dite, hartojnë dizenjimin e ambienteve të brendshme në varësi të kërkesës.

Ndonjëherë kërkesa për njerëz është shumë e madhe, sa mund të nevojiten deri në 300 persona në ditë si figurantë. Shumica e tyre janë banorë të zonave përreth. Me pak fjalë ambienti ku zhvillon ngjarjet Abdülhamid, nuk eshte as më shumë e as më pak, por studio më e madhe filmike në Europë që ndodhet në Izmir, e orientuar për filmat historikë të periudhës otomane.

Deri më tani, 16.5 milionë dollarë janë investuar aty gjatë gjashtë viteve të fundit, kohë në të cilën u xhiruar filmi “Kryeqyteti Abdulhamid”.

Eyüp

Nje nga lagjet me te famshme te Stambollit, Eyüp
Xhamia ne Ejup, ku falej Sulltani
Rruge ne Eyüp, lagje e famshme e Stambollit, ku eshte xhiruar filmi

Por, përveç dekoreve të ndërtuara në studion e Seka Film, mjaft xhirime janë bërë edhe në natyrë të hapur. Për të realizuar këta skena ka shërbyer një lagje shumë e njohur e Stambollit, të cilën ne jua propozojmë edhe si destinacion turistik. Duke shëtitur rrugicave të lagjes, udhëtarëve do ju duket vetja si një nga personazhet epokalë të periudhës për të cilën po flasim.

Eyüp është një lagje simpatike e Stambollit, e vendosur në fund të Haliç (Briri i Artë – një fjord natyror në pjesën Europiane të Stambollit).
Eyüp u krijua pas pushtimit të Konstandinopojës dhe ishte vendqëndrimi i parë turk në Stamboll.

Ndodhet jashtë mureve të qytetit dhe e merr emrin nga varri i Eyyub al Ansari, një shok i Profetit Muhamed, i cili besohet të ketë vdekur këtu, kur arabët e rrethuan qytetin në shekullit të 7-të.

Në një mënyrë ose në një tjetën (me autobus, taksi, varkë, apo edhe ecje për më shumë aventura) do të arrini në Eyüp ku do të shijoni vërtetësinë dhe pamjet e saj madhështore mbi Bririn e Artë. Gjatë rrugës për në qendër të Eyüp-it, do të zbuloni Café Pierre Loti, tregjet Eyüp, Xhaminë Eyüp Sultan,  dyqanet tradicionale me lodrat e bukura të punuar me dorë dhe do të befasoheni nga shtëpitë e bukura prej druri të kësaj lagjeje autentike të frekuentuar nga familjet turke .

Ndër ndalesat më spektakolare është Café Pierre Loti. Fama e saj rrjedh nga shkrimtari francez, Pierre Loti, i cili erdhi këtu për të medituar dhe për të shkruar poezitë e tij rreth qytetit romantik të Stambollit në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të. Sot, edhe ju mund të shijoni këtë pamje madhështore duke shijuar kafen ose çajin tuaj turk.

Lexo edhe: 10 GJERA QE DUHET TE SHIHNI E TE BENI NE STAMBOLL

Lexo edhe: APP ME TE MIRA PER TE VIZITUAR STAMBOLLIN

Rezidencat

Porta hyrese ne Dolmabahçe Sarayi

Duke qenë një film rreth politikës, historisë dhe diplomacisë së kohës, pjesa më e madhe e filmit përqëndrohet në dy rezidenca të rëndësishme për Sulltan Abdülhamid-in: në Yildiz Sarayi (Pallati Yildiz) dhe Dolmabahçe Sarayı (Pallati Dolmabahçe).

Bëhet fjalë për dy komplekse madhështore, rezidenca të Sulltan Abdülhamid, me një bukuri arkitektonike dhe stil mahnitës, por që ekipi i filmit nuk ka mundur t’i përdorë ambientet e tyre, por vetëm t’i rindërtojë ato në studion e filmit që përmendëm më sipër.

Me një të shkuar të lavdishme shekullore, sot ato janë kthyer në muzeume të cilat ne ju ftojmë t’i vizitoni patjetër, me të shkuar në Stamboll.

Yildiz Sarayi

Kopeshti para Yildiz Sarayi
Ambient privat ne Yildiz Sarayi
Teatri Privat Mbreteror, ndertuar nga Abdülhamid , ne Yildiz Sarayi
Yildiz Sarayi

Yildiz Sarayi, që është shëmbulli i fundit i arkitekturës së rezidencave Otomane të Turqve, ndodhet në kodrën Yildiz në Beşiktaş.
Yıldız Sarayi, që do të thotë “Pallati Yll”, u ndërtua në vitin 1880 dhe ngritja e tij ishte urdhëruar nga Sulltani Otoman Abdülhamid II.
Pallati përmban një kompleks ndërtesash ku përfshihen Büyük Mabeyn (apartamentet shtetërore), Şale Pavilion (shtëpia), Teatri Yıldız dhe Shtëpia e Operas, Muzeu i Pallatit Yıldız dhe Punishtja Mbretërore e Porcelanit. Gjithashtu ka edhe kopshte shumë të bukura dhe njëkohësisht shumë të dashura për turqit.

Rezidenca e Sulltanit ishte Şale Pavilion. Ndërtesa ka dy kate dhe bazamenti është ndërtuar nga përzierja e drurit me gurin.
Që nga viti 1994 Yildiz Sarayi është kthyer në muzeum kushtuar Sulltanit dhe objekte me vlerë ndodhen të ekspozuara aty. Në to perfshihen shumë prej punimeve të tij me dru dhe me porcelan.

Adresa: Yildiz Mah. Barbaros Bulv. Hamam Sok. No:62 Gayrettepe, Besiktas, Istanbul

Orari: Nga ora 09.00 deri në 19.00 gjatë sezonit të verës (15 prill – 1 nëntor). Nga ora 09.00 -16.30 gjatë sezonit të dimrit (1 nëntor – 15 prill). E enjte pushim

Çmimi: 10 lira turke

Dolmabahçe Sarayı

Pamje nga jashte e Dolmabahçe Sarayi, sot e shnderruar ne muze
Nje nga sallonet madheshtore ne Dolmabahce Sarayi
Llambatari i famshem, dhuruar nga Mbreteresha e Anglise, Victoria, per Ddolmabahce Sarayi
Nje salle madheshtore ne Dolmabahce Sarayi, ku dominojne stolite prej kristali

Dolmabahçe Sarayı, ishte rezidenca për gjashtë sulltanët e fundit të Perandorisë Otomane. Ai portretizon gjithçka që ishte e drejtë dhe e gabuar për sundimtarët dhe sundimin e tyre për më shumë se 600 vjet. Sarayı Dolmabahçe u ndërtua midis 1843 dhe 1856. Në tërësinë e tij ai ka 285 dhoma, 44 salla, 68 tualete dhe 6 banjo turke. Plot 14 ton ari janë përdorur për të dekoruar tavanet në fletë ari, gjë që dëshmon luksin e jashtëzakonshëm mes të cilit ata jetonin. Për shkallët kryesore u përdor kristal i pastër, ndërsa 131 qilima të punuar me dorë zbukuronin dyshemetë.

Ndërsa sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme, Mbretëresha Victoria e Anglisë, gjithashtu vendosi të tregojë pasurinë e saj, duke dërguar një llambadar kristali si dhuratë. Ky llambadar është më i madhi në botë, përbëhet nga 750 llamba dhe peshon 4 ton.

Car i Rusisë dërgoi qilima të çmuar dhe udhëheqësit e tjerë të botës dhanë dhurata të shtrenjta për të përfunduar pamjen e përgjithshme të rezidencës.

Nënat e sulltanëve, gratë e tyre dhe kurtizanet jetonin në Harem, që ndodhet në pjesën e pasme të pallatit, në një jetë të mbushur me luks, intriga, xhelozi dhe rivalitet.

Ndërsa Selâmlık ishte godina ku mblidheshin vetëm burrat për të zgjdhur punët më të vështira të politikës dhe të biznesit. Ndodhej në pjesën kryesore të rezidencës.

Për të shijuar pallatin ju rekomandojmë të keni lexuar sa më shumë rreth historisë së tij. Duhet ta dini se nuk lejohen vizitat individuale por duhet t’i bashkoheni vizitave të organizuara.

Nga ana tjetër nuk lejohen fotografitë apo xhirimet me kamera, por gjithesi ju mos e humbisni rastin për të vizituar rezidencën nëse jeni në Stamboll.

Në tërësinë e tij ai ka 285 dhoma, 44 salla, 68 tualete dhe 6 banjo turke.

Plot 14 ton ari janë përdorur për të dekoruar tavanet në fletë ari, gjë që dëshmon luksin e jashtëzakonshëm mes të cilit ata jetonin.

Për shkallët kryesore u përdor kristal i pastër

131 qilima të punuar me dorë zbukuronin dyshemetë.

Orari: 08.45 – 16.00 çdo ditë, përveç të martave dhe të enjteve.

Çmimi: 20 lira turke për Haremin dhe 20 lira turke për Selâmlık.

© Ndalohet kopjimi ose riprodhimi i të gjithë materialeve, si tekst apo audio, ose fotove pa lejen e autorëve!

Për fotot ilustruese, ndonjëherë jemi të detyruar të përdorim fotografi nga interneti. Nëse kjo gjë prek interesin e personave të interesuar, na sinjalizoni dhe ne menjëherë do i heqim ato!

Share this:
Tags:

Add Comment

10 + 12 =

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.