Sunday May 19 2019

KOLONA ZANORE E STAMBOLLIT- 3 KENGETARET TOP

Muzika është pjesë integrale e Stambollit.Vetëm të ecni pak në rrugët e tij dhe do të dëgjoni këngët popullore nga baret e vogla pranë sheshit Eminönü, lojën e instrumentave tradicionale, të luajtur nga muzikantët në sheshin Galip Dede, popin turk, ku më së shumti pëlqehen baladat turke, në dyqanet e disqeve në Istiklal Caddesi, apo muzikë elektronike në ambientet e Beyoglu …

Muzika pop dëgjohet kudo në Stamboll, pasi industria diskografike është e lidhur me këtë lloj muzike dhe pëbën një nga sukseset më të mëdha te vendit. Praktikisht, e panjohur jashtë kufijve kombëtarë, muzika turke ka arritur të bëhet e njohur në botë nga ylli i muzikës pop, Tarkan, i cili për të thyer tregun botëror të muzikës dhe për hir të suksesit, ka refuzuar edhe shërbimin ushtarak ndaj vendit të tij..

Tarkan

Tarkan është ndër këngëtarët më të shitur jo vetëm në Turqi, por edhe në botë. Tarkani i përket ditëlindjes 1972 dhe fëmijërinë e ka kaluar në Gjermani.
Me kthimin e familjes në atdhe, ai iu përkushtua totalisht muzikës. Albumi i parë, nuk i dha atë që priste, ndërsa albumi i dytë ishte befasi edhe për vetë Tarkanin: 2.5 milion kopje të shitura vetëm në Turqi.

Suksesi më i madh diskografik, vjen në vitin 1997, Ölürüm Sana (Do të vdes për ty). Në nivel botëror, ky album shet 3.5 milion kopje. Për të promovuar albumin Tarkan nis edhe një turne muzikor në Amerikën Latine dhe Europë, por pikërisht në kulmin e suksesit artistik, atij i vjen thirrja për të kryer shërbimin ushtarak si detyrë ndaj atdheut.

Atëherë Tarkan heq dorë nga nënshtetësia turke, duke u akuzuar nga shumëkush si dezertor. Në vijim të kësaj ngjarjeje, një amendament si dhe vetëm një muaj ushtri, i kthejnë atij nderin e humbur. Tarkan mundi ta rimarë nënshtetësinë turke dhe të jetë sërish në shërbim të atdheut.

Tarkan di si të bashkohet me tingujt, ai të ngelet në mendje për ritmet tradicionale turke të bashkuara me ato perëndimore. Fenomen i admiruar në Turqi nga brezi i ri, Tarkan ka revolucionarizuar modelet e ngurta të traditës për shkak të performancës së tij në skenë, plot lëvizje dhe mjaft miqësore. I akuzuar nga shumë kritika për qëndrime në kundërshtim me moralin (për homoseksualitet dhe biseksualitet), ai në fakt i ka përdorur akuzat vetëm për të rritur popullaritetin e tij.

Zylfy Livaneli

Vijojmë udhëtimin tonë nëpër Stamboll, sigurisht në kërkim të muzikës. Një tjetër këngëtar, me më shumë përvojë dhe sigurisht më shumë i “respektuar” eshte Zylfy Livaneli, një muzikant turk, romacier, gazetar dhe regjisor, mjaft i njohur.

Muzika e tij shpesh përfshin orkestrime properëndimore dhe për këtë arsye kjo muzikë është lehtësisht më e arritshme për veshët jo-turkë. Zylfy Livaneli, i lindur në 1946 dhe deputet në disa legjislatura, është mjaft i njohur me muzikën e tij, sidomos për faktin se si ai ndërthur muzikën tradicionale.
Njeh bashkëpunime të ndryshme, ndër ta me grekun Mikis Theodorakis. Ky bashkëpunim i tyre është konsideruar një mënyrë e shprehjes, e aftë të vendosë lidhje mes kulturave të dy vendeve.

Livaneli ka kompozuar rreth 300 këngë, një rapsodi, një balet dhe 30 kolona zanore, njëra prej të cilave e vlerësuar me Palmën e Artë në Festivalin e Kanës së vitit 1982. Muzika e Livanelit është interpretuar në Shtetet e Bashkuara, Zvicër, Gjermani, Francë, etj. Fama e tij ndërkombëtare ka bërë që madje në vitin 2010, të këndojë me Bonon e grupit irlandez U2, gjatë koncertit të këtyre të fundit në Stamboll, Mothers of the Disappeared.

Asnjë tjetër si Zylfy Livaneli nuk ka arritur t’i këndojë më shumë lirisë, me dhjetra pjesë të krijuara prej tij i kushtohen lirisë dhe protestave të kohës. Kënga që kemi përzgjedhur prej tij mban titullin “Ey Özgürlük”, (Liria), kompozuar nga vetë ai, me tekst të poetit francez Paul Eluard. Kjo këngë për një kohë të gjatë u bë hymn për të rinjtë e viteve 80 në Turqi.

Sezen Akasu

Stambolli përmbush të gjitha shijet në muzikë. Të dashuruarit me Jazz-in mund të kalojne mbrëmje të këndshme në Nardis Club, ku çdo nate luhet muzike nga vendas dhe muzikantë ndërkombëtar.

Për të dëgjuar rrok ju mund të shkoni për një birrë në një nga lokalet e shumta të Istiklal, në të dyja rrugët e saj anësore, të mbushura me njerëz deri në mëngjes.
Por, nëse ju në veçanti pëlqeni muzikën me instrumente tradicionale, atëhere Galip Dede Caddesi do të bëhet rruga juaj e preferuar në Stamboll. Ky shteg i gjatë, që fillon vetëm mbi Urën Galata dhe mbërrin deri tek Tuneli ka të rreshtuara me dhjetra dyqane, ku ju mund të gjeni të gjitha llojet e instrumenteve muzikore turq, dhe jo vetëm.

Sezen Aksu, është padyshim këngëtarja më e madhe Turke. Ajo ka lindur në vitin 1954 dhe konsiderohet si diva e muzikës turke. Karriera e saj muzikore nis në vitet ’80, ndërsa në vitet ’90 ajo nxjerr albumin e saj të e suksesshëm.

Në sajë të albumeve të saj, sa eksperimental, aq edhe të rafinuar si dhe bashkëpunimit me Goran Bregovic, ajo kalon kufinjtë e Turqisë drejt Europës. Kompozitore, këngëtare dhe producente, Sezen Aksu ka shitur mbi 40 milion albume në mbarë botën. Mbahet si Mbreteresha e Muzikës Pop, si një ndër njerëzit me më shumë influencë në botën muzikore.

Eshtë e pamundur të shkosh në Stamboll dhe zëri i saj të mos të shoqërojë kudo. Ajo shoqëron vallet e pulëbardhave rreth Xhamisë së mrekullueshme Blu, të përkund në rrjedhën e ngadaltë te vërshimit të ujrave të Bosforit, i jep ritëm hapave gjatë shëtitjeve në muzg në kufirin midis Lindjes dhe Perëndimit, mbi kuvertën e mbushur me njerëz, në jetën e panjohur mes traditës dhe të ardhmes.

Eshtë shumë e lehtë të përhumbesh, mes erëzash, ngjyrave dhe vështrimeve të syve në Carshi, në tezgat e peshkut në Eminönü, mbi pullazet e Galatas, mes njerëzve, mozaikëve blu dhe maceve nëpër kopshte, duke shijuar tasat aromatik të çajit e ndonjëherë tymin e nargjilesë.

Me këtë muzikë e humbet sensin e kohës, duke ndjerë parfumet, shijet diellin dhe buzeqeshjen e turqve.

Share this:
Tags:

Add Comment

20 − 7 =

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.