Sunday May 19 2019

KUR TE SHKONI NE MYNIH: KLIMA DHE KESHILLA

Kur të shkoni në Mynih? Ja disa informacione për klimën dhe temperaturën muaj pas muaji. Zbuloni kohën më të mirë për të vizituar qytetin, periudhën kur kushton më lirë si dhe këshilla për ngjarjet dhe aktivitetet në çdo sezon.

Mynihu, kryeqyteti i Bavarisë, është një nga qytetet më piktoreske në Gjermani që gjendet në jugun e thellë të vendit. I njohur në të gjithë botën për festivale dhe ngjarjet spirituale që e animojnë atë, Mynihu ka bukuri të madhe dhe një qendër historike për t’u patur zili, plot me atraksione me famë botërore dhe muze prestigjioze.

Edhe me një milion e gjysëm banorë, Mynihu është i rregullt, i pastër dhe bashkon kombinimin e duhur të traditës me modernen, me syrin e së ardhmes dhe një lidhje krenare me historinë e saj të shkuar.

Më poshtë po japim disa këshilla se kur duhet ta vizitoni qytetin, cilat janë ngjarjet dhe aktivitetet që nuk duhen humbur nga sezoni, si dhe disa sugjerime për të shmangur shpenzimet e mëdha.

Klima, temperaturat mesatare dhe rreshjet

Në Mynih, klima është kontinentale, me dimër të ftohtë dhe verë të butë. Duke qenë i vendosur në afërsi të Alpeve, qyteti është i ekspozuar ndaj erërave të acarta që vijnë nga malet dhe prandaj është një nga më të ftohtët në të gjithë Gjermaninë, ndërsa në verë është subjekt i stuhive të forta.

Gjatë sezonit të vjeshtës, megjithatë, një erë e ngrohtë dhe e thatë që zbret nga Alpet Jugore Bavareze, Fohn, mund të shkaktojë rritje të papritur të temperaturës dhe ulje të lagështisë relative. Megjithatë, në përgjithësi, temperaturat luhaten midis 0 ° gjatë muajve të ftohtë dhe 19 ° gjatë muajve të verës me reshje të bollshme (më të shumtat janë rreshjet në muajt maj dhe gusht).

Kur ia vlen të shkoni në Mynih

Koha më e mirë për të vizituar Mynihun nga pikëpamja klimatike është midis gushtit dhe tetorit, kur ditët janë ende të ngrohta dhe me diell, gjë që do t’ju lejojë të bridhni lirshëm në qytet, pa pasur nevojë të vraponi për të gjetur strehë nga stuhitë e papritura.

Megjithatë, për fat të keq, është edhe periudha më e kërkuar (dhe për këtë arsye më e shtrenjtë), sidomos duke nisur nga dy javët e fundit të shtatorit, pasi këtu organizohet Oktoberfest.

Nëse nuk jeni veçanërisht të interesuar për këtë ngjarje (megjithëse ne e rekomandojmë), mund të zgjidhni muajt e verës dhe, në veçanti, qershorin dhe korrikun, kur është më e lehtë të gjeni strehim të lirë dhe fluturime me kosto më të ulët nga aeroportet pranë Shqipërisë (Podgoricë, Shkup).

Mynihu në pranverë

Sezoni i pranverës është ende mjaft i ftohtë, me reshje të mundshme deri në mes të prillit. Sidoqoftë, edhe kur temperaturat bëhen paksa më të buta në fillim të majit, situatat e motit paraqitet me temperatura që nuk kanë ndonjë ndryshim të madh, mes ditës dhe natës.

Megjithatë, sa më shpejt që dimri i hap rrugë të pranverës, aq më shpejt mijëra lule dhe ngjyra përmbytin sheshet kryesore të qytetit (rrugët më të bukura dhe të dekoruara janë Gartnerplatz dhe Karolinenplatz). Jeta lëviz në oaze të papërlyer gjelbërimi, ku mund të shkohet për t’u çlodhur, apo për të pirë birra. Ndër më të preferuarit është Englischer Garten, një vend i përsosur për të shijuar ardhjen e pranverës.

Ndër ngjarjet që nuk duhen humbur të kësaj perudhe janë: Festivali i Pranverës (në fund të prillit-fillim të majit), gjatë të cilit ju mund të shijoni kuzhinën bavareze dhe birrën lokale; Auer Dult (një treg historik i Mynihut që hapet tre herë në vit), si dhe Streetlife Festival (festivali i rrugës (në fillim të majit) që zhvillohet përgjatë rrugëve më të rëndësishme të qytetit.

Mynihu në verë

Vera në Mynih sjell ditë me diell dhe të ngrohtë (edhe pse rreziku i stuhive të pasdites mbetet i lartë), si dhe një seri ngjarjesh që zgjojnë qytetin dhe banorët e saj, të rriturit dhe fëmijët: në fund të qershorit zhvillohet Tollwood Festival, në emër të ekologjisë dhe ndikimit zero në mjedis; në korrik Endrra e një nate të mesit të verës, me koncerte dhe shfaqje fishekzjarresh, si dhe Summer Festival.

Megjithatë, si ndër aktivitetet më të mira për tu bërë në këtë periudhë, ju rekomandoj që të mos humbisni mundësinë për të marrë pjesë në një Barbecue pranë Flaucher, ose të shijoni një birrë të ftohtë poshtë hijes së një peme gështenje: birraritë e hapura padyshim janë një nga gurët themelorë të stilit të jetesës në Mynih!

Së fundmi, pranë Muzeut Haus der Kunst, ju mund të hasni me akrobatët e sërfit, që synojnë të hipin mbi valët e Eisbach (lumë artificial në Mynih i gjatë 2 km).

Mynihu në vjeshtë

Sezoni i vjeshtës në Mynih, fillimisht është shumë i këndshëm, por klima ndryshon shpejt dhe në fund të tetorit mund të ndodhin ngricat e para të sezonit. Prej nëntorit e tutje, ditët fillojnë të jenë kryesisht të ftohta dhe të lagështa, me përjashtime shumë të rralla të motit të mirë.

Megjithatë, vjeshta është sezoni më i mirë për të vizituar qytetin, jo vetëm për parqet që marrin ngjyrë portokalli dhe pubet e lumtur, por edhe për shkak se midis shtatorit dhe tetorit mbahet një nga ngjarjet më të njohura për të dashuruarit me birrën: Oktoberfest.

I lindur në 1810 për të festuar dasmën e princit Ludwig, ky festival është rritur proporcionalisht, duke u bërë një nga më të njohurit në botë (çdo vit, rreth 6 milionë njerëz marrin pjesë). Megjithatë, nëse planifikoni të merrni pjesë, sigurohuni që të rezervoni strehim, sepse rrezikoni të mos gjeni vend.

Mynihu në dimër

Në dimër, temperaturat e ditës janë disa gradë mbi zero, por klima është padyshim e paqëndrueshme, për shkak të ndryshimit të rrymave perëndimore me masat e ajrit të ftohtë që vijnë nga Rusia. Dimrat me borë janë mjaft të shpeshta.

Me uljen e temperaturave, kanali i kështjellës së Nymphenburgut kthehet në një pistë për të bërë curling, që hapet nga të dyja anët e saj, për fillestarët dhe ekspertët.

Përndryshe, ju mund të dëshironi të bëni një udhëtim në kopshtin zoologjik Hellabrunn, ku mund të shihni drerin, yak (kafshë e Himalajeve) dhe ariun polar.

Nëse jeni në Bavari për Krishtlindje, mos humbisni Tregjet e famshme të Adventit: më i madhi ndodhet në Nurenberg, por ai që ndodhet në Mynih në Marienplatz është ndër më të njohurit, për shkak të tezgave me ëmbëlsira dhe vin brulé (verë e ngrohtë), të shoqëruar nga vallet dhe këngët tradicionale.

Si të visheni sipas stineve ne Mynih?

  • Në dimër: rroba të rënda (triko leshi, pantallona termike ose xhinse të gjata, çorape të leshta, xhakovento, shall, kapele dhe doreza), çadër.
  • Në verë: bluza dhe pantallona të shkurtra që vishen në gjysëm sezoni dhe rroba të mesme (bluza pambuku, xhinse të gjatë, këpucë të rehatshme dhe ndoshta të papërshkueshëm nga uji, xhaketë lëkure ose pardesy), çadër.
  • Në vjeshtë dhe në pranverë: rroba që vishen në gjysëm sezoni (bluza pambuku, xhinse ose pantallona, të gjata, këpucë të papërshkueshme nga uji, xhaketë e lehtë lëkure), çadër.
Share this:
Tags:

Add Comment

5 × one =

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.