Sunday October 20 2019

MISH QINGJI I PJEKUR ME EREZA AROMATIKE

Eshtë një recetë shumë e thjeshtë, që shkon shumë me patatet e pjekura dhe sallatën e stinës, sidomos në drekën e të dielës së Pashkëve.

Sekreti i saj qëndron tek marinimi që bëhet një natë përpara me qëllim që shija e bimëve aromatike të përthithet sa më mirë nga mishi.

Përbërësit për 6 persona:

2 kg mish qingji, kofshë ose brinjë
1 degë rozmarinë
2 thelbinj hudhër
1 limon
1 gjethe dafine
kripë
piper
pak vaj ulliri
1/2 gotë verë e bardhë
1 gotë ujë

1) Marrim copat e mishit, i vendosim në një tas dhe ndërkohë përgatisim erëzat. Copëtojmë gjethen e dafinës, degën e rozmarinës, hudhrat dhe i hedhim sipër mishit, duke shtuar kripën, piperin e zi, vajin e ullirit dhe lëngun e limonit të shtrydhur. Pasi i përziejmë mirë dhe me kujdes, e mbyllim tasin me kapak, ose letër plasmasi për kuzhinë dhe e fusim në frigorifer të marinohet(jo tek akulli), deri të nesërmen para drekës.

2) Furrën e kemi parangrohur me 200 gradë. Marrim një tavë dhe shtrojmë copat e mishit, bashkë me gjithë përbërësit që kemi hedhur mbi të. Shtojmë verën dhe ujin, i vendosim sipër tavës një letër furre për pjekje dhe e fusim të piqet në temperaturën 180 gradë, për rreth 1 orë (varet nga mishi). Nëse gjatë pjekjes, lëngu shteron, i shtojmë nga pak ujë.

3) Nga fundi i pjekjes, pasi mishi është zbutur, heqim letrën dhe e lëmë 10 minutat e fundit pa letër që të skuqet nga pak. Në fund do të ngelet me shumë pak lëng me të cilin spërkasim mishin gjatë servirjes.

Share this:
Tags:

Add Comment

five × 4 =

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.