Sunday November 17 2019

VENEZIA, 10 PJATA TIPIKE, ME PAK SE 20 EURO

Jeni në Venecia dhe doni të hani? Nuk ka problem! Stafi i Travel Bar është gjithmonë i lumtur “të shpëtojë” edhe turistët më të dhënë pas ushqimit, duke këshilluar pjatat më esenciale të kuzhinës veneciane, për t’i dhënë edhe gojës kënaqësinë që i takon. Pasi Venecia, nuk është thjesht vendi i gondolave dhe romancës, por edhe i ushqimit të shijshëm.

food lovers venezia

Nëse flasim për recetat e kuzhinës veneciane nuk kemi si të mos flasim për Mercato di Rialto, ndër vendet më të preferuara në Venecia. Ky treg përmendet me të njëjtin emër që në vitin 1097, si vend i shkëmbimeve tregtare, lidhjes së tregtarëve, tezgave dhe dyqaneve, produkteve të freskëta që vijnë direkt nga deti apo produkteve të mishit. Edhe sot ngelet i njëjti treg po aq i rëndësishëm, shumë i vizituar nga turistët dhe pikë referimi për kuzhinën tipike tradicionale. E bukura dhe e mira e kuzhinës tradicionale nis nga këtu. Produktet e lagunës shfaqen në treg që në orët e hershme të mëngjesit dhe nis përgatitja e tyre në enët tipike veneciane. Kjo është një eksperiencë që nuk duhet humbur në tregun Rialto.

Pikërisht nga këtu jemi vënë në kërkim të 10 pjatave të mira e të lira, që nuk i kalojnë 20 euro.

Lexo edhe: 10 GJERA QE DUHET TE SHIHNI E TE BENI NE VENECIA

1. Baccalà mantecato (Baccalà me krem)

food lovers venezia

Një version i këndshëm i baccalà-së, e cila ndryshe nga recetat e zakonshme, kthehet në një antipastë të këndshme, duke u shndërruar në një diamant të aperitiveve veneciane. Truku qëndron tek lënda e parë: peshku gatuhet në qumësht dhe pastaj shndërrohet në një krem të butë që shoqërohet me bukë të thekur ose polenta, duke u shndërruar në një “snack” të këndshëm në shije.

  • Rekomandohet: si antipastë
  • Kostoja mesatare: € 12.00
  • Përbërësit kryesorë: Baccalà, qumësht, majdanoz, hudhër, vaj

2. Risi e Bisi

food lovers venezia

Siç dihet mirë, pjesa veriore e çizmes italiane është lider në kultivimin dhe përgatitjen e pjatave, ku orizi është përbërësi kryesor. Nuk bën përjashtim Venecia, që me thjeshtësi, por me zgjuarsi dhe intuitë, në përzierjen e shijeve dhe aromave, ka krijuar këtë pjatë, një shtyllë e gastronomisë së saj, e pëlqyer nga turistët nga e gjithë bota.

  • Rekomandohet: për drekë ose darkë
  • Kostoja mesatare: € 14.00
  • Përbërësit kryesorë: oriz, proshutë, bizele

3. Fegato alla Veneziana (Mëlçi veneziane)

food lovers venezia

Një pjatë aq popullore, sa është e vështirë të imitohet. Eshtë mëlçia veneciane, një pjatë e dytë, që gatuhet vetëm me gjalpë, qepë (një nga përbërësit kryesorë të kuzhinës veneciane) dhe vaj. E shoqëruar me polenta bëhet një pjatë e shijshme, e cila kënaq dhe ato që nuk ngopen kollaj.

  • Rekomandohet: për drekë ose darkë
  • Kostoja mesatare: € 14.00
  • Përbërësit kryesorë: mëlçi, vezë, qepë, gjalpë

4. Fritole

food lovers venezia

Ëmbëlsirë tipike e Karnavaleve veneciane, por shumë popullore në çdo periudhë të vitit. Janë toptha brumi të skuqur, të përgatitur me arra, stika pishe dhe rrush të thatë. Të mbushura nga brenda me krem pastiçerie ose zabaione (lloj kremi italian). Janë përgatitur për herë të parë në shekullin e 18 dhe ende konsiderohen ëmbëlsira tipike të zonës.

  • Rekomandohen: si një ëmbëlsirë pas një vakti
  • Çmimi mesatar: € 2.00
  • Përbërësit kryesorë: miell, arra, stika pishe, rrush i thatë, sheqer pluhur, zabaglione

Lexo edhe: ÇFARE FSHIHET POSHTE LAGUNES SE VENEZIA-S?

5. Polenta e schie

food lovers venezia

Së bashku me qepët, polenta është një nga përbërësit më të përdorur në kuzhinën veneciane. Në këtë kombinim me karkalecët e vegjël të lagunës, ushqimi i bazuar në miell të verdhë ose të bardhë, zbulon një potencial të pashembullt, duke dhënë një shije të këndshme dhe vendimtare në gojë. Kombinimi i peshkut dhe polentën, është gjithnjë perfekt!

  • Rekomandohet: për drekë ose darkë
  • Kostoja mesatare: € 18.00
  • Përbërësit kryesorë: polenta, karkalecë

6. Fritto misto alla Veneziana (Peshk i përzier i skuqur)

food lovers venezia

Konsiderohet pajtë par excellence e ushqimit të rrugës veneciane (në fund të fundit, shiten në kuti kartoni klasike nga shitësit e rrugëve), por mund të porositen edhe të ulur në një tavolinë në një restorant, ose në një tavernë. Skuqja e peshkut të përzier konfirmon edhe njëherë se, qyteti venecian di si ta “trajtojë” me kujdes faunën e tij të peshkut, duke i dhënë klientit ushqime jo vetëm të shijshme, por në të njëjtën kohë jo shumë të përpunuara.

  • Rekomandohet: për drekë ose darkë
  • Kostoja mesatare: € 20.00
  • Përbërësit kryesorë: sardele, kallamarë, karkalecë, miell, molusqe, kripë

7. Bigoli in salsa (Bigoli në salcë)

food lovers venezia

Një pjatë e parë me një aromë të plotë, e bërë me një lloj spageti (por më të trashë) dhe të shërbyer me një salcë të veçantë të bërë me qepë dhe sardele. Zakonisht shërbehet në darkën e Krishtlindjeve, por sot është e mundur që ta porosisni në çdo restorant, në çdo kohë të vitit.

  • Rekomandohet: për drekë ose darkë
  • Kostoja mesatare: € 10.00
  • Përbërësit kryesorë: bigoli, sardele, qepë

8. Sarde in saor (Sardele në saor)

food lovers venezia

Sardelia është një peshk që mburret me shumë interpretime në kuzhinë veneciane. Ndër këto, vlen të përmendet sarde në saor, që është pjatë kryesore në antipastat veneciane. Peshku është thjesht i marinuar me qepë dhe uthull, pastaj i aromatizuar me rrush të thatë dhe arra, stika pishe dhe i skuqur në zjarr të nxehtë.

  • Rekomandohet: si antipastë për drekë ose darkë
  • Kostoja mesatare: € 10.00
  • Përbërësit kryesorë: sardele, qepë, rrush i thatë

9. Bisato sull'ura

food lovers venezia

Venecianët e njohin si Bisato sull’ara, sepse në kohët e lashta mjeshtrit e qelqit të Muranos e gatuanin atë në furrat e tyre me xhama. Një recetë e thjeshtë, e cila përfshin gatimin e ngjalës të ndarë në copa, me një fetë limoni, të pjekur në furrë. Shërbehet me polenta të nxehtë, ashtu edhe si sepia e zezë, një tjetër pjatë tipike e zonës.

  • Rekomandohet: si drekë apo darkë, pjatë e dytë
  • Kostoja mesatare: 18 euro
  • Përbërësit kryesor: ngjala, limoni

10. Zaeto

food lovers venezia

Me ngjyrën e tyre të verdhë (shkaktuar nga përdorimi i miellit të misrit në brumë), zaetit janë kaq të shijshme dhe thërrmuese në gojë, sa do të krijoi varësi prej tyre! Ato mund të hahen vetëm, ose ndoshta të shoqëruara nga një gotë e mirë verë. Një gjë është e sigurt: sapo t’i shijoni nuk do të mund të ndaloni së ngrëni.

  • Rekomandohen: pasdite ose mbrëmje si snack
  • Kostoja mesatare: € 1.50
  • Përbërësit kryesorë: miell misri, gjalpë, rrush i thatë, raki
Share this:
Tags:

Add Comment

seventeen − 13 =

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.