Sunday November 17 2019

JO VETEM KENGE: ÇFARE TE BESH NE SANREMO GJATE FESTIVALIT

Çfarë mund të bësh në Sanremo gjatë Festivalit të muzikës italiane? E dimë të gjithë se komuna e vogël e Ligurias ka marrë gjithë famën dhe hapësirën mediatike sepse mirëpret, të gjitha edicionet e Sanremos-s, ngjarja muzikore më e ndjekur e muzikës italiane.

Ju kujtojmë se periudha më e bukur për ta vizituar Sanremo-n është vera, ku klima është mjaft favorizuese për turizëm dhe natyra shpërthen në mijëra ngjyra.

Por nëse jeni fan i muzikës dhe showbiz-it italian, nëse keni dëshirë të takoni apo bëni fotografi me personazhet e tij dhe të ftuarit ndërkombëtar, atëherë përfitoni nga Festivali i Sanremo-s. Zini pritë në hollet e hoteleve ku ato qëndrojnë, apo prisni para Teatrit Ariston. Ku i dihet fati edhe mund t’ju buzëqeshë.

Por kjo nuk është e gjitha, Sanremo nuk është vetëm festival, qyteti ofron në fakt shumë alternativa të tjera, përveç Teatrit Ariston, i cili periudhën e muajit shkurt e ka më të bukurën e vitit. Atëherë çfarë mund të bëni tjetër në Sanremo? Ja propozimet tona sipas Travel Bar.

1. Blini lule nga Sanremo

Sapo të arrini në Sanremo, sytë do ndeshin në një peizazh të bukur, me male në sfond dhe kodrat e pjerrëta që zbresin deri në det dhe më pas lule dhe bimësi tropikale.

Trëndafila elegantë, karajfila me aromë, begonja me ngjyra, vjola dhe kamelia. Në kodrat e Sanremos, do të shihni sera të mëdha dhe çisterna uji për ujitje, pasi zemra e kultivimit të luleve është pikërisht këtu. Mjeshtëria e kultivuesve vendas, e kombinuar me kujdesin e mençur të fermerëve si dhe klima mjaft e favorshme, ka bërë të mundur prodhimin e luleve që eksportohen në mbarë botën.

Salla elegant që pret koncertin e Vitit të Ri në Vjenë zbukurohet me lulet e bukura të Sanremo-s, vetë Teatri Ariston ku zhvillohet ky festival, zbukurohet nga lulet e Sanremo-s dhe çdo femre qe shkel në këtë skenë i dhurohen buqeta me këta lule. E keni parasysh se sa fantastike janë? Po kështu salla në Stokholm gjatë dorëzimit të çmimeve Nobel.

Duke ecur nëpër rrugë e qytetit me palma, ju do të zhyteni në vjolat që çelin në mijëra ngjyra: të verdha, lejla, të kuqe; do të zhyteni mes ciklaminit dhe luleve të tjera plot aromë. Një kopsht i gjallë në brigjet e detit. Karafilat ose trëndafilat janë sigurisht një nga kujtimet më të mira të qytetit, që mund ta merrni me vete edhe larg Sanremo-s.

2. Il Casinò (Kazinoja)

Kazinoja më e vjetër e Italisë e vendosur në një ndërtesë të stilit Liberty, është inaguruar në 1905 me emrin “Kurzaal“, ndodhet vetëm pak hapa larg Teatrit Ariston dhe është absolutisht, një nga katër shtëpitë e lojrave më të mëdha në Itali. Një pjesë e vërtetë dhe e çmuar e historisë që ka mirëpritur Festivalin në hapat e tij të parë, nga viti ‘51 deri në vitin ‘76 pranë “Salone delle feste“. Ndërtesa, përveç sallës dedikuar lojës dhe sallës së Teatrit, mirëpret edhe restorantin prestigjoz Biribissi, (i cili ia dedikon emrin e tij një loje kumari të viteve ‘600, të ngjashme me lotarinë)si dhe Roof Garden(Kopështi Çati), i hapur vetëm darkave dhe i dedikuar mbrëmjeve dhe spektakleve muzikore të artistëve kombëtar e ndërkombëtar.

3. La Chiesa Russa (Kisha Ruse)

Nga profane tek e shenjta, kisha e Cristo Salvatore është një nga ndërtesat më interesante për tu parë në qytet. Eshtë një kishë e ritit ortodoks, e ndërtuar në Sanremo në fillim të 1900-ës nga një fisnik rus, i cili kishte zgjedhur qytetin si vend turistik dhe kurativ. Në brendësi të kopështit të kësaj ndërtese të shenjtë, themeluar rreth 1912-ës, ndodhen dy buste, njëri që i kushtohet mbretit të Italisë Vittorio Emanuele III dhe tjetri që i kushtohet gruas së tij, mbretëreshës Elena nga Mali i Zi (e cila para martesës i përkiste besimit ortodoks). Interesant është fakti se bustet u ndërtuan ndërsa mbreti e mbretëresha jetonin.

4. La Cattedrale di San Siro (Kisha e San Siros)

Kisha e San Siro-s u ndërtua në fillim të shekullit të XII mbi mbetjet e një kishe primitive paleokristiane, akoma edhe sot pjesërisht ekzistente në rreth tre metra thellësi nga dyshemeja e kishës së sotme. Nuk duhet të humbisni kompleksin strukturor të Dante Ruffini në mermer si dhe të admironi veprat murale nëpër muret dhe kupolën e kishës.

5. La pinacoteca Rimbaldi

Edhe syri kërkon pjesën e tij, nëse keni qenë tashmë në Festival dhe jeni të ngopur me këngët e bukura, ky është vendi që bën për ju. Pinacoteca, e themeluar në 1865, krenohet me njëqind vepra pikture, nga shekulli XV-XIX.

6. Muzeu "Nobel"

Ky mbiemër ekziston dhe i referohet një prej çmimeve më të lakmuara të modernitetit. Muzeu i dedikohet zbulimeve më të rëndësishme të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe aktiviteteve kërkimore në të cilat Nobeli u kushtua: telegrafi, telefoni, mëndafshi artificial dhe materiale sintetike, deri tek zbulimi i dinamitit. Interesante ekspozita filatelike dedikuar shumë çmimeve Nobel në histori si dhe vetë historia e Alfred Nobelit, është shumë interesante.

7. Kopështi ekzotik

Jemi sërish në fushën shkencore, ky është një nga atraksionet më të mahnitshme dhe të vizituara në Sanremo. Kopshti Ekzotik është një kopsht botanik i specializuar në bimët e kaktusit. Koleksioni është privat dhe përfaqëson rezultatin e punës së kryer në katër breza të familjes Pallanca, e cila sot mund të mburret me rezultatin e punës së saj në rang kombëtar, duke u vendosur në krye të botës. Që nga viti 1989 Kopshti është kthyer në një ent muzeal privat që mund të vizitohet nga publiku duke paraqitur një bibliotekë të madhe të sektorit. Pranë këtij muzeu mund të blini disa nga varietetet e bimëve të pranishme në kopshtin shumë të famshëm të Aloe Vera.

8. Piaza Bresca

Piaza Bresca është zemra e vërtetë marinare e Sanremos. Ndodhet në qendrën e vjetër mes Via Roma e Via Bixio,  vetëm dy hapa larg nga porti i vjetër e Sanremo-s, aty ku vijnë tregtarët e peshkut të freskët çdo mëngjes. Varkat ngjyra ngjyra i japin këtij vendi një pamje tipike mesdhetare. Pikërisht këtu ndodhen edhe disa nga restorantet dhe baret më të mirë të qytetit me tarraca të hapura dhe ballkonet plot lule. Dekoruar me palmat karakteristike dhe pemët e portokallit, rruga gazmore fiton një prekje monumentale nga shatërvani i shekullit të XIX. Po në këtë rrugë ndodhet shtëpia Gusepe Garibaldi.

9. Restorantet e peshkut

Një ndër gjërat që nuk duhet ta humbisni absolutisht në Sanremo, është darka apo dreka e peshkut në lokalet buzë detit. Peshku është shumë i freskët, restorantet mjaft romantike por bëni kujdes kur zgjidhni se ku do të shkoni. Portofoli juaj nuk do të jetë aq i kënaqur sa stomaku juaj, pasi të paguani faturën.

10. Shëtitorja Giacomo Matteotti

Shëtitorja Giacomo Matteotti  është rruga kryesore dhe më chik e Sanremo-s, ku është e përqëndruar pjesa më e madhe e shoppingut ndërkombëtar. Një shëtitje në këtë rrugë është pothuajse detyrim. Gjysma e turizmit të këtij qyteti i kushtohet modës, duke e përforcuar edhe një herë ndikimin që ka moda italiane në botë. Ditët e qëndrimit tuaja në këtë qytet bëhen edhe më këndshme me shëtitjet pranë vitrinave të pafund të modës, një nga krenaritë e italianëve. Sidomos gjatë muajve të verës kjo rrugë është e mbushur me arabë dhe rusë që shëtisin dhe sodisin vitrinat përmes xhamave të errët të limuzinave të tyre.

© Ndalohet kopjimi ose riprodhimi i të gjithë materialeve, si tekst apo audio, ose fotove pa lejen e autorëve!

Për fotot ilustruese, ndonjëherë jemi të detyruar të përdorim fotografi nga interneti. Nëse kjo gjë prek interesin e personave të interesuar, na sinjalizoni dhe ne menjëherë do i heqim ato!

Share this:
Tags:

Add Comment

twelve − ten =

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.