23/01/2018

PUSHIMET NE VAL DI FASSA: TE LUMTUR, POR XHEPAT BOSH

Pushimet e dimrit janë një luks i madh. Janë shumë të shtrenjta për t’u përballuar, por mëkat nëse nuk u shkon deri në fund. U nisëm nga Tirana pas javës së parë të janarit dhe ja ku jemi kthyer sërish në apartamentin tonë të vogël, të lumtur, por me xhepat bosh.

Atje mbërritëm pas 4.5 orë udhëtimi me makinë dhe menjëherë kuptuam se vërtetë bota e përrallave ekziston. Gjëja e parë që na bëri përshtypje, ishte gjuha e çuditshme që flisnin banorët. Nuk ishte italisht, ngjasonte me gjermanishten, por nuk ishte as ajo. Jo se nuk u morëm vesh, pasi fakti që jetonin me turizëm, i kishte bërë vendasit, të cilët ofronin shërbime në bare, restorante, dyqane e pista skiimi, që të flisnin italisht, anglisht dhe gjermanisht. Por e bukura ishte se mes tyre komunikonin me një gjuhë të ndërmjetme, që më vonë mësuam se quhej Ladino.

Atje mbërritëm pas 4.5 orë udhëtimi me makinë dhe menjëherë kuptuam se vërtetë bota e përrallave ekziston. Gjëja e parë që na bëri përshtypje, ishte gjuha e çuditshme që flisnin banorët. Nuk ishte italisht, ngjasonte me gjermanishten, por nuk ishte as ajo. Jo se nuk u morëm vesh, pasi fakti që jetonin me turizëm, i kishte bërë vendasit, të cilët ofronin shërbime në bare, restorante, dyqane e pista skiimi, që të flisnin italisht, anglisht dhe gjermanisht. Por e bukura ishte se mes tyre komunikonin me një gjuhë të ndërmjetme, që më vonë mësuam se quhej Ladino.

Nisur nga Bolonja, mbërritëm në veri të Italisë, në Val di Fassa, një prej lëndinave më të njohurave të Dolomiteve. Zbukuruar si kurorë me disa prej maleve më të rëndësishme të Dolomiteve, ky vend është një qendër e rëndësishme e turizmit, si në dimër, ashtu edhe në verë. Stacioni ynë i ndalimit ishte në Campitello, një komunë italiane e provincës autonome të Trentinos, me rreth 800 banorë, një prej 18 komunave që formojnë Ladinia-n.

Ideja që ishim mu në zemër të Alpeve të Europës ishte mjaft joshëse. Nëse do të vazhdonim të ecnim drejt veriut, do mbërrinim në Innsbruck (172 km nga Campitello), një prej qyteteve spektakolarë të Austrisë dhe Alpeve të Europës. Pikërisht në Innsbruck, para më shumë se një shekulli, u vendos njohja e gjuhës ladine për këtë grupim të madh etnik, që shtrihet sa brenda kufinje administrativë italianë, sa atij austriak, apo zvicerian. Një zonë e gjërë kufitare ndërmjet këtyre vendeve, që përkon edhe me zemrën e Alpeve të Europës.
E gjitha kjo histori na u duk shumë intriguese, sikur vjen nga përrallat….

Shtëpia ne mal

Shtëpia ku qëndruam ka një pozicion fantastik në Campitello. Ne zgjodhëm të paguajmë qeranë e saj dhe jo të rrinim në hotel, thjesht për arsye financiare. Duke qëndruar në shtëpi, kishim mundësi të kalonim një ose dy vakte aty, sepse tjetri (dreka) në mënyrë të padiskutuar do të ishte tek restoranti i fushimit në mal.
Shtëpia në Campitello është shumë e bukur dhe e rehatshme. Ka mobilim prej druri dhe një oxhak për zjarr. Jemi apo nuk jemi 1200 m mbi nivelin e detit? Por do të jemi akoma më lart, kur të nisemi me teleferik për ski.
Mbërritëm rreth orës së drekës dhe vendosëm që si ditë e parë të hanim në shtëpi. Për t’i rënë shkurt dhe mirë…Produket i blemë tek marketi që nuk ishte larg nga shtëpia, ndërsa në kuzhinën e shtëpisë nuk mungonte asnjë paisje. Kafen e pas drekës e pijmë tek një lokal i vogël, pranë shtëpisë. Prej xhamave shihet rruga kryesore dhe makinat që vejnë e vijnë. I zoti i lokalit është mjaft dashamirës. Ekspresi i fortë. Në mure ka të varura fotografi të klientëve të rëndësishëm që kanë kaluar aty. Kryeson kampioni i skive Alberto Tomba. Alberto Tomba, ndonëse nga Bolonja e kishte këtë zonë si shtëpinë e tij, pasi këtu stërvitej, garonte dhe thyente rekorde. Në fakt fotografinë e tij e pamë kudo që shkuam apo ndaluam. Të gjithë e konsideronin si mikun dhe klientin e tyre të nderuar. Ndërsa ne jemi aty dallojmë Eduardo Benito-n, që parkon makinën jashtë, pi një expres të shkurtër tek banaku, përshendetet me të zotin e lokalit dhe ikën me shpejtësi. Eshtë periudha ku me pak fat, mund të shohësh të gjithë yjet e ekranit dhe showbizit italian.

Shëtitje në Moena

I hipim makinës dhe për rreth 25 minuta jemi në Moena, një tjetër provincë, në fakt një qendër më e madhe nga Campitello ku jemi ne, me një arkitekturë të spikatur të stilit alpin, shtëpi, dyqane, hotele, restorante, të gjitha me drita ndezur, zbukurime festive që nuk hiqen gjatë gjithë vitit, ndonëse Krishtlindjen dhe Vitin e Ri i kemi lënë pas. Veshja e zakonshme që sheh tek njerëzit në rrugë janë xhakoventot e trasha të borës, këpucët e borës, kokoret e borës, pantallonat e borës, doreza dhe shalle. Mbi supe shumica mbajnë ski. Eshtë ora kur njerëzit janë kthyer nga pistat. Po errësohet dhe ato mbyllen, përveç pistave të natës, të cilat funksionojnë vetëm natën, duke zbuluar një tjetër botë sfiduese, për ato që guxojnë më shumë. Na bëjnë përshtypje jo vetëm turistët që kanë ardhur për të bërë ski, por edhe banorët vendas, pleq dhe të rinj, që tek dyert e shtëpive kanë të mbështetura nga dy -tre palë ski, slita dhe biçikleta. Në këtë zonë, sa shumë e duan borën, po kaq edhe biçikletën, pasi në pranverë kur bora shkrin, një ndër hobet e tyre është ecja në biçikletë.
Moena është shumë elegante. Ngjan si një zonjë klasi e veshur me të bardha. Vitrinat ofrojnë veshje frimash, aksesorë luksi, objekte sportive të firmave ndër më të shtrenjtat, restorante me çmime marramendase, hotele aq të shtrenjta, sa të dhimbsen paratë ta vësh kokën në jastëk e të flesh.
Në qendër ngrihet një masiv i lartë akulli, ndriçuar me drita dhe poshtë tij rrjedh lumi Avision, nga akulli i Marmolada-s, prej te cilit buron dhe zbret deri ne Moena. Njerezit aty shetisin, ndalojnë dhe bëjnë foto. Temperaturat ndërkohë kanë zbritur në -6. Lokalet nga brenda janë shumë ftuese. Pas darkës, jemi të lodhur dhe duhet të flemë herët.

Në mëngjes për ski

Për të shkuar tek pistat, duhet të marrësh teleferikun. E për të shkuar tek teleferiku, duhet t’i hipësh makinës. Të ngjeshur me uniformat e skive, këpucët e skive janë ato që të rëndojnë më shumë. Kanë shumë peshë, shtrëngojnë këmbën dhe të duhet të ecësh mbi një teh hekuri. Nëse kostumet e skive ne i kishim tonat, këpucët e skive i morëm me qera. (Lexo edhe 7 keshilla para se te nisemi per ski)
Rradha është e gjatë për të prerë biletën e teleferikut. Njerëzit skitë i mbajnë në duar dhe radha ecën pak e nga pak. Mund ta presësh biletën vetëm për një ditë, 13 euro per person vajtje-ardhje. Por mund të paguash nëse do 50 euro për person, ku ke të përfshirë edhe lëvizjen me teleferikët e vegjël që ndodhen lart tek pistat e skive.
Ne zgjodhëm variantin e parë, pasi nuk jam edhe aq tip sportiv, sa të investoj 50 euro, për të bërë vetëm një xhiro me ski. Mendoj se kjo është një ofertë e mirë për ato që e duan vërtet këtë lloj sporti, siç është im shoq dhe ngjiten pa pushim për gjatë gjithë ditës me teleferikët e brendshëm, për të zbritur me skitë e tyre ngjiten prap me teleferik. Një rreth vicioz.
Unë jam pak dembele për këtë punë. Më mjafton ngjitja deri lart me 13 euro, tentativa për të bërë pak ski (mund të bësh një abonim me 10 euro për dhjetë zbritje me ski), dhe pastaj ta kalosh ditën në lokalet e fushimit.

Pista Ciampak

Zgjodhëm pistën Ciampak dhe për 10 minuta jemi atje. Eshtë një ditë e bukur me borë dhe diell. Fatmirësisht nuk ka erë. Këtu nis edhe aventura jonë e skive. Për vajzën tonë të vogël, kjo është hera e parë që bën ski. Por si çdo fëmijë ka reflekse të mrekullueshme dhe prirjen për të mësuar shumë shpejt. Këtu mund të marrësh instruktor me pagesë për të gjitha moshat. Grupet me fëmijë të vegjël, që fluturojnë mbi ski, janë ndër pamjet më frymëzuese për mua. Edhe vajza ime po mëson.
Peizashi është tepër mahnitës. Në lartësinë 2222 m të duket sikur ke pushtuar botën. Perballe dhe shume afer kemi majen e Marmolada-s (3343), pjesë e vargmalit të Dolomiteve që mbrohet nga Unesco si Pjesë e Materiale e Trashëgimisë Botërore që nga viti 2009. Njerëzit e shijojnë ditën në mënyra të ndryshme. Shumica bëjnë ski, por ka edhe nga ato që zënë vend në lokalet e fushimit (rifuggio- në italisht). Aty shërbehen kryesisht kafe, kapucino, çajra të ndryshëm, verë brule, birrë, amaro dhe rum.
Në orarin e drekës, lokalet mbushen plot dhe duhet të vraposh për të zënë një tavolinë. Me vetëshërbim, mund të hash pasta italiane, apo gulash hungarez, lazanjë apo patate të skuqura, fetina viçi, bri derri apo byftekë zgare. Duke qenë zonë që frekuentohet nga turistët, menuja është gjithë përfshirëse, por edhe çmimet shumë të larta. Surpizë për mua ishte gulashi hungarez(patate gjellë me mish viçi), shumë i preferuar nga turistët gjermanë, austriakë dhe hungarezë. Arsyeja ishte e thjeshtë: me ndikim të fortë austrohungarez, kjo zonë prej shekujsh kishte si pjesë të traditës së saj këtë recete, për të përballuar të ftohtin e motit. Pas drekës raki (grappa) për tu nxehur edhe më shumë, për fëmijët ëmblësira me fryta pylli dhe pastaj me vrap, drejt pistave për të vazhduar aventurën.

Kthimi

Ndërsa jemi duke zbritur në teleferik, njerëzit duken të lodhur dhe kanë humbur diçka nga energjia e mëngjesit. Por në sytë e tyre pavarësisht lodhjes, lexohet kënaqësia e një eksperience të bukur. Kabina e teleferikut, rrethuar nga të gjitha anët me xhama, që mund të zërë brenda rreth 50 vetë, zbret poshtë mes honeve, luginave, pyjeve që i ka zënë bora. Përpiqem të fiksoj sa më shumë momente, të bëj edhe ca video nga kjo zbritje spektakolare dhe të njëjtën gjë bëjnë pothuajse të gjithë që sot kanë kaluar ditën me ne në Ciampak. Ndër gjërat më të bukura në këtë kthim, është sfida e disa njerëzve për të zbritur jo me teleferik si ne, por duke “fluturuar” me skitë e tyre. Udhëtimin që zgjat rreth dhjetë minuta me teleferik, ata preferojnë ta bëjnë si një fluturim prej lartësive….Kjo ishte vërtet impresionuese.
Duhet pasion i madh për skitë dhe forcë fizike, për të përballuar çdo ditë të njëjtin ritëm. Kthimi pasdite në shtëpi, çlirimi nga paisjet e rënda të skive dhe zjarri në oxhak, bëhen shumë tunduese për të qëndruar në shtëpi, por ditët i kemi të numëruara, ndaj duhet të zbulojmë sa më shumë. Dhe kjo zonë e bukur e Italisë ka shumë për të ofruar në fushën e gastronomisë dhe turizmit elitar. Bashkë do i zbulojmë të gjitha…

Share this:
Tags:

About Travel Bar

WE LIKE TO TRAVEL! WE MAKE IT!

  • Website
  • Instagram
  • Email

Add Comment

fifteen + 2 =

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.