03/01/2018

LERENI GJELIN PA BLERE, UDHETONI PER VITIN E RI!

Tradita e gjelit të detit, natën e Vitit të Ri, është një traditë e bukur e shqiptarëve. Gjeli detit, aq i madh sa nuk e nxë as frigoriferi, përsheshi mënjanë, sallata ruse pa të cilën festa jonë nuk ka kuptim, byftekët, qoftet e patatet, byrekët dhe bakllavaja, rakia, vera e birra, mandarina, mollë e portokalle, arra e lajthi, ja ky është viti i ri i shqiptarëve.

Një gjyshe e mirë, para një jave në market, dukej shumë e shqetësuar nëse gjeli që kishte vendosur ta blinte, do ta bënte përsheshin e përsosur.

Dhe këtë shqetësim e shprehte me të gjitha gratë kliente rreth e rrotull. Apo më mirë të merrte pulë deti? Po kaposhi? “Aman,- ia priti një zonjë e mërzitur nga kjo bisedë, sikur ç”do bësh? Ja do bësh kulaçin! E ç’është kulaçi??? Gjithë kjo rëndësi përse??? Gati si bukë e bërë përshesh….Lëre përsheshin, po merr burrin dhe dil e shih botën. Kështu bën bota sot!

Gratë, pasi kanë gatuar gjithë ditës sa për një muaj, nuk munden as të shijojnë çfarë kanë gatuar për qejfin e familjarëve, burrat pas gotës së rakisë, koten nga gjumi dhe rehati pas tavolinës në ketë natë dembele dimri, fëmijët me kofshat e gjelit në duar mezi presin t’ia nxjerrin fundin bakllavasë. Eh çfarë Viti i Ri! Mezi presim të na vijë tjetri që të hamë prap!

E gjora gjyshe, dikush guxoi ta nënvleftësonte kaposhin me përshesh dhe e gjithë bota iu rrënua para natës së Vitit të Ri.

Udhetoni per Vitin e Ri

Natën e Vitit të Ri, e kalova jashtë. Rastësia e bëri që të ishim në të njëjtën festë me një grup të moshës së tretë, gra vejusha, apo edhe çifte që i kishin rezistuar pleqërisë. Shumica me fëmijët e tyre në çifte, e nipër e mbesa me vete. Pa kaposh, pa bakllava, por me verë e shumë atmosferë. Besoj se janë kënaqur më shumë këta njerëz, sesa ato të kaposhit.

Datën 1 janar rrugët e qytetit ku shkuam ishin plot me turistë. Grupe me vajza e djem të rinj, çifte të reja me fëmijë edhe në karrocë, eksplorim në qytetin e vjetër mesjetar, njerëz të qetë që uronin njëri tjetrin pa rrëmujë e zhurmë vitin e ri. Kështjella mesjetare, muzeume, verë brule, muzikë live në bare, pube aspak të zhurmshëm por me shumë jetë brenda, koncerte rock në qendrën e qytetit. Gjithçka çfarë njeriut i duhet për një fillim të ri.

Për të ndërmarrë një udhëtim sigurisht që duhet edhe ekonomi e konsoliduar, por ama jo gjithmonë lekët janë pengesë. Nuk po flas për familje që nuk u del të hanë bukë thatë, por po flas për ato që kapërdisen me gjelin dhe gjithë ato ushqime që përmenda pak më sipër. Po flas edhe për ato të rinj, që janë gati të shpenzojnë tavolina 500 mijë lekëshe natën e Vitit të Ri vetëm për të rënë në sy tek Blloku, që shpenzojnë po kaq për tu veshur bukur e trendy, kur me të njëjtën shumë parash mund ta shikonin botën nga një kënd i ri. Dhe Nata e Vitit të Ri është gjithnjë momenti për ta nisur këtë gjë.

Share this:
Tags:

About Travel Bar

WE LIKE TO TRAVEL! WE MAKE IT!

  • Website
  • Instagram
  • Email

Add Comment

16 − eleven =

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.