24/12/2017

PERSE ESHTE E NEVOJSHME TE UDHETOJME PA FEMIJE?

Bazuar në kërkimin tim joformal midis shoqeve, kam kuptuar se shumica prej tyre i shohin bashkëshortët rreth 4 orë në ditë. Dy nga këto orë kalojnë me fëmijët dhe 2 të tjera përfshijnë darkën dhe vënien e fëmijëve në gjumë.

E njëjta gjë ndodh edhe me mua. Shumica e ndërveprimeve mes meje dhe bashkëshortit tim janë përmes WhatsApp gjatë ditës. Ndërsa gjatë darkës asnjë fjali nuk shkon deri në fund, pasi ndërpritet nga lutja që vajza jonë të hajë shpejt e të shkojë në shtrat se do zgjohet herët në mëngjes…. Kuptohet që pak ngelet për ne të dy si çift, kur lodhja e ditës është e madhe dhe mezi pret të flesh gjumë.

Kam menduar shumë rreth këtij shqetësimi dhe kam vendosur të kthej çiftin që na mungon…
Edhe kur e vogla ime ishte 1 muajshe, edhe sot që shkon në shkollë, të gjitha ditët i janë kushtuar kujdesit ndaj nevojave të saj, nga veshja, ndërrimi i pelenave, shoppingu për të blerë lodra pa fund, kujdesi dhe këshilla për shkollën… 365 ditë në vit.
Nuk ka asnjë lloj pune që të merr kaq kohë dhe mund. Prandaj një periudhë pushimesh duhet, apo jo?

Mbani mend: jeta është e veçantë me fëmijët tanë. Por mos harroni se ju jeni nje çift! Shpesh kam menduar se na duhet një udhëtim vetëm ne të dy. Prandaj herë pas here mos harroni se duhet të programoni një udhëtim vetëm ne të dy.

Përse duhet?

Në fakt pushimet nuk na kanë munguar asnjeherë, vit pas viti. Madje ia kemi krijuar vetes mundësinë që t’i bëjmë edhe dy herë në vit, në dimër e në verë, në det dhe në mal, por gjithmonë ne të tre. Dhe kur flasim për tre, do të thotë se sërish vëmendja është e përqëndruar tek vajza. Mos ftohet, mos djersitet, mos nuk ha ushqimin…, noti, skitë, vrapi, lodrat, topi, uji, bora, shiu, shoku, shoqja, pizza, patatet, akulloret, çokollatat, fustanet, atletet, mami, babi, mami, babi, babi, babi, babi…

Magjia e udhëtimit në çift

Shpesh kam menduar se na duhet një udhëtim vetëm ne të dy. Kemi rëndë dakord për ta bërë. Kemi planifikuar gjithçka. Destinacionin, biletat, hotelin, mundësisht me sauna, masazhe, shampanjë në dhomë….. Një udhëtim të shkurtër fundjave, sa për një “break”, ndërkohë që vajzën do e linim tek gjyshërit. “Edhe ajo ka nevojë për kohën e saj me gjyshërit”. Por në momentin e fundit jemi tërhequr. Kemi përfshirë edhe vajzën në udhëtim, nisur nga pendesa ime, që ne ishim një familje dhe duhet të kanaqeshim të gjithë. Sigurisht që im shoq ka kundërshtuar. Me të drejtë ai ka këmbëngulur se “ndërsa ne do të ishim në udhëtim, vajza do të argëtohej pa fund mes llastimeve të gjyshërve”. Por në fund ka fituar ndenja ime prej mamaje dhe ja ku jemi të tre.
Tani dua ta ndryshoj këtë gjë. Jam mëse e bindur se për fëmijët është shumë e rëndësishme të jetojnë në harmoni. Dhe kjo harmoni vetëm do të shtohet nëse mami dhe babi udhëtojnë bashkë për dy ose tre ditë.

Kjo është më e drejta që duhet të bëj. Të dal, pa harruar se si ndihesh kur vesh një fustan elegant dhe taka të larta, të flë në një hotel pa treguar përrallën e gjumit, qoftë sa për një fundjave. T’i kujtoj vetes dhe tim shoqi se veçse burrë e grua, jemi edhe të dashuruar.

Duke shkruar këto radhë e di se, edhe juve do ju mungojnë fëmijët tuaj në këto udhëtime, nëse vendosni të bëni njëlloj si unë. Por është e rëndësishme që “ta hiqni ndonjëherë prizën” e të mos dëgjoni të qara dhe kapriço. Në fakt nuk është e tërë jeta e mbushur me to, por ndonjëherë gjërat të kthehen në rutinë dhe rutina në stres, duke na bërë të harrojmë se sa me fat jemi që kemi një familje të lumtur. Ja pra, pse disa ditë “lirie”, vetëm në çift, do të kenë aftësi magjike. Mbani mend: jeta është e veçantë me fëmijët tanë.

Share this:
Tags:

About Travel Bar

WE LIKE TO TRAVEL! WE MAKE IT!

  • Website
  • Instagram
  • Email

Add Comment

16 + seventeen =

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.